Andi BICA/ Babagjyshi del në pension

752
Sigal

Gjërat do të shkonin më mirë në këtë vend sikur minimalisht secili të bënte mirë punën e vet

Dimri  me shirat e vonuara dhe acarin e zbutur hyri me logon: Shqipëria dhuron!!  Shoqëria si ngjarje festive ia mbërriti të dhurojë për të varfrit tepricat dhe ky ishte lajm i mirë. Tek tuk sa për sy, hudhra e kësaj lëvizjeje kaq pozitive (që mos u ndaltë kurrë!) ishte dalja nga mjegulla e  katër babagjyshërve që ia mbërritën të sajojnë ndonjë prapësi tek një argjendari me një emër që e përforcon Dashurinë kur nuk teprohet si “Xhelozia”. Por po ta mendosh pak më hollë dhe artistikisht,  në Polin e Veriut nga sa dihet nga publiku prej  kinemasë thuhet se janë Elfët e talentuar që ia vënë ndonjëherë shkopinjtë nën slitë Babagjyshit Santa Klaus. Vitin që kaloi u shkruan edhe  shumë dëshira në letra të hapura dhe faqe Facebooku  e rrjete sociale dhe duket se shumë nga lutjet u dëgjuan por nga të tjerë babagjyshër civil. Madje, mendoj se vetë dhuruesit bamirës në një kuptim e zëvendësuan dhe e nxorën në pension disi Babagjyshin. Përfytyroj një Babagjysh shqiptar me kostumin jeshil si ai bamirësi i njohur nga Turqia e sotme në ikonën e  Shën Nikolasit apo Shën Kolli, mjekërbardhë e faqe kuq me një buzëqeshje të përmbajtur dhe thesin e tkurrur nga i ftohti në kohë krize.  Meqë doli në pension pak para kohe Babagjyshit kryeqytetas të Krishtlindjeve i duhet dhe të shkojë tek zyra e pensionimit në rrugën “Myslym Shyri” për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të ish- punës.  Atje ku vajta dhe unë para disa muajve me time më’ për të dorëzuar  librezën e një punë 35 -vjeçare në edukimin dhe argëtimin e dëgjuesve të radios si gazetare krijuese.  Brenda kurrizit të një pallati në kryqëzimin që shkon për tek Drejtoria e Policisë, pata fatin të shikoj nga brenda se çfarë ndodh brenda asaj dere me gardh hekuri, ku të moshuarit rrinë në radhë si para Portës së Shën Pjetrit. Do hyj ndonjëri nga Purgatori i Pritjes pa  u mërzitur dhe humbur fillin në rrugëtimin për nga pleqëria.  Në fakt që tek dera ndihet zhvlerësimi i njeriut kur del në pension. Jeta dhe Ëndrrat vërtet nuk paskan mbaruar si thotë dhe spoti i freskuar i një reklame të një banke nga ish aktorët  e njohur të filmit shqiptar. Por vetja më thotë se, dhe Babagjyshit do dëshpërohej kur të vendosej në pozita pritjeje e radhësh false, ndërkohë që, teknologjinë në rritje dhe dixhitalizimin e emrave, dokumenteve dhe datave  të secilit punonjës lehtësia mund të ishte e ngjashme me printimin e një certifikate në zyrat e gjendjes civile të cilësdo njësie bashkiake në Tiranë. Hyj dhe ulem në një stol për të plotësuar një formular të zbehur nga boja e mbaruar e fotokopjes. Jam me fat që kam disa stilolapsa dhe ua dhuroj të moshuarve, burrave e grave, zonjave e zotërinjve majtas e djathtas stolit si tek stacioni i dikurshëm i trenit që vijnë edhe nga fshatrat për të marrë në një kuptim përqindjet e depozitave të kursimit të një jete punë si kuaj karroce. Janë brezi i pas Luftës së Dytë Botërore, shumë prej tyre u janë vjedhur energjitë dhe puna e papaguar nëpër aksione, ndërtime vullnetare hidrocentralesh, minierash e veprash publike që sot jepen me koncesion dhe shteti mjel të ardhura të majme nga investitorët e huaj. Ja ku vjen çasti kur dhe mamaja ime hap librezën dhe papritmas zbulon se disa nga  vitet e punës i mungojnë nga pakujdesia dhe pavëmendja e zyrtarëve përkatës. Këtu kujtoj një nga shprehjet komike të Çurçillit kur pa Shqipërinë dikur dhe vlerësoi se “Gjërat do të shkonin më mirë në këtë vend sikur minimalisht secili të bënte  mirë punën e vet”. Mjerisht vërej se këtu bëhesh direkt fajtor dhe etiketohesh si problematik përmes teknikës së dalë boje se  mbrojtja më e mirë është sulmi kur ua vë në dukje ndonjë të drejtë  që kujtdo shtetasi maqedonas nuk i diskutohet në shtetin e vet, pa u krahasuar larg qoftë me një kroat apo slloven. Harrohet kuptimi pse ke ardhur në punë dhe detyrimi primar ndaj klientit që gjithmonë ka të drejtë po ta shihet korrekte marrëdhënia. Mirë mendoj po këtij Babagjyshit shqiptar  me dosjen e tij shumë vjeçare a  ndodh ti shënohet në Librezën e Punës se i kanë humbur pakot rrugës, prishur slita, sëmurur ndonjë nga drerët fluturues  apo ka dërguar dhurata boshe duke shkelur premtimet e fëmijëve të çdo moshe. Kthej kokën majtas djathtas dhe shoh shumë sy të rëna, vetulla të ngrysura të përcjellë njerëzish nevojtarë të sorollatur nga mbarë vendi prej  një sportelisteje  të re, që dika me marifet sa të lindur po aq edhe rafinuar t’ua gjejë sa hap syrin ndonjë defekt në dokumente duke ua lënë si në jetimore dosjen shumë prej njerëzve në pritje. Kushdo që troket tek ky xham është më mirë të kthehet nga ka ardhur qenka formula përjashtuese e kësaj zyrtareje të kualifikuar që përtonka  të shkruajë mbi një formular standard. Mirë se edhe pensioni i Babagjyshit shqiptar me kohë të pjesshme po i cungohet  shuma jetike mujore prej lajthitjes së ‘dikujt’ , por iu dashka të presë edhe tre katër muaj deri sa të aprovohet pensioni ‘’post modern’’ prej nuk dihet sesa lekësh. Babagjyshi shqiptar kostum blertë dhe kapele kuq e zi, përfytyroj sesi buzagaz do kthehej i përmbajtur drejt shtëpisë; të shkonte rrugës tek noteri, të trokiste në ish vendin e punës për të sqaruar gabimet trashanike dhe të merrte si detyrë shtëpie pasi të  rikthehej në Polin e Veriut apo në ndonjë nga rezidencat e tij dimërore në malet shqiptare për t’i plotësuar  ngadalë e shtruar formularët e Pensionit derisa ti pranohen kuptohet pasi disa kthimesh e rikthimesh. Më pastaj nga pranvera nëse të ka rënë lotaria e vitlindjes në dimër të duhet me gjetur arkën e kursimeve ku pa komente njihet tabloja mjerane me diçiturën “Mrekullia e Radhëve” tek kioskat  e lodhura si kafaze gjigande kanarinash ku ndahen si nga sportele burgu pagesat mujore.  Nëse ke fat dhe hyn në bankë, jeta ndryshon nga nata bëhet ditë. Shërbimi ndryshon që në pritjen e gëzueshme tek dera me një mirëseardhje në botën e komoditetit edhe me pak por të sigurta. Dikur dhe në mbarë botën dalja në pension ishte një festë shoqërore e familjare që zgjaste e i dëgjohej zhurma ngado.  Tani edhe për Babagjyshin pensionimi pa pension qenka një tmerr i pa fund.