Pajtim Xhelo: “Pas 33 vitesh të një përkohësie të panevojshme, drejtuesit e të gjitha niveleve, sidomos të zgjedhurit vendorë, duhet të bëjnë të duhurën, jashtë përkatësive partiake”

47
Sigal

Në këtë përkohësi ( tranzicion) që po zgjat pa mbarim, çdo drejtues (në të gjitha nivelet) duhet ta mendojë veten si bir të denjë të këtij Kombi, që historia e ka ndëshkuar nga të tjerët, po aq sa edhe nga bijtë e tij të zhbërë dhe të shpërfytyruar. Po e nis këtë shkrim nxitës të ndjeshmërisë së drejtuesve të të gjitha niveleve, që nga Kryetari i Shtetit, Kryeministri, Ministrat, Kryebashkiakët, deputetët, Kryetarët e Akademive të Shkencave, Rektorët e Universiteteve e të tjerë, për t’u rikujtuar atyre, që roli i ndividëve të veçantë ( të shquar ) në shoqërinë njerëzore të të gjitha kohëve, është vendimtar për ta çuar njerëzimin në mënyrë të pandërprerë përmes spiraleve të kontrolluara ( shkallëve) drejt majave të arritjeve të zbulimit të asaj, për të cilën njerëzimi ka ëndërruar dhe është përpjekur që në foshnjërinë e vet, të ndërtimit të një jete të sigurt , të pakërcënuar nga të papriturat e çastit, të pa braktisur në mëshirën e fatit, apo të rrethanave jo të dëshëruara në shtratin e shpërfilljes dhe të mosvlerësimit të duhur…

Ashtu siç mund të jetë i papërfytyrueshëm shkak i të keqes, luftrave shfarosëse lokale apo botërore, përdorimit të të mirave materiale e shpirtërore, të arritura me mund e djersë, me jetët e miliona njerëzve të përkushtuar e të vetëdishëm, nga individë të tjerë, pjellë të djallit, të mënçur, por me gen kriminel të trashëguar, apo mutacion të shkaktuar nga proçese jo normale kimike, fizike e biologjike, drejtuar nga forcat e errësirës. Për të dy rastet, si për individët që çojnë përpara njerëzimin, edhe për ata që e kthejnë pas trenin e kohës, ka shembuj bindës të të gjitha sistemeve politiko – shoqërore. Po përmendim vetëm disa: Aleksandri i Madh ( Leka i Madhërishëm), Pirrua i Epirit, Anibali, Jul Qezari, Napoleoni, Sulejmani i Madhërishëm,Henriku V, Franc Jozefi, Gjergj Kastrioti, Xhorxh Ëashingtoni Kemal Ataturku, Ismail Qemali, Çërçill,Mandela, Nënë Tereza. Angela Merkel e të tjerë si : Neroni, Tieri, Franko, Hitleri, Stalini dhe gjithë diktatorët e vendeve të lindjes, Sadan Hysejni, Putini e të tjerë. Ndikimi nga bëmat e tyre tashmë njihet nga të gjithë. U zgjata ca për t’i rikujtuar politikanët dhe pushtetarët e sotëm shqiptarë, sidomos atyre të pas viteve ” 90 ” ( pa asnjë përjashtim përkatësie të krahëve politikë ), se varet nga ata vet nëse duhet të zgjedhin të mbeten të nderuar, të kujtuar dhe të respektuar nga brezat që do të vinë, apo të mallkohen për poshtërsitë e bëra ndaj këtij populli martir, dhe të nxirren nga varret dhe të zvarriten e të rivdesin prej urrejtjes dhe hakmarrjes. Thirrja ime intelektuale është kryesisht për disa nga të zgjedhurit e rinj të pushtetit vendor, të cilët janë në kohë që të zgjedhin njerën nga të dy rrugëtimet në punën e tyre, ose atë të nderit, ose atë të turpit. Sa u përket të vjetërve, edhe pse veshin rroba firmato dhe përpiqen të tregojnë vetëm fytyrën e dytë të krijuar në skenat e aktrimit të pushtetit ekonomik apo politik, tashmë u ka dalë boja e ” gomarit të arixhiut” dhe e kanë pësuar si në përrallën ” Mbreti lakuriq” Për të qenë i suksesshëm në drejtim duhet pak, po para së gjithash duhet të jesh i vërtetë dhe i hapur.

Po i pate këto të dyja, të tjerat vinë vetvetiu. Nuk ka si të jetë egoist ose egocentrist një drejtues që te njeriu shikon dhe afron vlerat e vërteta shpirtërore dhe mendore, pyet, këshillohet dhe respekton ata që kanë përvojë, pa bërë dallime moshe, race, pozite shoqërore, bindje politike dhe parapëlqime personale. Nuk ka si të jetë i pandreqshëm një drejtues që nuk mendon që i di të gjitha dhe nuk i sheh të tjerët nga maja e Olimpit, me kënd depresioni. Vlerat i ka një drejtues, që edhe pse është i paisur me kulturën e duhur si intelektual i vërtetë, sillet i thjeshtë me të tjerët, nuk mburret vend e pa vend dhe kërkon e pranon, merr dhe vë në jetë mendimet e tyre. Asnjë nuk lind i ditur, por ai që është i urtë dhe i mënçur, plotësohet dita ditës me njohuri dhe përvojë, ndërkohë që këto i vë në shërbim të shoqërisë njerëzore. Ne të gjithë duhet të kemi parasysh diçka të qenësishme dhe të pandryshueshme… Jemi vdekëtarë, dhe, si të tillë, rrugëtojmë në një kufi të caktuar kohorë. Kjo duhet të na bëjë të mendojmë dhe të veprojmë në vijimësi, pa u ndalur asnjë çast që të plotësohemi sa më shumë si njerëz me vlera për shoqërinë, ndërkohë t’ia japim këto vlera asaj, që kur të na afrojnë çastet e fundit si banorë të një komuniteti, të mos na brejë ndërgjegja e të mos ikim në merak, duke dënuar veten që nuk bëmë atë që kishim mundësi ta bënim. Nëse e kemi parasysh këtë, nëse nuk tundohemi nga lakmia për të bërë një jetë të rëndomtë, pa vlera njerëzore dhe intelektuale, për tu pasuruar me rrugë të paligjëshme dhe shpesh antinjerëzore, për të patur synym rehatinë vetiake, për të qenë shpërfillës ndaj jetës së të tjerëve, për të mos qenë sadopak nënë Terezë, të jemi të sigurt që si intelektualë drejtues do të mbetemi në kujtesën e afërt dhe të largët të bashkëqytetarëve, apo të Kombit. Veç kjo do fuqi mendore dhe shpirtërore, do durim dhe këmbëngulje për ta mposhtur ” të keqen ” që është brenda nesh. Të mendojmë vetëm kaq: Kur ikim nga kjo botë, me vete nuk marrim asgjë …Lindim lakuriq dhe ikim po ashtu. Përse atëhere duhet ta nxitim lakminë dhe etjen për t’i rrëmbyer shoqërisë sa të mundim, atë që është e jona dhe atë që nuk na përket?

Kjo vret te ne pjesën e pastër dhe njerëzore dhe na kthen tërësisht në egërsinë dhe ligësinë e specieve të tjera të botës së gjallë, për të cilat Krijuesi na solli ne që t’i komandojmë e t’i drejtojmë, që t’i bëjmë sa më pak të dëmshme dhe pengesë për zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Le të bëjmë pyetjen : Nëse Krijuesi na solli për të kontrolluar gjithë jetën në tokë, përse nuk duhet ta bëjmë këtë me vetëdije tërësore, pa u ndikuar nga instiktet kafshërore, që për hir të së vërtetës , kanë zënë vend brenda nesh, deri në një pjesë të gjeneve tona? Njeriu jetoj brenda një rrethi shoqëror, i cili me kohën vjen e zgjerohet. Me dëshirë. ose jo, ai është i detyruar tu bindet zakoneve, rregullave, ligjeve të këtij rrethi të përbashkët. Shpesh deformimet vetiake janë më të fuqishme se veprimi i zakoneve, rregullave e ligjeve të shoqërisë, dalin nga kontrolli dhe vëmendja e të tjerëve dhe atëhere ndodh e papranueshmja, e pakuptueshmja, e pabesueshmja… Këta njerëz, me fuqinë djallëzore të mendimit dhe të shpirtit, dalin në kry të shoqërisë dhe e dëmtojnë atë. Një individ i tillë , i përkrahur nga njerëz të paformuar, që ndikohen lehtë nga e keqja, injektojnë në komunitet që drejtojnë norma edukimi të pamoralëshme.. Nëse hoxha dhe prifti thonë .” Bëni si them unë, po mos bëni si bëj unë ” predikon tërë ditën vyrtytin kur vet është i zhytur në ves, edhe besimtarët do veprojnë po ashtu. Nëse një prind i bënë moral fëmijës, kur vet është pa moral, si mund të bëhet i vyrtytshëm fëmija? Populli ynë thotë ” Peshku qelbet nga koka” dhe kjo nuk ka nevojë për shpjegim të hollësishëm. Çekani im rreh te Kryebashkiakët e rinj, të porsazgjedhur. Tashmë është e qartë nga të gjithë shqiptarët që na kanë udhëhequr e drejtuar politikanë pa vlera njerëzore, jo vetëm të pa edukuar mirë, jo vetëm pa vyrtyte dhe të paaftë, por në rrjetat e merimangës që ata kanë thurur për të mbrojtur poshtërsitë dhe tradhëtinë ndaj Atmëmëdheut, Kombit dhe flamurit, ndaj fisnikërisë dhe vlerave të trashëguara të shqiptarëve nëpër shekujt e jetës së tyre të kërcënuar nga fqinjët dhe të tjerët, kanë kapur dhe po i mbajnë peng edhe një pjesë të mirë të popullit. Ligjet për ata që mbahen peng, dihen mirë, sepse kanë qenë dhe janë të njëjta për të gjitha kohët … Ai që të zë në lak, o do të hajë, o do të mbyllë në kafaz si papagall, që të thuash e të bësh ato që thotë e bënë ai. Këta njerëz janë e keqja e dytë më e madhe për kombin. Servilë, spiunë, hipokritë, sahanlëpirësa, pa vetëdije shoqërore, njerëzore e kombëtare, me dyfytyrësinë dhe amoralitetin e tyre, ata shiten e blihen te të gjithë, madje me një çmim qesharak, shpesh edhe me një thes miell. Veç kujdes ti drejtues, të Kryebashkiak, se ata, ashtu si shiten e blihen vet, të sheshin e të blejnë edhe ty, për të të bërë mercenar te kombi yt. Je si je, pa të paragjykuar si njeri, po të jepet rasti që të lësh emër të mirë. Me pak punë dhe mundim mund ta bësh këtë. Nëse je i mënçur, nëse je praktik dhe ke përvojën e jetës, duhet të bësh atë që thotë populli ynë i urtë : ” Mishi të piqet dhe helli të mos digjet” Kuptohet që në këtë trubullirë të parikthyeshme të klasës sonë pëlitike, të Parlamentit tonë qesharak, të qeverive tona antikombëtare, të Kryeministrave tanë të pasjellshëm, pa kulturë arrogantë prepotentë, egoistë dhe egocentristë, që ” për një plesht, djegin jorganin “, ty Kryebashkiak që do të punosh për popullin tënd, të duhet të kalosh në një tra të rrezikshëm ekuilibri të brishtë. Si i urtë duhet ta dëgjosh, si i mënçur nuk duhet ta kundërshtosh dhe si shqiptar dhe intelektual, duhet të bësh të duhurën për popullin që të ka votuar. Nuk të këshilloj t’i biesh murit me kokë, se nuk rrëzohet muri, po thyhet koka jote, veç të këshilloj ose ta kapërxesh murin kur t’i kesh matur mirë forcat, ose t’i sillesh rrotull, derisa të gjesh shtegun e hyrje, ose një portë të hapur.Tek ajo pjesë juaja intelektuale, për aq sa njo, kam bindjen se do ta bëni këtë. Po ju them edhe diçka, që nuk është në normat e mia morale: Përfitimet nga vendi i punës, nga korrupsioni pasiv, i cili ka rrënjë të padukëshme edhe në vendet me demokracitë më të vjetra, madje edhe në organizmat që e luftojnë korrupsionin, do t’i keni edhe pa u bërë të pacipë, që të kërkoni shërbime të kushtëzuara.

Akoma ka njerëz mirënjohës ndaj të mirave që ti u bën( edhe pse ti nuk u jep asgjë nga xhepi , veç bën detyrën shtetërore në zbatim të ligjit ) Ai që i ka llogaritë bankare të majmura edhe në saje të ndihmës sate, nuk e ka problem të të ndihmojë, ka dëshirë ai, edhe t’i pranoje. Le të trokasin ata te ti, jo të trokasësh ti në derën e tyre. Ki parasysh edhe diçka tjetër… Mos e tepro: Gjella me kripë, po kripa me karar ” Ti Kryebashkiak i mënçur që je edhe intelektual i kompletuar, duhet të dëgjosh sugjerimet dhe këshillat e njerëzve me përvojë, duhet t’i mbash afër dhe t’i falënderosh ata, sepse ata të afrohen pa interes, ata janë idealistët e pa ngjyrosur me bindjet politike. Para tyre duhet të jesh kokulur dhe i sjellshëm e mirënjohës. Lufto çdo çast me veten, me të keqen që të nxit përmes djallit, largoji njerëzit, që duan përfitime korruptive dhe të paligjshme. Ki kujdes nga ata që duan të të futin në qorrsokak. Ji i vëmendshëm dhe korrekt me njerëzit që duan të të ndihmojnë. Nëse e pranove këtë detyrë si obligim të vështirë ndaj qytetit tënd, puno dhe nuk do ndjesh lodhje. Puna e ndërgjegjshme të jep vetëm qetësi dhe kënaqësi shpirtërore. Nëse do të mbash me dinjitet emrin e qytetit tënd dhe të mbetesh i kujtuar me mirënjohje, përballo sfidat e kësaj kohe të ngatërruar. Detyra që ke marrë si barrë mbi supe nuk është e lehtë, por të bënë të mbetesh njeri.