“Gjuetia ndaj gjyqtarëve anti-sistem”- KPK me ritme breshke, në 5 vite vetëm 674 vendime

54
Sigal

Nga shkurti i vitit 2018 e deri në 30 qershor 2023, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  në këto pesë vite ka dhënë gjithsej vetëm 674 vendime. E shumëpritura dhe fort e investuara reformë në drejtësi për KPK duket se ecën me ritme ende të ngadalta. Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve ose prokurorëve, ose siç njihet ndryshe, procesi i vettingut, përbën një nga masat më të rëndësishme reformuese të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Kriteri i pasurisë vijon të jetë në mënyrë të dukshme dhe mbizotëruese si kriteri që ka penalizuar subjektet e shkarkuara nga institucionet e vettingut. Në pjesën arsyetuese të vendimeve shpesh pasqyrohet gjerësisht hetimi administrativ i realizuar nga institucionet e vettingut lidhur me këtë kriter, i fokusuar në vërtetësinë e deklarimeve të realizuara nga subjektet dhe personat e lidhur, përmbushjen e detyrimeve, ligjshmërinë e burimit të të ardhurave, evidentimit ose jo të fshehjes së pasurisë, konfliktit të interesit, etj. Por duket se KPK nuk po jep “maksimumin”. Mjafton të shohësh kalendarin e seancave dëgjimore ku nga janari deri në 30 qershor janë kryer gjithsej vetëm 60 seanca dëgjimore me një mesatare, që shkon në rreth 2.4 seanca dëgjimore në javë. Konkretisht në janar 2023 KPK kreu 6 seanca dëgjimore, në shkurt 8 seanca dëgjimore, në mars kreu 11 seanca dëgjimore, në prill kreu 14 seanca dëgjimore, në maj 12 seanca dëgjimore, në qershor 9 seanca dëgjimore. Përsa i përket vendimmarrjes së KPK gjatë periudhës janar – qershor 2023, KPK ka konfirmuar në detyrë 40 raste, ka shkarkuar nga detyra 15 raste, ka ndërprerë procesin në 7 raste dhe ka përfunduar vendimmarrjen pa vendim në 8 raste. Në 7 vite, KPK ka dhënë 674 vendime nga të cilat:

– 288 vendime konfirmim në detyrë për 146 gjyqtarë, 129 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 1 inspektor në KLGJ dhe 10 ndihmës/këshilltarë ligjorë,

– 231 vendime për shkarkim nga detyra për 135 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL, 92 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 2 ndihmës ligjorë;

– 96 vendime për ndërprerje procesi (neni G i Aneksit të Kushtetutës) për 58 gjyqtarë, 24 prokurorë, 1 ish- prokuror, 12 ndihmës ligjorë, 1 ish-inspektorë në KLD;

– 8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë (neni 56 i ligjit nr. 84/2016);

– 47 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar për 25 gjyqtarë, 16 prokurorë, 1 ish-kryeinspektor në KLD dhe 2 ish-inspektor në KLD dhe 3 ndihmës ligjor (neni 95 i Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016);

– 4 vendime për pezullimin nga detyra për 3 prokurorë dhe 1 ndihmës ligjor;

Në faqen zyrtare të KPK, për muajin gusht 2023 në kalendarin e seancave dëgjimore ka shumë pak seanca të planifikuara. Aty është e publikuar vetëm një seancë për muajin gusht 2023. Për zyrtarët shpesh ky muaj konsiderohet si “muaji apatik” i pushimeve, mesa duket edhe drejtësia do të marri pushime. / Fatjon Kaloçi