Nëse i mbajmë të gjitha shpresat tek Basha, mjerë ne për “dimrat”, që na vijnë prapa!

309
Sigal

Po ti, Lulzim Basha, PD- ja, opozita… çfarë strategjie keni për t’iu kundërvënë Ramës me shoqe e shokë? Do të bëni nga një protestë në mot apo në 2 vjet, pa ia prishur Ramës planet për të gjitha çka ba nijet??? Pandehni se mund ta rrëzoni me Godolet e të tjerë njerëz të vet??? Nëse i mbajmë të gjitha shpresat tek Basha, mjerë ne për “dimrat” që na vijnë prapa!

Nga Xhevat Mustafa

 

 

 

Nga sa e njoh unë, Lulzim Bashës nuk i bëhet keq dhe nuk i mbetet hatri të kritikohet, me fakte, argumente, logjikë, edukatë! Por, nuk është as e drejtë, as shprehje respekti dhe edukate, as e justifikueshme, që të fyhet dhe denigrohet, për subjektivizëm apo fryerje e kurdisje nga jashtë PD- së! Gjithashtu, nuk është as e drejtë dhe e ndershme që të vihen vetëm mbi supet e tij të gjitha gabimet, të metat, dështimet kolektive, institucionale partiake në këta 30 vjet! Ndihmuar edhe  nga kritikat e sinqerta dhe dashamirëse të demokratëve  të vërtetë dhe konseguentë, ai ka pasur burrërinë, që i ka njohur dhe pranuar disa nga gabimet, humbjet dhe përgjegjësitë e tij, aq sa i takojnë drejtpërdrejtë, individualisht dhe institucionalisht, si kryetar i PD-së dhe si lider i “opozitës së djathtë”, në periudhën 2013-2021. Por, nga sa lë të kuptohet, këtë proçes vetë analize, vetë reflektimi dhe vetë korrigjimi, pa apo me dëshirë, pa apo sipas një “këshillle” nga Tirana apo nga shumë larg Shqipërisë, ai e koncepton dhe po e kryen me hapa kërmilli. Prandaj, është koha që shumë më tepër se nga Basha, të kërkojmë dhe presim nga vetvetja, si shumicë e qytetarëve demokratë, opozitarë, të shoqërisë civile apo e “popullit të pavarur, jo partiak”. E keqja jonë, që na ka ndëshkuar prej më shumë se një shekulli dhe vazhdon të na ndëshkojë është se ne jemi mësuar keq, ndoshta qysh nga koha e Skenderbeut. Pa menduar aspak të ul rolin e tij vendimtar dhe historik në epopenë 25 vjeçare, që u shkrua sa qe gjallë ai në betejat e pabarabartë me ushtritë turke, nuk ishte dhe nuk është e saktë që kjo është meritë eskluzive e mendjes, krahut dhe shpatës së Skendërbeut.

Kjo mendësi vazhdoi edhe në kohën e Ismail Qemalit, duke e ia faturuar atij veprën historike mbarë kombëtëtare të shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912. Edhe Ahmet Zogu pati fatin dhe diti ta gëzonte e shfrytëzonte këtë traditë apo mentalitet. Për 40 vjet kjo i shërbeu më së miri edhe mjeshtrit për hipokrizi, demagogji, mashtrime, Enver Hoxhës! Të gjitha hapat e breshkës që bënim përpara, duke i reklamuar si hope gjigande; edhe kur përditë e më tepër na nxihej jeta dhe Shqipëria, nga eksperimentet dhe marrëzitë e tij të qëllimshme, antishqiptare dhe antinjerëzore, përsëri, shumica si popull ia dedikonim “largpamësisë” dhe “gjenialitetit” të tij, kur në të vërtetë ishte vetëm një shkollëmesëm, me diplomën e liceut francez të Korçës dhe monstër për nga shpirti. Pas 1990-tës, krijimin e PD-së, të opozicionit dhe të pluralizmit, fitoren e PD-së më 22 mars 1992, i personalizuam tek emri, roli, figura e Sali Berishës, duke “harruar” se kthesat e mëdha historike e politike, pa mohuar dhe nënvleftësuar rolin e ndjeshëm të liderëve, janë vepra të shumicës së popujve, domethënë kanë karakter masiv kombëtar e qytetar…Është lehtësisht e kuptueshme se liderët, sado gjenialë të jenë, nuk mund të bëjnë historira dhe mrekullira pa pasur prapa ushtri popujsh dhe qytetarësh…Edhe në këto 8 vjet, fatet e opozitës, rikthimin e saj në pushtet, nëpërmjet zgjedhjeve me të vërtetë të lira, të ndershme, demokratike, i kemi lënë në duart e Lulzim Bashës. Sipas kësaj tradite apo sipas këtij mentaliteti, që vetëm na kanë ndëshkuar, “kemi harruar dhe vazhdojmë harrojmë” se Skënderbeu, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enveri, Ramizi, Fatosi, Saliu, Edi, Luli…ishin dhe janë individë dhe jo Perëndi dhe gjeni. Aq më tepër që, me përjashtim të dy të parëve, për të tjerët më pas, nuk mund të viheshin dhe të të vihen edhe sot duart në zjarr për ndershmërinë, sinqeritetin, seriozitetin, devotshmërinë…e tyre për të mos i ndarë fjalët e bukura, marramendase si drogërat, nga veprat që kryenin dhe linin pas, mbi supet e në zemrat tona, në xhepat, kuletat, raftet, frigoriferët, tavolinat e ngrënies të shumicës sonë si popull. Basha i vetëm, me aq kapacitete, aftësi, pjekuri, kurajo, vendosmëri sa ka shprehur në këta 8 vjet; me atë natyrë të brishtë apo “të sfungjertë” që ka, me atë “ekip”, që nuk ta mbush fort syrin dhe mendjen,  krijuar,  sipas vizionit dhe “shijes” së tij dhe që po e drejton jo me largpamësi drejt një qëllimi të mjergullt apo një tymnaje inceratorësh, nuk mund të bëjë më shumë se sa ka bërë deri më sot. Ndoshta aq di e aq bën. Nuk mund të kundërshtohet prerazi edhe opsioni që qarkullon nëpër popull se bën aq sa “i këshillohet dhe lejohet”. Nëse populli duron “si gomari” gjithçka i bën Rama, duke u ngujuar 10-12 orë kafeneve dhe qebabtoreve, duke u mbllaçitur pa kujdes dhe duke  u rrëshqitur yndyra pështirshëm, deri tek mjekrrat; duke parë telenovela turke me sulltanë e sulltanesha, me  vezirë e pashallarë, me Osmanë dhe Mustafarë; me koka njerëzish të prera si koka qingjash dhe kecash; me hareme dhe hamame…, Basha i vetëm nuk mund ta rrëzojë Ramën, me ortakëri oligarkinë dhe mafian shqiptare dhe ndërkombëtare, bosët e drograve e të krimit, Sorosët, disa ambasadorë ndërkombëtarë…! Francezët, italianët, kanadezët, britanikët, australianët…nuk i kanë ngritur partitë e opozitës kundër masave të pandemisë dhe Macronit, Draghit, Trudeaus, Xhonsonit, Scott Morrison-it,  por ndërgjegja dhe revolta e vet qytetare! Fatmirësisht, pa dëshirë e nga paaftësia, edhe gjatë këtyre 8 vjetëve Rama “u ka falur” shumicës së shqiptarëve shumë shkaqe, arësye, argumente për t’u  ngritur kundër tij dhe qeverisë së tij, ndër më të korruptuarat në botë, por që, fatkeqësisht nuk janë shfrytëzuar deri më sot, si dhe sa duhet. Mjafton të kujtojmë se në krahasim me 2013- të e atij “Berishës së keq” çmimet e artikujve kryesorë të ushqimit, zarzavateve, frutave, mishrave, sallamrave, bulmetrave, mjaltit, vezëve, biletave të avionëve, të paketave të celularëve, internetit, kafe e, lëngjeve të frutave, vaji i të ullirit dhe të lulediellit…janë dyfish më të lartë. Së shpejti do të ketë një valë të rritjes, përfshirë edhe bukën!  Francezët u ngritën para rreth 1 viti vetëm për rritjen e çmimit të karburantit me 10 cent dhe u vunë flakën disa lagjeve të Parisit, Marsejës, Lionit, Lilës…Shumë e kanë në gojë justifikimin:”nuk jemi francezë e gjermanë”! Por, nëse nuk bëhemi si ata, të paktën të mësojmë e marrim përvojë prej tyre. Shumica presin që Lulzim Basha me ekipin e tij t’u shkojë shtëpi më shtëpi, kafe më kafe, lulishteve, plazheve…e t’u lutet: “amani, ngrihuni kundër Ramës se po ju nxin jetën dhe Shqipërinë? Ndërsa, në të kundërtën, do të ishte më e mirë që të shkonin shumica e qytetarëve tek godina e PD- së. Ose ta ftonin Bashën që t’i udhëhiqte, ose ta nxirrnin për krahësh e ta vinin në krye të turmës së tyre; ose ta pështynin në fytyrë nëse nuk lëvizte prapanicën nga kolltuku! Përse jo, edhe ta mbërthenin përkrahësh e këmbësh dhe ta hidhnin në…Lanë, nëse nukdotë pranonte asnjërën nga kërkesat e tyre!

Ndërsa gjendja ekonomiko-sociale dhe politike në vend përkeqësohet dhe Rama-partia-qeveria “tërbohen” dhe bëhen më të pandjeshëm, më paskrupullt, më provokues e më të papërmbajtëshëm, duket se Lulzim Basha personalisht dhe nën shembullin apo ndikimin e tij, edhe gjithë ekipi që ka nën vartësi, nuk po tregojnë se po e vënë ujët në zjarr dhe se kanë ndërmend të organizojnë një kundërvënie frontale, të ashpër e të vendosur kundër pozitës, apo më saktë kundër pseudoqeverisë Rama 3, ngjashëm me një krijesë laboratori, si virusi i Ëuhanit, Covid 19. Më shumë të ftohte e të nervozonte se sa të ngrohte e të përcillte interes dhe ndonjë fije shpresë deklarata e liderit të PD-së, Lulzim Basha,. më 2 shtator 2021, me rastin e shpalljes nga Edi Rama të qeverisë së tij të tretë, edhe më kukull dhe “të paaftë” se dy qeveritë e mëparshme. Në fund të fundit, Edi Rama, bëri detyrën apo misionin e vet dhe kënaqi egon e vet, ortakët, Sorësët at e bir, duke e sajuar qeverinë me 12 gra dhe 4 burra, me shumë gjasa si në asnjë vend tjetër në botë, duke e bërë Shqipërinë, ashtu Enveri, “fanar ndriçues” apo “shembull unikal” në botë.

Ai e bëri qeverinë si deshi dhe do të vazhdojë të bëjë edhe “kryevepra apo gjëma” të tjera gjatë mandatit të tretë! Po ti, Lulzim Basha, PD- ja, opozita… çfarë strategjie keni për t’iu kundërvënë Ramës me shoqe e shokë? Do të bëni nga një protestë në mot apo në 2 vjet, pa ia prishur Ramës planet për të gjitha çka ba njet??? Pandehni se mund ta rrëzoni me Godolet e të tjerë njerëz të vet??? Nëse i mbajmë të gjitha shpresat tek Basha, mjerë ne për “dimrat” që na vijnë prapa!