Prof. Dr. Qemal Lame: Dështimi i misionit amerikan në Afganistan

321
Sigal

Më 30 gusht 2021, trupat amerikane u larguan nga Afganistani, një ditë para marrëveshjes me talebanët. Më të fituara dalin Kina e Rusia. Vetëm ambasadat e tyre u hapën.

Presidenti Joe Biden në fjalimin e tij mbrojti tërheqjen. Me këtë rast, si dhe pas kaosit dhe skenave katastrofike në kryeqytetin afgan Kabul, i cili ra nën kontrollin e talebanëve, në 15.08.2021, Biden dha një interpretim të ri të misionit amerikan në Afganistan dhe vende të tjera ku Uashingtoni ka vendosur të mbikqyrë kalimin në demokraci. Së pari, ushtarët amerikanë “nuk mund dhe nuk duhet të luftojnë dhe të vdesin në një luftë që vetë forcat e armatosura afgane nuk janë të gatshme ta bëjnë”. Së dyti, Biden ripërcaktoi misionin amerikan, duke thënë se misioni kishte për qëllim vetëm mbajtjen e Amerikës të sigurt pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Së treti, SHBA kurrë nuk e kishte synimin për të ndërtuar një shtet ose për të krijuar një demokraci në Afganistan.

Me këtë riinterpretim të misionit të politikës së jashtme dhe atë ushtarake amerikane, i cili shpreh një vetëpërmbajtje të re, jepen mesazhe të qarta për politikën amerikane dhe atë ndërkombëtare.

  1. Në radhë të parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë forca më e fuqishme ushtarake e kohës sonë. Përfundimi i luftës dhe tërheqia nga Afganistani ishin vendimi i domsodoshëm që kërkohej të merrej për interesat e sigurisë amerikane, rajonale dhe globale për të ndalur një luftë që nuk kishte arësye të vazhdonte më tej.Tërheqja vjen gjithashtu në një kohë kur amerikanët po mendojnë intensivisht për veten e tyre.
  2. Ka dallime midis tërheqjes ameriakne dhe asaj ruse. Bashkimi Sovjetik gjithashtu zhvilloi një luftë shkatërruese në Afganistan nga 1979 në 1989. Kur u tërhoq në 1989, ajo nuk e bëri këtë thjesht ,sepse nuk mund ta fitonte luftën. Tërheqja e tyre erdhi në një kohë kur BRSS ishte në krizë të thellë të brendshme dhe njerëzit ishin shumë të zhgënjyer në vendin e tyre. Në gjithë vendet ish socialiste kërkohej ndryshimi i sistemit politik e shoqëror.

Strategjia e Bashkimit Sovjetik dhe strategjia e amerikanëve ishin të ngjashme: të dy donin të fitonin “zemrat dhe mendjet” e popullit afgan. Propogandohej se vlerat e sovjetikëve ishin “socializmi”, “barazia” dhe “zhvillimi”, ndërsa fraza tërheqëse perëndimore ishte se SHBA ishte “demokraci”. Përveç aksionit ushtarak, vendet e ndërtimit në të cilat shkollat ​​dhe spitalet u rritën nga toka dukeshin çuditërisht të ngjashme. Nuk ishte ndryshe as me programet universitare për mijëra studentë, me armët për forcat e armatosura ose me koncertet, bibliotekat dhe muzetë për inteligjencën.

3.Nuk mund të vazhdohet një luftë kur nuk mbështetet gjerësisht nga populli dhe kur dëmtohen interesat politike, ekonomike e shoqërore. Është e vështirë të pushtosh zemrat dhe mendjet e një kombi të huaj kur brenda vendit krijohen pakënaqësi në zemrat dhe mendjet e njerëzve.

4.Ndryshimet pas Luftës së Dytë Botërore, nuk duheshim marrë si model për ndryshime në botën arabe pas gjashtëdhjetë vjetësh.Administrata e George Ë. Bush kishte, natyrisht, një motiv tjetër për të pushtuar Afganistanin. Nuk kishte të bënte vetëm me ndëshkimin e atyre që ishin përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit dhe bindjen e amerikanëve se ata do të mbroheshin nga sulmet në të ardhmen. Motivimi i dytë i Bushit ishte të ndryshonte gjendjen politike e ushtarake në pjesën e botës së tensionuar nga zhvillimet e papritura e kërcënuese të grupimeve terroriste, të shkatërronte rrënjën e rrezikut të islamizmit radikal, të parandalonte gaditje të tjera dhe të hiqte rrezikun potencial nga SHBA dhe aleatët perëndimorë.

Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar lindi idenë e një Lindjeje të re të Mesme që do t’i bashkohej rrethit të demokracive dhe aleatëve pro-perëndimorë. Në fillim të shekullit 21 Amerika kishte arritur kulmin e fuqisë së saj. Shtetet e Bashkuara kishin dalë fituese nga Lufta e Ftohtë dhe nuk kishin më asnjë rival. Me tërheqjen e tanishme nga Afganistani, si dhe më parë nga Iraku, ata konkretisht pranojnë se është e pamundur të arrihet mrekullia e demokracisë vetëm përmes ndërhyrjes së jashtme.

Administrata e Bushit, e cila filloi të dy luftërat, u bazua në përvojat e presidentëve të mëparshëm, të cilët kishin vëzhguar transformimin e regjimeve totalitare në Gjermani dhe Japoni pas Luftës së Dytë Botërore. Krahasimi i situatës pas vitit 1945 me situatën aktuale ishte një gabim i madh politik dhe ushtarak. Gjermania, Austria, Italia dhe Japonia ishin vendet e mundura  dhe ju nënshtruan pasojave të rënda të vendosura nga Aleanca Antifashiste. Para se të mbizotëronin regjimet totalitare dhe pas shkatërrimit të tyre, ato kishin traditën e shtetit dhe të institucioneve demokratike. Megjithse në disa drejtime mbeteshin pas vendeve të tjera, ato ishin shoqëri tërësisht moderne me sisteme ligjore funksionale dhe përvojë të gjerë në rindërtimin e institucioneve të tyre parlamentare dhe demokratike, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rivënien në funksionim të industrisë dhe zhvillimin gradual ekonomik me ritme të larta. Nuk kishte domosdoshmëri për një rrugë të re “të drejtë”. Natyrshëm, ato u ridrejtuan përsëri në rrugën e mëparshme. Nuk ka një histori të tillë në Lindjen e Mesme. Me disa përjashtime, fakt është se të gjitha eksperimentet e modernizimit në rajon me sistemet politike të imponuara kanë dështuar, pavarësisht nga emërtimet si monarkitë laike, regjimet ushtarake socialiste (të dyja u tentuan në Afganistan para ndërhyrjes së SHBA) ose demokracitë islame, përfshirë Pranverën Arabe kryesisht të pasuksesshme.

Zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore evidentojnë se këto eksperimente në Lindjen e Mesme e bëjnë të qartë se kushdo që beson se mrekullitë demokratike mund të veprojnë pak a shumë në çdo vend nëse vijnë nga jashtë dhe thjesht bëni përpjekjen e duhur është i gabuar. Rezultati nuk është Japonia, por Afganistani. Mrekulli të tilla funksionojnë vetëm nga brenda shteteve dhe shoqërisë që do ndryshime demokratike dhe përkushtohet në të ardhmen më të mirë. Mënyra për të arritur atje është zakonisht e gjatë dhe me reforma të thella e të gjithashme për institucionet shtetërore, organizimin e zhvillimin e ekonomisë dhe ndërgjegjësimin e njerëzve për reformat dhe të ardhmen e përbashkët.

Misioni dhe dështimet e SHBA dhe Rusisë janë të ndryshme. Nuk është e drejtë të thuhet se dështimi ameriakn është një fitore për rusët. Ata që do të donin ta shndërronin çdo dështim të Perëndimit në një fitore për Rusinë, janë gjithmonë të etur për të zënë hapësirën e lënë në hartë për veten e tyre. Përvoja tregon se në shumicën e rasteve ata së shpejti do të shkojnë drejt një defekti të ngjashëm. Këtë përfundim, duhet të ketë të qartë sidomos politika e Kinës e cila është bërë më aktive në mbështetjen e talibanëve dhe premtimet për ndihma.

Tërheqja nga Afganistani nuk do të thotë që Perëndimi do të heqë dorë lehtësisht e përfundimisht nga ky vend ose nga pozicionet e tij diku tjetër edhe nëse nuk ka luftuar atje për njëzet vjet. Pasi arritën të eleminojnë al-Kaedën, SHBA nuk kishte më asnjë interes të rëndësishëm në Afganistan që duhej ta kishte mbrojtur maksimalisht. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka interesa të tillë diku tjetër dhe nuk sillet në të njëjtën mënyrë si në Afganistan ose në rajone të tjera si ka ndodhur më parë.Sapo të krijohet mundësia për të rikthyer prestigjin e humbur si një fuqi dhe aleate mbrojtëse, SHBA mund të veprojnë me një forcë të përtërirë.

Gjithashtu e rrezikshme është të fërkosh duart me gëzim dhe të simpatizosh, edhe pse pa dashje, talebanët përballë humbjes së një rivali gjeopolitik. Shumë komentues në Rusi dhe Ukrainë përpiqen të transferojnë logjikën e asaj që ndodhi në Afganistan në vendet më afër shtëpisë së tyre, ose ata parashikojnë që amerikanët të largohen nga Kievi, pasi ata tani po largohen nga Kabuli, ose të parashikohet që rusët të tërhiqen nga Donesku. Këtë llogjikë e kanë edhe politikanët serbë. Edhe ministri serb i Mbrojtjes, Vuliç, theksoi se në rast se tërhiqen amerikanët nga Kosova, do të rikthehet Serbia!

Islamistët militantë në botën arabe dhe madje edhe kokat më të nxehta post-sovjetike, është e nevojshme të kuptojnë se qëndrimi i tyre anti-amerikan nuk i bën automatikisht talebanët miq të Moskës dhe fqinjëve të saj të Azisë Qendrore. Rikujtojmë se regjimi i mëparshëm taleban në Afganistan ishte qeveria e vetme në botë që njohu Republikën Çeçene të Ichkeria kur rajoni i shkëputur rus e shpalli veten një shtet nën Shamil Basayev dhe Aslan Maskhadov.

Rusia tani do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë të ketë marrëdhënie të mira me talebanët ose, siç bëri në vitet 1990, të mbështesë aleatët e saj tradicionalë në Afganistanin verior, Uzbekët dhe Taxhikët Afganë, të cilët tashmë po tregojnë shenjat e para të rezistencës, kanë marrë kontrollin e tre provincave veriore dhe deklarojnë se do të rimarrin pushtetin. Talebanët nuk do të heqin dorë nga dyshimet se Rusia po vepron kundër tyre në veri.

Ridimensionimi i politikës së brendshme dhe asaj gjeopolitike amerikane si dhe i Nato-s kanë arësyet pozitive. Nëse Perëndimi në të vërtetë frenon dëshirën e tij për të riformuar shoqëritë e tjera nga jashtë sipas vlerave dhe institucioneve të veta, kjo do të hapë mundësi të reja për politikat nacionale,nuk do të konsideroheshin më si truke dhe kurthe gjeopolitike nga një fuqi e huaj që dëshiron të zgjerohet, por si instrumente të rëndësishëm për zhvillimin e tyre shoqëror dhe modernizimin e brendshëm.