Lulzim Basha:Qëllimi im është të ringrejmë PD-në

544
Sigal

*kandidat për Kryetarin e PD-së

Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shpallur dje  zyrtarisht kandidaturën për kreun e PD-së, pas dorëheqjes së Sali Berishës. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, kryebashkiaku Basha vlerësoi lidershipin Berisha, duke theksuar ai është i pazëvendësueshëm, pasi ai mbetet lideri historik.

Një javë më parë nga kjo foltore, Kryetari i PD-së, Kryeministri Sali Berisha iu drejtua demokratëve dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, me një mesazh, të cilin jam i bindur që ju, ashtu si unë, kemi uruar me gjithë shpirt të kishte qenë tjetër. Këto kanë qenë ditë të një reflektimi të thellë për ne demokratët dhe gjithë mbështetësit tanë, anembanë vendit. Kam parë dhe prekur hidhërimin për humbjen, në sytë dhe duart e qindra mbështetësve tanë të palodhur. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, zhgënjim e madje, edhe zemërim, për një rezultat të cilin askush prej nesh nuk e përfytyronte, vetëm pak ditë më parë. Kam ndjerë po kështu, në shtrëngimin e çdo dore, vendosmërinë për t’u ringritur, kam lexuar në sytë tuaj forcën për t’u përballur me sfidat që na presin dhe kam dëgjuar nga zemrat tuaja, thirrjet për të nisur të gjithë së bashku, plot shpresë, besim dhe energji, një fillim të ri në rrugën drejt rikthimit si maxhorancë! Sot, familja e madhe e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Tani është momenti që çdo anëtar i saj, çdo demokrat dhe demokrate, të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet maksimal për këtë fillim të ri.  Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të PD-së dhe pas një bisede me Kryeministrin Berisha, jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjella të jetës time, vendimin për të kandiduar për Kryetar i PD-së. Jam thellësisht i vetëdijshëm, se sa përgjegjësi e madhe është të kandidosh për kreun e një partie që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka ndryshuar historinë e Shqipërisë së re, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka pasur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos, për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, me gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, me gjithë popullin shqiptar. Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historik dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegjja e Partisë Demokratike, por misioni i lirisë dhe Shqipërisë së zhvilluar evropiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment. Detyra që na pret nuk është e lehtë, sfidat janë të mëdha, por gjatë gjithë rrugës tonë 23- vjeçare, ne kemi treguar se kemi qëndruar dhe nuk jemi tjetërsuar as në ditët më të errëta, kemi shpresuar dhe besuar dhe nuk jemi tërhequr, kemi fituar dhe kemi arritur t’i kthejmë ëndrrat e shqiptarëve, në projekte dhe projektet në vepra. Ndaj sot, i vetëdijshëm për trashëgiminë tonë të vyer, plot bindje në vlerat e të sotmes, ju ftoj të ecim së bashku drejt projektit të së ardhmes tonë, drejt fillimit të ri, projektit të ringritjes dhe fitores. Në projektin tonë të fillimit të ri, PD-ja duhet dhe do të mbështetet fort tek ju, anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar ndër vite, burra dhe gra gjigandë në kontribute dhe sakrifica, modestë dhe të heshtur në kërkesa dhe përfitime. Për mua, në pikënisje dhe themel të fillimit tonë të ri, duhet dhe do të jetë ndjeshmëria absolute për zërin tuaj dhe përgjegjshmëria e lartë për ta dëgjuar, respektuar dhe kthyer atë në moto të veprimit tonë politik. PD-ja duhet dhe në pikëpamjen time do të ndërtojë një sistem të qartë dhe transparent të meritës dhe kreditimit për kontributet e çdo anëtari. Kësaj duhet t’i paraprijë një analizë e drejtë, e vërtetë dhe me përgjegjësi, para dhe pas çdo procesi zgjedhor. Kjo kërkon evidentimin e plotë të gjithë potencialit tonë njerëzor, të të gjithë kontributit historik të anëtarësisë tonë në vite dhe angazhimin pa asnjë hezitim, pa asnjë pengesë të këtij potenciali, i cili i vënë në punë me efiçencë, përbën një forcë të pathyeshme njerëzore, siç demonstrojnë edhe fushatat tona fituese. Dhe në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek përvoja e çmuar e dhjetëra drejtuesve të PD-së sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek lidershipi historik i Sali Berishës, që është një pasuri e paçmueshme për PD-në dhe projektin tonë të fillimit të ri. PD-ja lindi si bartëse e aspiratave të çdo shqiptari për liri, demokraci dhe zhvillim. Lidhja e saj me qytetarët shqiptarë është një lidhje ndërsjelltasi e pagëzuar nga besimi i qytetarëve dhe premtimet e mbajtura të saj. Unë besoj fort dhe do të punoj, që PD-ja të vazhdojë të jetë partia e zërit të qytetarëve shqiptarë, përfaqësuesja më e denjë e interesave të tyre. Në vizionin tim, një vend të posaçëm duhet të ketë zëri i atyre që u përballën dhe sakrifikuan në vite, për të ruajtur të paprekur idealin e lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor, besimit në Zot dhe paprekshmërinë e pronës dhe në veçanti PD-ja e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë do të vazhdojë të jetë përçuese e ëndrrave dhe dëshirave të të rinjve. Së bashku me ta, kemi fituar ngaherë. Së bashku me ta, do t’i japim krahë fitores tonë të ardhshme. Ne do të ndërtojmë instrumentet dhe forumet e një komunikimi dhe bashkëpunimi të hapur dhe të përhershëm me shoqërinë civile, botën akademike, sipërmarrësit shqiptarë të biznesit të vogël dhe te mesëm dhe gjithë grupet e tjera te interesit.  Në vizionin tim, kjo është një vlerë e shtuar dhe garanci për suksesin e projektit tonë të fillimit të ri. Unë do të punoj fort, që Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe gjithë potenciali i saj njerëzor të angazhohen në një opozitë të fortë, gardiane e pakompromistë e interesit publik. Ne do të vigjilojmë me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim, për mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike nga arbitrariteti dhe abuzimi me pushtetin. Një tjetër shtyllë e rëndësishme e aksionit tonë politik janë dhe përfaqësuesit tanë të zgjedhur të pushtetit vendor. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me ta, duhet dhe do të jetë një konstante e punës tonë dhe një levë e fuqishme e projektit tonë të ri politik. Unë do të përkushtohem për një bashkëpunim të hapur dhe të fuqishëm, me të gjithë aleatët tanë si dhe me çdo faktor që është gati të kontribuojë sot në opozitë. E djathta e bashkuar është, besoj unë, një vlerë jo vetëm për PD-në, por për interesin publik sot dhe për rikthimin tonë si maxhorancë nesër. Trashëgimia politike e PD-së është më e vyera që ndonjë forcë ka pasur në historinë e Shqipërisë. Pluralizmi, liria, demokracia, integrimi, shteti ligjor, investimet publike, infrastruktura, arsimi, rritja e mirëqenies dhe kujdesi për shtresat në nevojë janë disa nga fushë-betejat tona, ku kemi arritur kaq shumë në këto 23 vite. Do të mbrojmë arritjet tona dhe do të luftojmë në Parlament dhe me çdo mjet tjetër, për avancimin dhe përfundimin në afat të të gjithë projekteve që ne nisëm. Mirëqenie përmes punësimit, punësim përmes investimeve, investime përmes një klime pozitive dhe më të favorshme, kjo është trashëgimia jonë. Do luftojmë me çdo mjet të ligjshëm, për të mbrojtur kuadrin ligjor që mundësoi kthimin e Shqipërisë në një vend konkurrues dhe me klimë të favorshme biznesi. Do të kontribuojmë që projekti i gazsjellësit TAP, ky sukses historik i kryeministrit Berisha, i barabartë për nga impakti ekonomik dhe strategjik me një pavarësi të dytë të vendit, të nisë sa më parë nga zbatimi PD-së është partia e interesit kombëtar dhe vokacionit perëndimor të shqiptarëve, është partia që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës. U deshën 11 vjet për hapin tjetër dhe ishte përsëri PD-ja që mundësoi Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, reformat për ftesën dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen e lirë dhe me dinjitet të shqiptarëve në Evropë. PD-ja bëri aplikimin për statusin kandidat në BE dhe përkundër luftës së paprinciptë politike të ish-opozitës, ia doli të meritonte rekomandimin e Komisionit Evropian. Pa hezituar të japim kontributin e opozitës, në procesin e reformave për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, PD-ja do të angazhohet për marrjen e këtij statusi dhe hapjen e negociatave sot dhe do të jetë PD-ja nesër në drejtim të vendit, që do ta finalizojë këtë proces që qëndron si një porosi dhe objektiv genetik i saj, anëtarësimin e Shqipërisë në BE.  Unë do të vendos të gjithë arsenalin tim,  në dobi të thellimit të bashkëpunimit me simotrat tona evropiane dhe euro-atlantike. Zëri ynë duhet dhe do të dëgjohet kumbueshëm, me fakte dhe argumente, në çdo kancelari të BE-së, vendeve anëtare dhe në çdo zyrë të miqve dhe partnerëve tanë në Vvashington dhe mbështetja e miqve tanë nuk do të mungojë, jam i bindur, si gjatë përpjekjes tonë opozitare, ashtu dhe kur projekti ynë të kurorëzohet me rikthimin tonë si maxhorancë zyrtare. Qëllimi i parë i garës së ardhshme për mua është të dalim më të bashkuar dhe më të vendosur, ndaj unë do të bëj çmos dhe kërkoj sot nga të gjithë ju vëllezër dhe motra të familjes tonë të madhe demokrate, të angazhohemi që kjo garë të jetë një shembull i asaj që ne demokratët dimë të bëjmë më mirë se kushdo tjetër.  Çdokush që e sheh këtë garë si një mundësi për të goditur, përbaltur dhe përçarë, duhet që nga ky moment të llogarisë në kundërshtimin tim të fortë dhe të prerë. Negativizmi nuk ka vend në këtë garë. Ndonëse e rëndësishme, kjo garë nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi i madh është ringritja e PD-së dhe fitorja e ardhshme. Në këtë sens, kjo garë është një mundësi e madhe dhe e bukur për gjithpërfshirje dhe bashkim forcash, mendjesh dhe zemrash. Sot 8 vjet më parë PD-ja e bashkuar dhe e ripërtërirë fitoi zgjedhjet, u rikthye me votë dhe bëri realitet transformimin më të madh në historinë e vendit. Vetëm 2 vjet më parë të bashkuar dhe me kontributin e gjithsecilit, ne fituam betejën për Tiranën. Me këtë rast dua ti garantoj qytetarët e Tiranës se përkushtimi im për të përmbushur çdo detyrim ndaj tyre dhe çdo premtim të bërë nuk do të mungojë për asnjë çast. Le të nisim pra miqtë e mi, anëtarë të familjes tonë të madhe demokrate, përpjekjen tonë, projektin tonë për një fillim të ri! Dinjitozë dhe krenarë për arritjet historike që mbajnë vulën demokrate, të vetëdijshëm për sfidat e mëdha që na presin për të rifituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, të ndjeshëm dhe me përgjegjshmëri të madhe në leximin e gjykimit dhe pritshmërive të bashkëqytetarëve tanë, por të bashkuar si kurrë më parë në vendosmërinë tonë për ta rikthyer PD-në në udhëheqje të projektit tonë historik, Shqipërisë së zhvilluar europiane.