Prof. Dr. Qemal Lame: Solz theksoi të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë

266
Sigal

Kancelari Olaf Sholz dëshmoi vazhdimësinë e politikës së suksesshme gjermane gjatë vizitës së tij në Ballkan. Ai mbështeti politikën evropiane, vlerësoi Kosovën si partner të besueshëm, kritikoi hapur qëndrimet e lëkundura të Presidentit Aleksandër Vuçiç dhe motivoi për vazhdimin e Procesit të Berlinit.

  1. Sholz me qëllime të paramenduara për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të mbartuar e filloi vizitën e tij në Ballkan në Prishtinë e pastaj në Beograd. Ai vuri në fokus përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë për anëtarësim në BE dhe arritjen e marrëveshjes, që bëhet pengesë për këtë objektiv madhor. “Marrëveshja duhet të qartësojë përfundimisht edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, që reciprokisht nuk e njohin njëri-tjerin, të bëhen anëtarë të BE-së”. Kjo deklaratë për njohjen e Kosovës shkaktoi zemërim në Beograd. Por shqetësimi është i pajustifikuar me realitetin politik, i cili është e domosdoshme të pranohet dhe të motivojë për ndryshime pozitive.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kancelari theksoi reformat për garantimin e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Scholz e vlerësoi reformën gjyqësore në Serbi duke shtuar në të njëjtën kohë se tani duhet të pasojnë hapa të mëtejshëm.

  1. Që para vizitës në Beograd Scholz-i i kishte sugjeruar Serbisë të ndryshonte kursin e saj në politikën ndaj Rusisë. Kushdo që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian duhet t’i pranojë të gjitha direktivat dhe rregullat e lidhura me të. Sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Rusisë janë një prej tyre. Në Bograd Scholz deklaroi: “Ne presim që sanksionet të zbatohen edhe nga ato vende që janë të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE”.

Vuçiq tha se Beogradi e kishte dënuar sulmin e Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe organe të tjera, por se vendi i tij ka një qëndrim të ndryshëm ndaj sanksioneve, sepse Serbia gjendet në një “situatë shumë të komplikuar” kur është fjala për furnizimin me energji. Qeveria serbe do t’u garantojë qytetarëve apartamente dhe shtëpi të ngrohta në dimër. Por këtë duan edhe shtetet evropiane, që vendosën sanksione ndaj Rusisë dhe po veprojnë për t‘u mënjanuar vartësia nga gazi rus.

Vuçiq deri më tani nuk ka ndryshuar kurs. Serbia duhet të përkrahë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të dënojë krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë, të pranojë përgjegjësinë për genocidin në Kosovë dhe rolin çlirimtar të Nato-s në dallim nga agresioni i Rusisë në Ukrainë. Serbia duhet t’i japë fund politikës së luhatjes dhe të vendosë: a dëshiron të shkojë kah Rusia apo është vërtet e interesuar të antarësohet në BE. Në planin afatgjatë nuk ka kuptim të lidhet me Rusinë dhe të blejë armë nga Rusia dhe Kina. Në Serbi ka edhe shumë kompani që janë pronë e Rusisë. Do të ishte e rëndësishme që këto kompani ose këta individë të përfshiheshin në listën e sanksioneve, siç ndodh në të gjitha vendet e tjera të BE-së.

Në marrëdhëniet me Kosovën është e rëndësishme që të intensifikohet dialogu. Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të vazhdojë të konsiderohet një kandidate serioze dhe e besueshme për anëtarësim në BE. Shqetësuese mbeten edhe fjalët e presidentit Vuçiq, kur ai u betua pas zgjedhjeve, se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Si mjet presioni mund të përdoren burimet financiare. Nëse Serbia vazhdon politikën e saj luhatëse e largohet gjithnjë e më shumë nga demokracia, atëhere duhen marrë masa për ngrirjen e fondeve dhe paralajmërimit e deri të pezullimit të negociatave të pranimit në BE. Sigurisht që edhe Kosova duhet të afrohet me Serbinë dhe të mënjanohen me mençuri e në kohë reagimet negative si ndodhi për shembull, mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Këto varen kryesisht nga Serbia që kërkon të imponojë në forma të ndryshme politikën e saj dhe të anashkalojë sovranitetin shtetëror të Kosovës. Asnjë shtet nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve për pakicat kombëtare në shtetet e tjera. Të dyja palët duhet të lëvizin drejt njëra-tjetrës. Megjithatë, është e rëndësishme që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet një perspektivë e qartë evropiane. Është e pakuptueshme, se pse Maqedonia e Veriut të mos fillojë negociatat e anëtarësimit me BE-në, sidomos pas ndryshimit të emrit. Kosova ka plotësuar me kohë kushtet për liberalizimin e vizave dhe nuk ka arësye të zgjatet më tej marrja e vendimit nga BE. Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e bisedimeve.

  1. Është në interesin evropian dhe euroatllantik që të kemi paqe në Ballkanin Perëndimor. Serbia është një partner shumë i vështirë për Bashkimin Evropian dhe posaçërisht për Kosovën për shkak të historisë dhe fqinjësisë problematike. Ajo nuk është e përfshirë vetëm në konfliktin e Kosovës, por edhe në tendencat separatiste në Republika Sërpska. Prandaj duhet ta bëjmë të qartë se nëse duam të mbetemi të bashkuar dhe të kemi paqe e siguri dhe të respektojmë të drejtat e njeriut në kontinentin evropian, vendet kandidate duhet gjithashtu të përfaqësojnë vlerat evropiane.

Procesi i Berlinit, që lidhet me emrin e zonjës Merkel sigurisht që ka sjellë përparim në rajon. Bashkëpunimi me Komisionin Evropian është gjithashtu një trashëgimi e rëndësishme nga koha e zonjës Merkel në detyrë. Çdo gjë që forcon tregtinë ndërrajonale dhe ekonominë ndërrajonale për të mirën e të gjithë partnerëve është e mirë. Pra, edhe nisma e Ballkanit të Hapur është një alternativë, një element pozitiv. Por nuk duhen anashkaluar mungesa e njohjes së ndërsjelltë, mosbesimi dhe përvoja e hidhur e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.

Bashkimi Evropian është e domosdoshme të heqi dorë nga parimi i unanimitetit dhe të mos pengohet në marrjen e vendimeve me të drejtën e vetos. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk arrijnë të kenë politikë të njejtë për zgjerimin dhe ndryshohen standartet për të përfituar kohë për interesa të njëanëshme politike. Bashkimi Evropian është e domosdoshme të qartësojë politikën e zgjerimit, të ketë standarte të përcaktuara, besimin për rajonin për anëtarësimin e plotë dhe të mos bëjë premtime, që nuk i mban. Bashkimi Europian është në pamundësi të përcaktimit të afateve të anëtarësimit. Prandaj ka dështuar politika “e gjitha ose asgjë”, apo “një afrim dhe mos anëtarësim”. Është një ndryshim ideja e një bashkësie të zgjeruar politike në krah të BE, por jo në BE.Por kjo do të thellonte më tej rënien e interesimit për bashkësinë. Nuk inkurajon as ideja që të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’u thuhet nëse kushtet plotësohen, atëherë të paktën do t’iu bëjmë pjesë të hapësirës ekonomike europiane. Një ide e tillë, e paraqitur sërish së fundmi nga Presidenti francez dhe gjithashtu nga të tjerë, mund të jetë vetëm një hap i ndërmjetëm. Ne duhet të konsiderojmë modele, në të cilat këto shtete të mund  të miratojnë pjesë të legjislacionit evropian, sidomos atë të tregut të brendshëm, dhe kështu mund të përfitojnë edhe nga avantazhet ekonomike të BE-së, pa u bërë anëtar me të drejta të plota. Pra, jo në asnjë mënyrë një klub i veçantë i fqinjëve të vështirë. Anëtarësimi në tregun e përbashkët është një hap drejt anëtarësimit të plotë dhe jo një zëvendësim i anëtarësimit të plotë.

Ballkani Perëndimor është në Evropë dhe shtetet e rajonit kërkohet të anëtarësohen konkretisht në BE. Ata janë në pritje që nga viti 1990 dhe duhet të motivohen. Në rast se bashkësia nuk do të qartësojë politikën e zgjerimit, atëhere politikat rajonale do të marrin orientime të tjera. Rritja e ndikimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e dobishme për aleancën euroatllantike. Ndërsa ndërhyrjet e Rusisë dhe Kinës kanë rrezikun potencial të rikthimit të tyre dhe të ndryshimit të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë së rajonit. Shpresojmë në vendime motivuese deri në fund të qershorit nën Presidencën Franceze.

 

 

12 qeshor 2022   17:13