Edmond Spaho: Pyetjet që vënë me shpatulla për muri Ministrin e Energjisë

691
Nuk ka nevojë të jesh ekspert i ekonomisë për të kuptuar që viti 2014 ka qenë dështim për Qeverinë dhe ekonominë shqiptare. Mjafton t’i referohesh katër treguesve:
1. Të ardhurat e mbledhura në 2014 janë 7 miliardë lekë më pak se planifikimi. Tatimet dhe Doganat kanë mbledhur 253 miliardë lekë nga 260 miliardë lekë të planifikuara. Ky rezultat arrihet në kushtet kur taksat gjatë vitit 2014 u rritën me 220 milionë USD, çmimi i energjisë elektrike u rrit dhe plani i mbledhjes së të ardhurave u korregjua dy herë në ulje.
2. Shpenzimet gjatë 2014, pavarësisht se janë më të ulta se planifikimi, janë rritur me 11.3 % në krahasim me vitin 2013. Të ardhurat për të njëjtën periudhë janë rritur me 10 %. Ritmi i rritjes së shpenzimeve është mbi 1 % më i lartë se i të ardhurave.
3. Shpenzimet kapitale nga 66 miliardë lekë të planifikuara janë realizuar 60.7 miliardë lekë ose 8 % më pak se plani. Ato janë 7.2 % më pak se realizimi i vitit 2013. Në 2013 u realizuan 65.4 miliardë lekë investime publike.
4. Deficiti buxhetor është rritur me 5.2 miliardë lekë më shumë se viti 2013 ose 7.8 % më shumë. Nga 66.9 miliardë lekë në vitin 2013 deficiti buxhetor në vitin 2014 ka shkuar në 72.1 miliardë lekë.
Katër treguesit e mësiperm e definojnë qartë sjelljen e qeverisë gjatë viti 2014 si: E pazonja të mbledhë mjaftueshëm të ardhura; e aftë të shpenzojë më shumë se sa ka takatin; e pa aftë të kuptojë se nuk duhet të shpenzojë në konsum por në prodhim që të hapen vende të reja pune e të krijohen premisa për rritje të mëtejshme ekonomike dhe e papjekur kur financon shpenzimet jo prodhuese nëpërmjet huamarrjes dhe rritjes së borxhit duke e çuar vendin drejt thellimit të gropës financiare dhe kolapsit.
Problemi vjen e ndërlikohet kur konstaton se edhe gjatë 2015 sjellja nuk ka ndryshuar. Para dy-tre ditësh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë paralajmëroi se inflacioni është i ulët, konsumi ka rënë dhe rritja ekonomike është e pamjaftueshme. Vendi ka nevojë për reforma strukturore të cilat qeveria nuk di dhe nuk do që t’i bëjë. Duke qenë se raporti i KLSH për vitin 2014 trajton gjerë e gjatë çështjen e ÇEZ po parashtroj disa mendime në lidhje me të:

Rasti më i madh korruptiv
1. Pas deklarimit të firmës së huaj avokatore që mbronte Qeverinë Shqiptare në arbitrazhin ndërkombëtar në një çështje tjetër që lidhet me ÇEZ, se marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të problemeve midis Qeverisë Shqiptare dhe ÇEZ përbën ndoshta rastin më të madh korruptiv të gjithë tranzicionit shqiptar, doli raporti i KLSH ku pretendohet se kjo marrëveshje i ka shkaktuar shtetit shqiptar humbje prej 480 milionë euro. Me daljen e raportit të KLSH e gjithë maxhoranca nxitoi ta deklarojë atë raport politik, se KLSH është zgjatim i SHQUP-it, se Kryetari i KLSH është propozuar në këtë detyrë nga Berisha, madje edhe ditën e enjte në parlament Ministri Gjiknuri e quajti raportin paçavure pa u ndalur asnjë sekondë të vetme në çfarë shkruhet në raport dhe si i rrëzon ai argumentet e KLSH. Ministri Gjiknuri kur ka mbrojtur marrevëshjen në Komisionin e Ekonomisë dhe në seancë plenare në parlament ka deklaruar se mundësitë për të fituar arbitrazhin me ÇEZ në Vjenë kanë qenë zero, madje ne mund të ngarkoheshim me penalitete të rënda. Për këto pretendime Ministri nuk ka paraqitur asnjë dokument veç fjalës së tij të cilën ne duhet ta besojmë. KLSH pretendon të kundërtën dhe paraqit dokumente ku padia e ÇEZ ndaj Qeverisë Shqiptare është vlerësuar nga firma DERAINS & Gharavi, e cila i ka bërë të ditur Qeverisë Shqiptare me shkrim dhe jo me fjalë se shteti shqiptar ka pozita favorizuese në fitimin e kësaj çështje dhe në çdo negociatë tjetër me ÇEZ. Kompania e huaj, e pajtuar për të mbrojtur shtetin shqiptar thekson se bazuar në praktikën ndërkombëtare, ÇEZ ka kryer veprat penale të “shpërdorim kompetence”, “shpërdorim detyre”, “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentash”. Lind pyetja se përse Ministri Gjiknuri mbron të kundërtën e asaj që deklaron konsulenti ndërkombëtar i pajtuar për vlerësimin e padisë së ÇEZ? Ku bazohet Ministri kur deklaron se kemi mundësi zero për të fituar arbitrazhin? Ai duhet tja shpjegojë këtë jo vetëm Parlamentit që miratoi marrëveshjen por edhe qytetarëve shqiptarë pasi 480 milionë eurot që ju falen ÇEZ nuk kanë dalë nga xhepat e Ministrit por janë të qytetarëve.

Ballafaqimi në Arbitrazh
2. Në datën 25.10.2013 Qeveria Shqiptare mori vendimin të braktisë strategjinë e ballafaqimit në arbitrash ndërkombëtar dhe me vendimin 969 të kësaj date krijoi grupin e punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me ÇEZ me mirëkuptim. Në vendimin e Qeverise 969 saktësohet se në rast të moszgjidhjes së çështjes me mirëkuptim, grupi i punës të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të mbledhë të gjitha provat për vazhdimin e çështjes në arbitrazhin ndërkombëtar. Kjo pikë e vendimit të Qeverisë ka rëndësi të veçantë. Ajo tregon se shpjegimi i Qeverisë se hyri në negociata për zgjidhje me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve ngaqë procesi u zvarrit nga qeveria e mëparshme dhe provat nuk u mblodhën në kohë është i gënjeshtërt. Koha dhe mundësitë për të mbledhur prova dhe vazhdimi i çështjes në arbitrazh do të ishin të mjaftueshme dhe të mundshme edhe nëse qeveria socialiste nuk do arrinte akordin me ÇEZ për zgjidhjen me mirëkuptim. Këtë e vërteton vendimi 969 ku grupi i punës ngarkohet të ndjekë edhe variantin e arbitrazhit në se negociatat dështojnë. Arsyet se përse Qeveria braktisi strategjinë e ballafaqimit në arbitrazhin ndërkombëtar duhet të jenë të tjera dhe Qeveria duhet të na i thotë ato.
3. Në vendimin 969, datë 25.10.2013 të Qeverisë Shqiptare ngarkohet grupi i punës të përcaktojë mënyrën e përfaqësimit, kominikimit midis palëve, administrimit të dokumentacionit të negociatave dhe kofidencialitetit të bisedimeve. KLSH në raportin e tij pretendon se i vetmi dokument që gjendet është ai që autorizon 6 ministra të Qeverisë Rama të firmosin marrëveshjen e mirëkuptimit me ÇEZ. Si e shpjegon Qeveria dhe Ministri Gjiknuri që për marrëveshjen e mirëkuptimit të arritur me ÇEZ nuk ka asnjë dokument të negociatave, asnjë fije letër që të tregojë se çfarë është biseduar gjatë 6 muajve, si janë balancuar pretendimet e palëve dhe si u arrit në marrëveshjen e miratuar nga parlamenti? Ku janë dokumentat e negociatave të zhvilluara, përse nuk ka dokumentacion dhe kush mban përgjegjësi për këtë? Si janë mbrojtur interesat e shtetit shqiptar kur nuk kemi asnjë fije të vetme letre që të tregojë çfarë negociuam dhe si e negociuam. Ministri është i detyruar t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

Mungesa e dokumentacionit të marrëveshjes me ÇEZ
4. KLSH thekson në raportin e tij se nuk ka asnjë dokument që të provojë vërtetësinë e pretendimit të ÇEZ se huaja prej 95 milionë euro e marrë nga bankat për të kryer investime në rrjet është përdorur për këtë qëllim. Si i përgjigjet Ministri kësaj akuze. Në se nuk është investuar përse ky detyrim është marrë përsipër nga Qeveria Shqiptare. Sipas ligjit tonë çdo investim i kryer nga ÇEZ duhet të ishte miratuar nga ERE. ERE nuk disponon asnjë dokument që të vërtetojë se ÇEZ i ka kryer investimet e pretenduara dhe ajo i ka miratuar ato. KLSH pretendon se është marrë përsipër si detyrim nga pala shqiptare kredia prej 36.9 milionë euro që ÇEZ mori në vitin 2011 nga BERZH dhe IFC për të kryer investime të tjera në Shqipëri. ERE i ka njohur ÇEZ vetëm 19.3 milionë euro investime të kryera nga kjo kredi. Diferenca nuk dihet ku ka shkuar. Ministri Gjiknuri, si kryetar i Grupit Negociator, duhet të na shpjegojë se përse Qeveria Shqiptare e mori përsipër të gjithë këtë detyrim kur investimet nuk janë kryer? Përse duhet të paguajnë shqiptarët për investime të pakryera? Veç detyrimeve të mësipërme Qeveria dhe Ministri duhet të na shpjegojnë se përse kanë marrë përsipër huanë prej 17.4 milionë euro që ÇEZ ka marrë nga bankat shqiptare të nivelit të dytë për blerjen e energjisë elektrike gjatë vitit 2012. Sipas faturave të blerjes së energjisë që gjenden në OSHE, ÇEZ ka blerë shumë më pak energji se sa vlera e kësaj kredie. Përse Ministri dhe Qeveria morën përsipër të gjithë kredinë si detyrim i shteti shqiptar?

Marrja përspër e të gjitha humbjeve
5. Në marrëveshjen e mirëkuptimit Ministri dhe Qeveria i kanë njohur ÇEZ të gjitha humbjet që i janë shkaktuar kompanisë nga keqmenaxhimi i saj. Në momentin që kompania u privatizua në vitin 2009 humbjet ishin 7 miliardë lekë. Në fund të 2012 kur ÇEZ po kalonte në administrim humbjet e shkaktura nga keqmenaxhimi ishin 72.7 miliardë lekë. Vetëm gjatë 2012 ÇEZ i shkaktoi kompanisë 38 miliardë lekë humbje nga 35 miliardë lekë që ishin humjet për gjithë periudhën 2009-2011. Kush mban përgjegjësi për këto humbje të shkaktuar ÇEZ-Albania dhe përse shteti shqiptar i mori përsipër? Këto dhe shumë pyetje të tjera duan përgjigje nga Ministri Gjiknuri si Kryetar i Grupit Negociator. Ai nuk i shpëton dot përgjegjësisë me slogane që fajin e ka Berisha, që raportin e ka përgatitur SHQUP-i dhe ai është shpëtimtari i sektorit energjitik shqiptar. Pyetjet e mësipërme do të vazhdojnë të mbeten dhe do insistohet që të marrin përgjigje dhe të gjenden arsyet dhe përgjegjësit se përse u veprua kështu. Pavarësisht cila forcë politike është në drejtimin e vendit, çështja e ÇEZ do të qartësohet një dite, ajo nuk do të jetë e largët dhe fajtorët do të japin llogari për këtë vjedhje të madhe. Për ta mbyllur po citoj një paragraf të marrëveshjes i cili me ka çuditur së tepërmi: “Qeveria Shqiptare pranon dhe bie dakord që ÇEZ nuk jep asnjë siguri ose garanci, të shprehur ose nënkuptuar, në lidhje me ndonjë çështje që lind në lidhje me shoqërinë dhe aksionet ose transaksionet e referuara këtu, duke përfshirë vlerën e shoqërisë, gjendjen e saj financiare, lejet dhe licencat dhe çdo çështje tjetër, ngjarje ose gjë që lidhet me shoqërinë, themelimin e saj, aftësinë e saj paguese, pronësinë, biznesin, veprimtarinë, asetet, prospektet, përgjegjësite, borxhet dhe ose detyrimet ose çështje të tjera të mundshme. Qeveria Shqiptare pranon dhe bie dakord që ÇEZ nuk ka asnjë informacion në lidhje me gjendjen financiare, operacionale apo çdo gjendje tjetër të shoqërise dhe se me vazhdimin e blerjes së aksioneve të parashikuara sipas kësaj marrëveshje, Qeveria Shqiptare e bën këtë gjë në rrezikun dhe përgjegjësine e saj. Si rrjedhim Qeveria Shqiptare do të blejë dhe bie dakord të blejë sksionet “siç janë”, “ku janë” dhe “me të gjitha të metat”. 
Sigal