Asnjë përgjigje, lidhur me rastet e denoncuara nga qytetarët

545
Në portalin kundër korrupsionit, vetëm për muajin tetor dhe fillimin e muajit nëntor, numri i denoncimeve për korrupsion në disa fusha, si arsim, shëndetësi, ndërtime pa leje, tatime dogana, etj, ka arritur në 47 mijë. Denoncime këto të bëra nga qytetarët në këtë portal, duke e cilësuar ende problematik korrupsion në vend në disa fusha, ku në qendër të vëmendjes vihet arsimi me numrin më të lartë të denoncimeve, të cilat kapin shifrën prej më shumë se 8 mijë rasteve. Shifrat publikuara mbeten mjaft të frikshme, kur pretendohet se lufta ndaj korrupsionit është rritur, por këtë herë janë qytetarët ata, të cilët bëjnë publike rastet, që janë tepër të larta në numër dhe mjaft shqetësuese për të gjithë. Shifra të larta paraqiten dhe tek sektori i mjekësisë dhe tek radhët e policisë, ku sipas qytetarëve ende vazhdon pasivisht fenomeni i dhënies së ryshfetit nën dorë për kryerjen e një pune nga ana e mjekut apo për tolerimin për shkeljet e bëra nga ana e Policisë së Shtetit. 

Ajo që paraqitet më shqetësuese ka të bëjë me faktin se shifrat më të larta të rasteve të denoncuara mbeten në fushën e arsimit, fushë e cila cilësohet ende si më problematikja, kjo në dhënien e ryshfetit të këmbim të marrjes së provimit, notës kaluese apo projekteve të ndryshme në këtë fushë. Numri i rasteve të denoncuara në fushën e arsimit kap shifrën e 8029 rasteve të denoncuara nga qytetarët, me një mesatare prej 1500 rastesh të denoncuara në javë. Denoncimet nga qytetarët për ndërtimet pa leje kapin shifrën e 1650 rasteve në një javë. Në sektorin e shëndetësisë apo radhët e policisë numri i rasteve të denoncuara nga qytetarët kap shifrën e 800 rasteve në. Pas nuk mbeten as tatimet, të cilat numërojnë shifrën e 870 raste në javë, ndërsa në dogana numri shkon në 130 denoncime në jave. Më pak denoncime nga ana e qytetarëve në portalin kundër korrupsionit rezultojnë të jenë adresuar ndaj korrupsionit me pronat, ku numri i denoncimeve arrin në 60 raste në javë. Në total numri i rasteve të denoncuara nga qytetarët në portalin kundër korrupsioni kap shifrën 47 684 raste të korrupsionit. Por çfarë ndodh me këto shifra?! A merret dikush me trajtimin e këtyre rasteve ashtu siç është premtuar?! A ndëshkohet njeri?! A marrin përgjigje qytetarët lidhur me rastet e denoncuara nga vetë ata.?! 
Këto shifra vijnë në kohën kur qeveria ka shpallur luftën ndaj korrupsionit dhe se ecuria sipas drejtuesve tanë në këtë aspekt po shkon mjaft mirë, por të kundërtën thonë qytetarët në këtë portal, ku rastet e korrupsionit janë me mijëra dhe se për asnjë nga këto raste nuk është marrë asnjë masë, sikundër është thënë se, lidhur me rastet e denoncuara do të garantohet një përgjigje në afatin kohor brenda 30 ditëve. Edhe pse afati ka kaluar, asnjë përgjigje nuk është dhënë lidhur me denoncimet e paraqitura nga qytetarët në këtë faqe edhe pse u përfol se, të gjitha rastet e denoncuara nga qytetarët do të merrnin vëmendje të veçantë, asgjë nuk është bërë lidhur me 47 684 rastet e korrupsionit, të denoncuara nga qytetarët në portalin kundër korrupsionit. 
Sigal