Prof. Dr. Ago Nezha: Shteti hesht kur flet KLSH

574
Në Shqipëri ende s’është bërë edukatë qytetare që të respektohen Institucionet në pozicionet hierarkike shtetërore sipas funksioneve që kanë dhe detyrave që kryejnë në shërbim të shtetit të së drejtës. Duke ardhur nga një shoqëri me mentalitet fisnor, klanor dhe krahinor, e mbarsur me një mentalitet të ri në vitet e demokracisë, me përkatësi partiake, është shkatërruar struktura e institucioneve shtetërore dhe ato janë kthyer në një produkt të anarkisë shoqërore. Paanshmëria politike dhe përgjegjshmëria institucionale, janë dy dukuri që kanë zënë vend në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Vërehet një dukuri se KLSH, vitet e fundit, ka vendosur autoritetin, pavarësinë dhe reputacionin e vetë institucional. Pavarësisht subjektivizmave që janë të pashmangshme në çdo veprimtari shtetërore dhe shoqërore, por ky institucion si rrallë herë në historinë e tij, ka shfaqur një performancë të lartë morale, profesionale dhe apolitike. Asgjë në jetë nuk arrihet në prefeksion. E rëndësishme është që në veprimtarinë e çdo organizmi shtetëror të ketë prirje për të arritur objektivin më të lartë të përfaqësimit të interesave shoqërore. 

Integriteti i KLSH
Në aparatin e KLSH, si rezultat i një pune vizionare dhe këmbëngulëse janë afruar vlera individuale, organizative, profesionale ligjore dhe operative, që kanë për kryefjalë interesin e pastër publik. Në autostradën e abuzimeve që kalon në semaforin e Ministrive të Shëndetësisë, Energjetikës, Mbrojtjes, e ndonjë si motrës së tyre, ku janë evidentuar shkelje të pakujdesisë, paaftësisë, apo të karakterit korruptiv, nuk duhen mbuluar, por duhet ndëshkuar sipas përkatësisë dhe përgjegjësisë që përfaqëson çdo subjekt qeverisës. Kur përcaktohet diagnoza e sëmundjes dhe jepet terapia nga një autoritet i përgjegjshëm dhe kompetent, në sfondin e opinionit publik do ketë interpretime e pështjellime të paarrira, që do shkaktojnë sfida etike dhe që do përdoren jashtë racionalitetit nga opozita. KLSH, jo vetëm sot që qeveris e majta, por edhe dje që qeveriste e djathta, nuk ka heshtur, por ka zbuluar afera e shkelje flagrante në disa institucione të larta shtetërore, që janë mbyllur nga kupola e djathtë dhe nuk kanë marrë masën e merituar të ndëshkueshmërisë. 

Kambanat që bien çdo ditë në media për disa ministra, në jehonë të shkeljeve që ka konstatuar KLSH, duhet të zgjojë ndërgjegjen e qeveritarëve të lartë dhe të Kryeministrit Rama, për tu bërë një skaner veprimtarisë së dikasterit që atakohet, për t’u dhënë shpërblimin që meritojnë. Në rast se një ministri apo ministër, ka shkelje, abuzime dhe devijime në drejtim të dikasterit të tij, kjo s’do të thotë se qeveria ka humbur moralin qeverisës. Përkundrazi, po të evidentohen shkeljet dhe shembujt negativ, në këtë sfond do ndriçojë më qartë dhe më dukshëm shembulli pozitiv dhe arritjet e qeverisjes në ato sektor që ka bërë ndryshime dhe ka suksese të spikatura. Realitete që janë të dokumentuara dhe të provuara nga kontrollet evidente si pjesëmarrja në disa borde e personave preferencial të ministrave, duke i cikluar në një rreth vicioz, apo klientelizmi në tendera, janë të papranueshme dhe detyrimisht të ndëshkueshme nga instancat e larta shtetërore. Kur një ministër futet në marrëdhënie interesash klienteliste, ai që në atë moment e ka braktisur respektin ndaj detyrës dhe qeverisjes që përfaqëson. Ai, është në konflikt me detyrën që kryen, ka humbur nocionin e përgjegjësisë institucionale dhe si i tillë duhet ndëshkuar. Veprime kundër interesave të qytetarëve, bëjnë që të preket uniteti shpirtëror e moral i tyre dhe të rrënohet besimi. 

Tendenca ambicioze e kreut të KLSH
Atë që ka treguar performanca e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë këtyre viteve, është tendenca ambicioze e Kryetarit të saj Dr. Bujar Leskaj, që ka synuar të aftësojë e përgjegjësojë aparatin operativ në drejtime të specializuara, për të qenë individ të pavarur, me kapacitete morale e intelektuale në standarde të larta profesionale. Janë rritur aftësitë operative për balancimin e imperativave konkurruese gjatë kontrollit të një institucioni, për të bërë gjykime të sakta e për të marrë vendime të drejta për çdo fenomen. Kjo është arritur me një punë intensive kualifikuese të stafit brenda vendit, nëpërmjet seminareve, sesioneve shkencore debateve profesionale, studimeve të literaturës përkatëse, si dhe të specializimeve jashtë shtetit në vendet perëndimore e lindore që kanë afërsi problematikash të ngjashme. Është dashur jo pak punë për të ndryshuar konceptin, metodën dhe sjelljen e aparatit, për një përqasje të re në përshtatje më zhvillimet demokratike në vendin tonë. Situata ekonomike në Shqipëri, e kondicionuar me atë sociale, është në limitet më kritike të viteve të fundit, edhe për shkak të reformave të thella, që eventualisht duhen shoqëruar me masa mbrojtëse, zbutëse nga ana e qeverisë. Kush mohon, duhet edhe të pohojë.

 Ky është një ligj dialektik i zhvillimit të shoqërisë. Shqipëria do rilindë jo me slogane, por kur të vendoset drejtësia, që është kanceri që po e bren çdo ditë shoqërinë shqiptare dhe kur të ndëshkohen parlamentarët, pushtetarët, gjyqtarët, e pse jo edhe matrapazët e mediave, të korruptuar gjatë këtyre 25 vjetëve, që e kanë grabitur e plaçkitur pasurinë e popullit. Praktika po tregon një fakt pozitiv se KLSH, ka kapacitete të mjaftueshme për të ushtruar kontrolle me efektivitet të lartë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si dhe ato social. Ata, po zbulojnë, nuk shënjësojnë abuzime, që për këtë veprim shteti duhet t’i përgëzojë si mbrojtës së pasurisë së përbashkët, që bëjnë të mundur të eci lokomotiva në shina të drejta dhe jo t’i paragjykojë si tendencioz. Në rast se ndokush është mosbesues ndaj dobisë që i sjell shoqërisë KLSH, ka mekanizma dhe instrumente demokratike e ligjore, që e klasifikojnë shkallën e ndershmërisë të këtij institucioni të lartë supreme e të pavarur. Përvoja demokratike 25 vjeçare në vendin tonë, po tregon se klasa jonë politike në qeverisjet paradë pozitë-opozitë, nuk i rezistojnë dot iluzionit të krahasueshmërisë me paraardhësin e tyre që i dorëzon pushtetin. Në mënyrë të ndërsjellët, prej vitesh kemi dëgjuar një lumë akuzash, sa spektakolare aq dhe reale. 

Statusi i mos-ndëshkueshmërisë
Por të gjitha ekspozetë mbeten në planin e konstatueshmërisë, por nuk fitojnë statusin e ndëshkueshmërisë. Në rast se paraardhësi yt ka përvetësuar apo punuar keq, ky s’është argument për të thënë që shikoni përpara ata që ikën pastaj merruni me ne që erdhëm. Përgjegjësitë janë konkrete, reale dhe të prekshme. Të gjitha rastet abuzive, të kujtdoqofshin të majtë apo të djathtë, janë të dënueshme dhe të pa krahasueshme për dëmin që i sjellin shoqërisë, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë social-psikologjik dhe moral. Disa ministra mesa duket janë përqëndruar në afirmimin e karrierës së tyre në hierarkinë e kabinetit të Kryeministrit, duke e quajtur veten pronar, se sa ti shpenzojnë energjitë për të përdorur stafin e tyre për të nxjerrë dikasterin e tyre nga kolapsi ku ndodhen. Populli ka një pritshmëri të lartë, që me këtë sjellje të disa ministrave ndihet i zhgënjyer dhe i deziluzionuar. Kryeministri Rama flet për një drejtim në skuadër. 

Por kur në skuadër ka lojtar që nuk e justifikojnë qënjen në formacionin drejtues, ata duhet të ndërrohen se humbasin lojën dhe përgjegjësia bie mbi trajnerin, që në rastin konkret është vetë kryeministri Rama. Nuk pretendohet që diagnoza të përcaktohet si gjithëpërfshirëse në standarde të larta. Por operacione inkurajuese, dritëndriçuese për sektorë të veçantë, duhet të kenë prevalencën e tyre afatshkurtër, pa errësuar atë afatgjatë. Ministrat edhe pse kanë dy vjet në drejtim të dikastereve përkatëse ende edhe sot kanë një staf përgjithësisht të paaftë. Disa i trashëguan e disa i fituan në rrugë e sipër. Një pjesë e tyre nga demokratë që ishin dje, sot janë konvertuar në ujkokratë, për të ruajtur vendin e punës, disa prej tyre janë bërë edhe drejtor drejtorish. Kjo është një komedi dhe ironi tipike shqiptare, për të mos thënë katundare. Pra, punësia në pushtet është kthyer në biznes. Ata përdorin parimin makiavelist: qëllimi justifikon mjetin. KLSH nuk shikon manovrat e pushtetit të pas skenës, por pasojat që bien mbi shoqërinë. Ai, prek rezultatet që japin një imazh të keq vendit, që është i pushtuar nga korrupsioni. Nuk i ka parë me sy politik, e majtë-e djathtë. KLSH, i ka parë si dy grupe me përfaqësimet e tyre ideologjike, por që të dy palët kanë një gjë të përbashkët, se janë mbërthyer nën mbretërinë e korrupsionit në dimensionin e tyre qeverisës. Duke e mbyllur vlerësimin tim për situatën, shpresoj se diçka do ndryshojdhe nuk besoj se rruga 25 vjeçare, në të njëjtën filozofi do vazhdojë. 
Sigal