Rrëzohet Presidenti i Egjiptit, Mohamed Morsi

525
Sigal

  Ushtria e Egjiptit organizoi Grushtin  e  shtetit 

 Mohammed Morsi nuk është më president i Egjiptit, pasi gjenerali Al-Sisi konfirmoi rrëzimin e tij nga pushteti mbrëmjen e së mërkurës, pas një grushti shteti të udhëhequr prej ushtrisë. Duke cituar burime të “sigurta” brenda Egjiptit, “CNN” thotë se pritet të jetë opozitari properëndimor e liberal El-Baradei, ish-drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, ai që do të kryesojë një qeveri tranzicioni të përkohshme. Me parë, Presidenti Mohammed Morsi përsëriti ofertën e tij për një qeveri konsensuale, por refuzoi tërheqjen. Ndërkohë, një zëdhënës i Vëllazërisë Myslimane, të cilës Morsi i përket, ka njoftuar në Twitter se një “grusht ushtarak shteti” ishte në zhvillim e sipër në Egjipt. Mona al Qazzaz ka deklaruar përBBCse: “Frika ime më e madhe është t’i kthehemi një shteti ushtarak. Ushtria nuk duhet të bëhet pjesë e skenës politike”. Ndërkohë, burime të tjera nga vendi i ngjarjes njoftojnë në rrjetet sociale se protestuesit rivalë kanë filluar të gjuajnë me gurë njëri-tjetrin. Korrespondentët eBBCkanë raportuan gjate pasdites për një rritje të pranisë ushtarake në kryeqytet dhe për autoblinda që lëvizin nëpër rrugë. Teksa ultimatumi i vendosur nga ushtria kaloi afatin, brohoritje të shumta u dëgjuan në sheshin “Tahrir”, ku mijëra protestues ishin mbledhur. Më herët krerët ushtarakë zhvilluan takime me figura politike dhe fetare për të diskutuar mbi situatën. Por partia në pushtet për Liri dhe Drejtësi, krahu politik i grupit Vëllezërit Myslimanë, nuk u përfshi në këtë dialog. Kur kishte kaluar më shumë se një orë nga ultimatumi, përleshjet shpërthyen mes dy grupeve protestuesish rivalë gjatë natës, që lanë të paktën 16 persona të vdekur në Universitetin e Kairos. Kundërshtarët e zotit Morsi deklarojnë se ai dhe Vëllazëria Myslimane po nxisnin një axhendë islamike në Egjipt dhe për këtë duhet të tërhiqen. Në një deklaratë sfiduese të mbajtur të martën në televizion, zoti Morsi deklaroi se ai do të jepte jetën e tij për të mbrojtur legjitimitetin kushtetues dhe fajësoi për trazirat korrupsionin dhe mbetjet e regjimit të rënë të Hosni Mubarak. Kreu i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al Sisi raportohet se u takua me komandantët më të lartë të mërkurën, për të diskutuar detajet e periudhës post-Morsi. Plani i ushtrisë, sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, përfshin përcaktimin e zgjedhjeve të reja presidenciale, pezullimin e kushtetutës së re dhe shkrirjen e parlamentit. Anëtarë të lëvizjes rebele Tamarod, që ka mobilizuar miliona demonstrues në rrugë për të kërkuar largimin e zotit Morsi, ishin gjithashtu pjesë e takimit.