Ilmi S.Qazimi: Për gazetën “Telegraf” në 20 Vjetorin e saj

Koha prej afër një çerek shekulli shoshiti titujt e gazetave në print që iu deshën ecurisë së valëve të shtetit të ri demokratik shqiptar të pas vitit 1990; dhe nga 29 të atilla mbetën vetëm fare pak, tashmë vetëm katër. E në këtë ’betejë’ për egzistencë, gazeta “Telegraf” me drejtor z.Engjëll Musai, lulëzon dhe realisht është kthyer në ushqim shpirtëror për lexuesin që di të lexojë, të reflektojë dhe të veprojë.

Kjo gazetë,për mendimin tim si lexues i kahershëm dhe i përditshëm i saj, ka mbajtur një bosht, një fytyrë, një temp dhe nuk i është shmangur synimit të saj kryesor: të pasqyrojë realitetin shqiptar dhe prirjet e zhvillimit demokratik në vorbullën e globalizmit galopant. Por ama duke ruajtur atdhetarinë, kombësinë dhe traditën, pa e shtrembëruar historinë. Kanë folur mjaft intelektualë dhe kanë nxjerrë vlerat e saj në këtë përvjetor.Mua më pëlqen të theksoj se është e vetmja gazetë që pasqyron krijimtarinë letrare të sotme, të hershme dhe sidomos të Rilindjes Kombëtare. Çdo komb, në çdo kohë e në çdo rrethanë historike ka shfaqur shpirtin e vet letraro-artistik, poetik dhe patriotik.E, pikërisht këtë bën edhe kjo gazetë: një herë në javë i kushton disa faqe të plota krijimeve të larmishme letrare e artistike të përzgjedhura, të traditës e të së tashmes, duke u bërë pasqyrë, shumë a pak , e njërit prej aspekteve të ndërgjegjes shoqërore të popullit tonë.

Sigal

Më duket një realizim i spikatur edhe fakti që  tek ne,është thuajse vetëm kjo gazetë që, për tërë kohën e vet, nuk ka lënë jashtë faqeve të saj ngjarjet më madhore historike të popullit tonë siç është e do të jetë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, gjakun e derdhur dhe veprat heroike të individëve, patriot, partizanë, komunistë, nacionalistë, luftëtarë, që lanë një emër për historinë e këtij populli. Kjo gazetë, në jo pak raste ka shkruar me objektivitet edhe për periudhën tjetër të ndritur të popullit tonë,atë të ndërtimit të socializmit, duke u nisur nga parimi që historia e një populli nuk ka ndërprerje për hir të sistemeve ekonomiko-shoqërore që vijnë e venë. Së fundi, më duket se mënyra se si analizohen dukuritë dhe fenomenet sociale, ekonomike, qeveritare, arsimore, shëndetësore dhe diplomatike(pra, shkrimet kritike e analizuese që pranon e që boton kjo gazetë lidhur me këto probleme) është në koherencë të plotë me nevojën jetike të ruajtjes së kombit, pasurive kombëtare qofshin ato materiale qofshin shpirtërore. Këto analiza kritike janë në akord me domosdoshmërinë e mbrojtjes së vitalitetit të Shqipërisë, si vend perlë natyrore, gurrë e pashtershme e vlerave njerëzore.Si pjesë e vogël, por me peshë të madhe,në hartën europiane që duhet të forcohet e lartësohet dhe jo të copëzohet, tjetërsohet apo nënvlerësohet. Gjithnjë si lexues i thjeshtë i uroj redaksisë së gazetës “Telegraf” punë të mbarë, dhe jetë sa më të gjatë, në interes të atdheut tonë të dashur dhe popullit tonë punëtor e paqësor.

Me respekt

Ilmi S.Qazimi