Deputeti Xhelal Mziu: Rruga e Lurës shembulli se si një investim publik përdoret për fushata, ndërsa banorët mbeten peng i mashtrimeve

Xhelal Mziu, deputet i qarkut Dibër ka reaguar në lidhje me punimet skandaloze të rrugës Peshkopi–Lurë , ku shprehet se banorët e Lurës vazhdojnë të qarkullojnë me vështirësi të mëdha, ndërkohë që zona ka potencial të jashtëzakonshëm për turizëm dhe zhvillim ekonomik. Ja reagimi i deputetit për rrugët në Dibër:

Rruga drejt Parkut Kombëtar të Lurës është një nga segmentet më të stërpërdorura politikisht nga qeveria gjatë 10 viteve të fundit. Premtimet kanë qenë të pandërprera:

NOA

Premtimet sipas viteve 2019–2020: Qeveria shpalli nisjen e “transformimit të Lurës” dhe rindërtimin e rrugës si projekt prioritar turistik. 2021: Para zgjedhjeve, Rama dhe Balluku deklaruan publikisht se rruga do të përfundonte brenda vitit. 2023: E njëjta rrugë u përdor sërish si premtim elektoral. U tha se punimet ishin “në fazën finale”. 2024: U premtua zyrtarisht që rruga do të mbaronte në fillim të vitit 2024. 2025: Jemi drejt fundit të 2025-ës dhe as rruga nuk ka mbaruar, as nuk ka afat të ri zyrtar.

Problemet kryesore të evidentuara

Vetëm pak kilometra asfalt i hedhur, dhe ai pa standarde, pa sistemim, pa baza teknike dhe pa mbrojtje skarpatash. Punimet kanë “fjetur” me muaj të tërë, me rifillime vetëm kur vijnë zgjedhjet. Banorët e Lurës vazhdojnë të qarkullojnë me vështirësi të mëdha, ndërkohë që zona ka potencial të jashtëzakonshëm për turizëm dhe zhvillim ekonomik. Edhe fondet e shpallura publikisht për projektin kanë qenë të paqarta dhe të ndryshme, gjë që ngre dyshime për menaxhim jo-transparent të investimit.

Realiteti

Rruga e Lurës është bërë shembulli më tipik se si një investim publik përdoret vetëm për fushata zgjedhore, ndërsa banorët mbeten peng i mashtrimeve politike.

Dibra meriton rrugë të sigurt, jo eksperimente dhe miliona të hedhura në erë si Rruga e Arbrit

Rruga e Arbrit – rruga e lënë rrugëve, rruga e florinjtë që i ka kushtuar mbi 400 milionë euro shqiptarëve — për vetëm 35 km! Mbi 12 milionë euro për kilometër, për një rrugë të shpallur si “standard C2”, por që në realitet është një kantier i pafund, i pasigurt dhe i dështuar. Tuneli kryesor, që duhej të ishte garancia e sigurisë dhe qarkullimit, sot është një bombë me sahat.

Pa asnjë certifikim sigurie, me prani të qartë dëmtimesh strukturore, me shembje të përditshme të skrapatave, dhe me një kompani që po vrapon të riparojë bypass-in, sepse tuneli pritet të mbyllet nga rreziku real i shembjes. Ky është projekti “strategjik” i qeverisë! U premtua si kryevepra e Rilindjes: për zgjedhjet e 2021, u premtua sërish për zgjedhjet e 2023, u përdor prapë për zgjedhjet e 2025.

Sot rruga është ende e pambyllur, e pasigurt, pa afat përfundimi dhe pa asnjë standard teknik. Vetëm propagandë me zë e figurë nga Rama dhe Balluku, ndërsa realiteti është një abuzim kolosal me fondet publike.

Rruga që duhej të lidhte Dibrën me Tiranën, sot është simboli i keqmenaxhimit, i shkatërrimit të fondeve publike dhe i rrezikimit të jetës së qytetarëve. Për këtë katastrofë financiare dhe inxhinierike, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Jo më gënjeshtra. Jo më propagandë. Dibra meriton rrugë të sigurt, jo eksperimente dhe miliona të hedhura në erë.