Prof. Dr. Ago Nezha: Gazeta Telegraf një dritare për të parë të vërtetën

 Prof. Dr. Ago Nezha

Prof. Dr. Ago Nezha
“Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Gazeta Telegraf ka një ditëlindje të shenjtë, se ka dalë në dritë në prag të festave të Nëntorit. Ajo, këto ditë feston 20 vjetorin e lindjes. Në ditëlindjen e çdo krijese, për më tepër të një medie të shkruar, 20 vjetë jetë, nuk janë shumë, por aspak për nga misioni i saj dhe shërbesa që i ka bërë lexuesit në tregun mediatik.  Me larminë e publikime të saj, kjo gazetë ka formuar profilin e saj politik dhe shoqëror, duke u prirur nga filozofia, që media duhet të jetë në opozitë me pushtetin e radhës, për t’i bërë kritika konstruktive fenomeneve që shoqërojnë pushtetin, në veprimtarinë e tij. Shtylla bazë e palëkundur, që është vendosur në trasenë e saj, gjatë operacionit 20 vjeçar, ka qënë pasqyrimi dhe publikimi transparent, sa më real dhe korrekt i luftërave për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror. Veçanërisht, vëmëndje dhe kujdes ka bërë për të pasqyruar me vërtetësi epopenë më të lavdishme të popullit tonë, Luftën Nacionalçlirimtare. Temat patriotike, figurat historike, ngjarjet madhore, që kanë përcaktuar fizonominë shekullore të popullit tonë të vogël, por me një pasuri të madhe atdhetare, kanë qënë në themel të tematikës të kësaj gazete. Ndaj dhe shumë intelektual të shquar të Labërisë, kanë firmën e tyre në faqet e kësaj gazete, me përshkrime të ngjarjeve, tregimeve, portreteve të figurave të shquara, që kanë treguar trimëri, mençuri dhe kanë sakrifikuar jetën e tyre në lulen e rinisë, për të fituar pavarësinë dhe lirinë kombëtare. Gazeta Telegraf  ka hapur disa rubrika, për të prekur në gjërësi dhe thellësi problemet politike, ekonomike dhe shoqërore, që trokasin çdo moment në jetën e përditëshme të vendit tonë. Ka qënë e fokusuar më shumë në zbulimin, evidentimin dhe pasqyrimin e fenomeneve, që gërryejnë çdo ditë shoqërinë tonë, si krimi dhe korrupsioni. Në këtë llogore, ajo është pozicionuar si një qitëse e mirë dhe ka goditur në shenjë: aktorët dhe autorët, që ushqejnë këto vemje në trupin e shoqërisë tonë. Një rubrikë ndriçuese, që doja të evidentoja te kjo medie e pavarur, ka qënë evidentimi i figurave të shquara të kulturës, artit, kinematografisë dhe letërsisë, që janë fytyra e identitetit kombëtar dhe i kanë dhënë jetë dhe gjallëri jetës kulturore dhe shoqërore të vendit tonë. Në vazhdimësi, në dallim nga gazetat e tjera do veçoja Suplementi-Pena Shqiptare, ku botohen poezi dhe tregime nga autor vendas dhe të huaj, që e bën gazetën më të larmishme dhe tërheq lexuesit e ditës. Ndokush do pyes por gjithë publikimet janë të arrira, nuk ka ndonjë mangësi ku mund të kritikohet apo sugjerohet ?. Pema i ka të gjithë organet vegjetative, duke filluar nga lulet, frutat dhe gjëmbat. Por në raste festash e ditëlindjesh ne dhurojmë vetëm lule dhe transmetojmë urime.  Në tërë rrugëtimin e saj 20 vjeçar, ajo që të bie në sy te gazeta Telegraf, është se ka qënë transparente dhe ka pasqyruar çështje madhore të kombit. Në këtë jubile të saj, në cilësinë e gazetarit, kam kënaqësinë t’i uroj gazetës Telegraf jetë sa më të gjatë në tregun mediatikë, si një zëdhënëse e fjalës së lirë, për një demokraci sa më liberale.

NOA