Bordi i Transparencës ka miratuar këtë të mërkurë çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në tregun vendas, të cilat hynë në fuqi më 10 qershor 2026, në orën 14:00.
Sipas vendimit të bordit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin do të jetë 188 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë nuk duhet të kalojë 176 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 171 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 159 lekë për litër në shitjen me shumicë. Bordi bëri të ditur se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, kur do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut ndërkombëtar dhe vendas.
Njoftim për Shtyp
Bordi i Transparencës në datë 10 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 188 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 176 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 171 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 159 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 10 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 92 lekë.




















