Gentian Çala: Festat mbatuan,tani fillojnë hallet

942
Sigal

Viti i ri filloi, festat mbaruan dhe bashkë me të ikën dritat, gjeli i detit, fishekzjarret dhe ata që u rikthyen për pak në strehën e tyre të parë. U kthyem në realitet, shkëlqimi i festave humbi dhe vendin e saj e zuri grija e ditëve të zakonshme. Lajmet jo të mira zenë vendin e parë, qeveria tërhiqet nga nxjerra e banorëve pa shtëpi nga hotelete, se nuk kanë mundësi të gjejnë shtëpi me qera. Aksidente, politikë, deklarata. Mirësevini në Shqipeland! Mirësevini në Republikën e Rilindur të Edit. Po në fakt, janë shumë që ikin dhe thonë: Mirëutakofshim!

I përcjellim, ata që vijnë dhe ikin, pas disa ditë çmallje! Erdhën vetëm sa të na thonë gëzuar dhe ikin duke na lënë, ne të tjerëve këtu, me malin e halleve që nuk sosen. Ne, përlotur, rrimë e i vështrojmë derisa treten në eter, në rrugë, në ajër apo nëpër det. Prindërit zenë telefonat a komppjuterat, ti pyesin a arritën shëndoshë. Pastaj mbesin bisedat pas një ekrani: – si jeni?…si po kaloni me punë?…po fëmijët si janë?

Ditët e festave ikin shpejt, vrapojnë, kurse të halleve janë të gjata, duken si pa mbarim. Njerëzit fillojnë ngrenë qepenat, nxjerrin tezgat, hapen institucionet, fillojnë shkollat, gumëzhijnë ekranet dhe studiot. Një rrëmujë, pa të cilën duket se nuk jetojmë dot, jemi bërë njësh me të, aq sa normaliteti na duket i çuditshëm. Pastaj kafet me miq, ku krahas lëngut të zi, flasim gjatë e shtruar për atë që ndodh, për politikën: – ky është kështu, ai ashtu…

Hallet janë më të ëmbla se festat, po, po. Mund të duket e çuditshme, por kjo na pëlqen mesa duket prandaj i shtojmë dhe nuk i zgjidhim. Madje as nuk reagojmë kur na shkelin, kur na vjedhin, kur na mbyllin gojën, kur na sundojnë, thuajse kanë vrarë protestën dhe reagimin brenda nesh. Jemi mësuar me anormalitetin, po aq sa me çdo gjë tjetër rutinë. Aq sa atyre që na qeverisin duket se u ka dalë frika. Ata që qeverisin mendojnë se do të jenë gjithmonë aty ku janë, por harrojnë se kjo zgjat deri ditën kur populli dërgohet para kutive. Atë ditë nuk na rrihet pa i votuar kundër ata që na qeverisin. E meritojnë!

Festat mbaruan, hallet vazhdojnë!