Prof. Qemal Lame: Kërcënimet e Rusisë për luftën bërthamore

275
Sigal

 

Probabiliteti që një katastrofë e armëve bërthamore ruse të ndodhë në Evropë është ende e ulët, Qëllimi i paralajmërimeve ruse është të krijojë një efekt parandalues, të frikësojë politikanët e popullsisë, të dekurajojë Perëndimin

Lufta në Ukrainë është e domosdoshme të ndalet për të mënjanuar vazhdimin e mëtejshëm të katastrofës për popullin ukrainas dhe parandaluar përshkallëzimin e mundshën të armëve bërthamore. Evropa nuk ka mundësitë të arrijë e vetme një zhgjidhje. Qendra e gravitetit është në Uashington dhe jo në kryeqytetet evropiane. Është pikërisht ndihma e gjerë amerikane që ka një efekt strategjik në rrjedhën e luftës dhe qëndrimin nga Kremlini. Mbështetja amerikane për Kievin po forcohet më tej me paketën prej 40 miliardë dollarësh të miratuar nga Kongresi amerikan. Në këtë sfond, rritet nevoja për koordinim evropian me Shtetet e Bashkuara për qëllimin dhe synimin e të gjitha masave mbështetëse dhe rreziqet e tyre për sigurinë evropiane. Lufta ka të bëjë me fatin e Evropës. Partnerët evropianë të NATO-s duhet të kenë një rol bashkëkrijues dhe jo vetëm t’ia lënë drejtimin Uashingtonit. Berlini dhe Parisi të veprojnë me një peshë më të madhe në marrjen e vendimeve. Uniteti transatlantik të jetë gjithmonë rezultat i negociatave dhe nuk duhet të arrihet thjesht duke u kthyer në anën e aleancës dhe as me mendimin se vendimet merren me mirëkuptimin e të gjithë partnerëve.

Orientimi strategjik kërkohet të synojë qartësinë sa më të madhe të qëllimit dhe të mbështetjes së aleancës. Mbetet e paqartë saktësisht se për çfarë synimi po luftojnë forcat e armatosura ukrainase. Nuk janë mobilizuese formulimet se “Putini nuk duhet të fitojë” ose “Ukraina nuk duhet të humbasë”. Ka rëndësi të qartësohet nëse kërkohet një fitore ushtarake dhe forcimi i pozicionit negociues të Ukrainës pas përfundimit të armiqësive. Aktualisht po ndiqen qëllime më të gjera. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, në vizitën e tij në Ukrainë deklaroi qëllimin e ri, se “Ne duam ta shohim Rusinë aq të dobësuar sa nuk do të jetë më në gjendje të bëjë gjëra të tilla si ajo që bëri me pushtimin e Ukrainës”. Ekzistojnë ide të ndryshme edhe brenda administratës amerikane dhe Kongresit për qëllimin e mbështetjes.

Debatet politike përqëndrohen me të drejtë në situatën aktuale, por nuk ka masa konkrete për synimet e vërteta për rendin e ardhshëm të sigurisë evropiane. Evropa kërkohet të jetë e aftë të përballet me konfrontimin dhe paqëndrueshmërinë e pashmangshme me Rusinë në vitet e ardhshme. Problem del pozicionimi i NATO-s, e cila do të forcohet e zgjerohet në të ardhmen nga anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë që rrisin praninë në kufijtë e Rusisë dhe marrin kontrollin në Detin e Veriut. Zgjerimi varet nga Turqia, e cila do të ruajw marrëdhëniet me Rusinë dhe njëkohësisht mbështetje në luftën që ajo bën kundër kurdëve që duan pavarësi, por i cilëson si terroristë. Pas shkëputjes ekonomike në sektorët e energjisë dhe të teknologjisë së lartë, mbeten vetëm mjetet ushtarake për të frenuar Rusinë, që do të thotë se fokusi duhet të vendoset edhe më shumë në stabilitetin ushtarak. Përballë epërsisë konvencionale të NATO-s, Rusia do të mbështetet në të ardhmen edhe më shumë në armatimin e saj bërthamor.

Beteja mbrojtëse e udhëhequr mirë operacionalisht e ushtrisë ukrainase kundër forcave sulmuese ruse nuk do të ishte e qëndrueshme pa mbështetjen e gjithanshme të SHBA-së. Kështu, presidenti amerikan ka një ndikim vendimtar në rrjedhën e mëtejshme të luftës. Në skenën e përparme, Rusia dhe Ukraina janë në luftë. Në prapaskenat e ngjarjeve, ku drejtohen ngjarjet, niveli dominues gjeopolitik i konfliktit bëhet gjithnjë e më i dukshëm lufta për pushtet politik midis Moskës dhe Uashingtonit. Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni i shteteve mbështetëse që ai drejton ndajnë përgjegjësinë për rreziqet e zgjerimit ose përshkallëzimit. Sot, në 27.05.2022, ministri i Jashtëm rus tha se Perëndimi është në luftë me Rusinë!

Mbështetja perëndimore për Ukrainën vihet para dilemës midis një gatishmërie të justifikuar për të ofruar ndihmë dhe rrezikut të përshkallëzimit katastrofik, pasi në fund vetëm qytetet dhe peizazhet e shkatërruara do të mbeteshin në Ukrainë. Nga ana tjetër, përshtypja është se Uashingtoni po i afrohet gradualisht pragut, në të cilin Kremlini do të vendosë disa nga forcat e tij të shumta taktike bërthamore. Edhe nëse deri më tani nuk janë vërejtur masa për përgatitjen operacionale të dislokimeve të armëve bërthamore ruse dhe probabiliteti që një katastrofë e tillë të ndodhë në Evropë është ende e ulët, analiza e rrezikut duhet të përfshijë pasojat shkatërruese të shpërthimeve bërthamore.

Rusia është një superfuqi bërthamore e barabartë me SHBA-në. Putin dhe politikanë të tjerë kryesorë rusë kanë kërcënuar vazhdimisht se do të përdorin armë bërthamore, duke i dhënë luftës një dimension potencialisht real. Natyrisht, qëllimi i paralajmërimeve ruse është të krijojë një efekt parandalues, të frikësojë politikanët e popullsisë, të dekurajojë Perëndimin. Megjithatë, do të ishte e guximshme dhe e papërgjegjshme të nënvlerësohej besueshmëria dhe vendosmëria e udhëheqjes së Kremlinit. Presidenti Putin ka guxuar të ndërmarri një sulm të madh ushtarak ndaj një vendi fqinj të mbështetur nga perëndimi. Ai nuk tërhiqet, megjithwse reputacioni ndërkombëtar i tij është shkatërruar, forcat e armatosura konvencionale nuk po bëjnë përparim madje po shtyhen prapa, ekonomia po rrëshqet në një gjendje të rëndë recesioni për shkak të sanksioneve masive. Ai ka paralajmëruar përshkallëzimin bërthamor për të arritur qëllimet. Një hap i tillë fatal i Kremlinit duket do të paraprihet nga një përshkallëzim konvencional i luftës, siç është mobilizimi i përgjithshëm ose i pjesshëm.

Në fjalimin e tij të 9 majit, Putin ndërthuri luftën ekzistenciale me Luftën e Madhe Patriotike kundër regjimit nazist me luftën e sotme ruse në Ukrainë. Këto konfirmojnëgatishmërinë për të përdorur masa ekstreme për vetëmbrojtje. Do të ishte e papërshtatshme të krahasoheshin argumentet politike dhe morale në debatet me kalkulimet reale politike vetëm nga këndvështrimi perëndimor. Në situatën me dilema politike, ushtarake dhe morale, kërkohet përgjegjshmëri dhe rrugëdalje nga rreziku me masa qartësisht të sakta.

1.Komunikimi i vazhdueshëm strategjik konfidencial midis Uashingtonit dhe Moskës në nivel të Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit dhe midis dy Shtabeve të Përgjithshme. Shpresojmëtë funksionojë, ashtu siç ndodhi gjatë krizës së raketave Kubane. Në atë kohë rreziku ishte direkt përballë Shteteve të Bahskuara të Amerikës. Aktualisht është në brendësi të Evropës.

2.Komunikimi nuk do të funksionojnë pa vetëpërmbajtje të ndërsjelltë dhe kompromis. Përqëndrimi i luftimeve në Ukrainën Lindore tregon qartë politikën aneksioniste ruse. Prandaj kërkohet të sqarohet, në radhë të parë, problemi parësor në se Ukraina do të mbështetet për të rifituar të gjitha teritoret, që ka humbur që nga 24 shkurti, të tërhiqen të gjitha forcat ruse, të respektohet integriteti teritorial, aneksimi i Krimesë dhe pavarësia e njohja e Republikave të Donbasit e Lunaskut nga Rusia do të nënkuptonte përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit apo do të pranohen e të njihen ndërkombëtarisht. Në radhë të dytë, zgjidhja kushtetuese për statusin e autonomisë të zonave me popullsi ruse për të fuqizuar të drejtat e tyre në një variant si ai i Marrëveshjes së Minskut, roli që duhet të luajnë OKB dhe OSBE në monitorimin e armëpushimit dhe si mundësi për bisedimet e mëpasme politike. Në radhë të tretë, kushtetueshmëria e marrëdhënieve të jashtme të Ukrainës. Presidenti Zelensky ka deklaruar se Ukraina nuk do të kërkojë më anëtarësimin në NATO. Në të njëjtën kohë, ajo mbetet një vend partner i shquar i aleancës. Duhet të sqarohen mbështetja për sigurinë, stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Kievin, ruajtjen e armatimit ushtarak dhe përmirësimin e Komisionit NATO-Ukrainë. Mbështetja perëndimore për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus është legjitime sipas ligjit ndërkombëtar dhe politikisht e nevojshme. Megjithatë, ajo nuk duhet të jetë e pakufishme. Detajet taktike të dërgesave të tankeve dhe artilerisë së rëndë (obusit), të shikohen me detyrat e përgjegjësitë strategjike të pjesëmarrjes së shteteve perëndimore në luftë përmes zbulimit, armëve dhe logjistikës.

3.Për të dyja fuqitë bërthamore, stabiliteti strategjik dypalësh është çështje shtetërore. Nga ana e tyre, qeveritë evropiane duhet të sigurojnë aleatin e tyre amerikan se stabiliteti eurostrategjik është rëndësishëm dhe se çdo mendim për një lufte bërthamore të kufizuar në rajon do të ishte i patolerueshëm dhe do të prishte aleancën. Po kështu, të parashikohet politika për Rusinë në një rend evropian të pasluftës: partner, rival, kundërshtar?