Engjëll Musai/ Qeveria ka rënë, por ka zënë poshtë edhe opozitën

585
Vendimi i marrë para 1 jave, pikërisht më 20 prill 2016 nga Këshilli i Ministrave ishte një surprizë e vërtetë, pasi ky akt ndryshon statusin e Fondit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor në vendin tonë. Sipas këtij vendimi, Qeveria do të përdorë paratë e rimbursimit të ilaçeve të qytetarëve dhe spitaleve për një destinacion tjetër, duke blerë letra me vlerë. Ky veprim sipas ekspertëve po kryhet, sepse vendi është zhytur në krizë të plotë financiare dhe se qeveria, në muajt në vazhdim do ketë probleme edhe me pagesat e rrogave. Dhe kjo situatë përbën një ngjarje të rëndë, pasojat e së cilës e dëmtojnë jetesën, pasi futja e duarve tek paratë e ilaçeve është ajo që populli në gjuhën e përditshme e quan “të luash me vdekjen”. Pra, spitaleve të boshatisura u hiqen fondet, ndërkohë që ato janë pa ilaçe, pa mjete, pa pajisje, pa shiringa, pa serume, pa mjekime për infektivin, pa medikamente dhe kimioterapi për onkologjikun, pa materialet për kirurgjinë dhe sallat operatore, pa kushtet për sanatoriumin dhe sëmundjet pulmonare etj. Fondet do përdoren për letra me vlerë, ndërkohë që maternitetet janë lënë në mëshirë të fatit, kurse poliklinikat dhe konsultoret e nënës dhe fëmijëve janë drejt amortizimit total. Paratë transferohen nga shëndetësia për t’u grabitur në tenderin e radhës, ndërkohë që autoambulancat janë të shkatërruara dhe nuk kanë as goma për të lëvizur, pale karburant nuk bëhet fjalë nderkohe qe ministrat dhe shefi i tyre fluturojne me avione anembane botes dhe harxhojne aq sa gjithe autoambulancat e vendit.

 Sigurimet shëndetësore mësyjnë lokal më lokal, tek kompanitë, tek bizneset, tek individët, tek personat fizikë dhe juridikë, tek ambulantët dhe ku të mundin për të marrë edhe qindarkën e fundit, sepse kjo i duhet qeverisë për ilaçe. Por ilaçe nuk ka, sepse vetë qeveria, me një dorë i merr nga xhepi i qytetarëve dhe me dorën tjetër i dërgon në tek tenderimet e miqve, shokëve, familjarëve dhe të babëziturve, që nuk po ngopen duke shfrytëzuar edhe pikën e fundit të gjakut të shqiptarëve. Situata aktuale në shëndetësi është më e rënda e këtyre 25 viteve dhe ndërkohë që qeveria premtoi shërbime shëndetësore falas, e vërteta ndodhi ndryshe dhe klientët e qeverisë po marrin miliarda, duke detyruar shqiptarët të marrin arratinë. Është ky momenti historik, kur populli ka nevojë që bijtë e sajë të dalin në ballë dhe të marrin situatën në dorë për hir të shoqërisë ku jetojmë dhe për të mirën afatshkurtër dhe afatgjatë të kombit shqiptar. Ja sot, ja kurrë, pasi këta “udhëheqës” e kanë mendjen të mbushin thasët e tyre dhe nuk duan të dinë për shqiptarët që janë katandisur si mos më keq dhe po bëhen gazi i botës. Me ne po tallen të gjithë dhe rasti i Francës dhe Anglisë tregon se jemi bërë gazi i botës dhe se sa shumë i poshtëruam vëllezërit dhe motrat tona kudo në Europë dhe Amerikë. Liderët tanë që, ndonëse bëhen përbindësha për një foto me Obamën, me Bushin, ose Klintonin, por në të vërtetë e ndjejnë veten më komod në shoqërinë e Erdoganit dhe të Punit, madje kohët e fundit edhe kinezëve, të sllavëve dhe të grekëve, fatkeqësisht! Ja, kjo është aksioma që duhet të ndërmarrë opozita shqiptare, si forca më e organizuar dhe e mandatuar ligjërisht. Zgjedhje të parakohshme në Maqedoni, në Greqi, në Mal të Zi, në Kosovë, vetëm në Shqipëri opozita fle gjumë. Vendi ynë është sëmurë, madje shumë rëndë! Duhet patjetër një ndërhyrje e fuqishme, si në aspektin psikik, por edhe politik, për të shëruar shoqërinë shqiptare. Sa më parë të ndërhyhet, aq më mirë dhe këtë mision apo detyrë e ka opozita, e cila po bashkëjeton me ose pa dashje në krevatin e sëmurë të “Rilindjes”. Në kushtet aktuale, opozita duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje qytetarëve dhe duhet të japë prova para tyre, se di të bëjë realitet premtimet. Duhet të japë prova se nuk do përsërisë gabimet e qeverisjes së saj dhe do të zhbëjë të gjitha koncesionet e turpshme, duke çuar para drejtësisë ata që kanë shkelur Kushtetutën dhe kanë miratuar ligje, që kanë varfëruar shqiptarët, duke i çuar në kufijtë e mbijetesës. Opozita, e veçuar apo e bashkuar duhet t’i tregojë me fakte popullit miliardat e shpërdoruara, ku shkuan 1. 3 miliardë borxhe, pse krimi dhe gjobëvënia komandohet nga mafia shtetërore, pse vetëmbrojtja dhe përdorimi i çfarëdolloj mjeti në kushtet e mbrojtjes së nevojshme është në përputhje me ligjin. Pse Shqipëria ka nevojë për vende pune dhe jo për stadiume luksi, pse qytetarët duan rritje të pensionit dhe punë, se nuk po mbushin barkun me bukë, ndërkohë që lekët e buxhetit po bëhen rrush e kumbulla, madje edhe fiq ngandonjëherë.

 Opozita duhet t’i kërkojë llogari “Rilindjes” për 300 mijë vendet e punës, për legalizimet falas, për bujqësinë, për rrugët e lëna përgjysmë, për miliardat e harxhuara për pastrim muresh, kur na vjen ndonjë i huaj, për koncesionet e tenderave, dhënë miqve të tyre, milionat e harxhuara me festivalet e dritave, për ekspozitat ndërkombëtare, për tunelet dhe shtëpitë e spiunimit, për mos ruajtjen e sekretit, për milionat e palmave, për pensionet e ushtarakëve, për Varrezat e Dëshmorëve, për stadiumin kombëtar, që do i heqë edhe emrin e Heroit të Popullit Qemal Stafa, duke e quajtur Arena (Harema) e Kombëtares. Opozita duhet të jetë në krah të medias së lirë dhe të mos lejojë pushtimin dhe poshtërimin e tyre, pasi po e kthen njëlloj si makina propagandistike e diktaturës, t’i kërkojë llogari qeverisë për ekspozitat e pikturave, për çmimet e “bletës”, që është kthyer në grerëz, për ministrat që janë zhytur në skandalet e tenderave të naftës, minierave, veshjeve, pajisjeve mjekësore, elektronike, ushqimeve të skaduara etj. Është opozita ajo që duhet t’i kërkojë llogari për kriminelët që janë futur në parlament dhe në pushtetin lokal, por duhet edhe të japë shembullin për deputetin që shkoi tek liqeni si kaubojs me pisqollë në brez, të rrethojë liqenin, por edhe ndërtimet e tjera rreth saj, të kujtdo “beu mediatik” qofshin. “Është opozita ajo që duhet t’u premtojë shqiptarëve, se duhet të besojnë tek kjo forcë, sepse ne sapo të vijmë në pushtet do ulim energjinë elektrike dhe do japim falas 200 kv. Për ata që janë me ndihmë ekonomike, do e japim ujin për të gjithë shqiptarët me një çmim fiks vetëm 2 euro dhe bizneset 5 euro, që librat e fëmijëve dhe fletoret e fillores do jenë të gjitha falas etj., etj. 


Duhet t’u thotë fermerëve se do jemi me ju për të eliminuar përmbytjet, t’u thotë drejtuesve të automjeteve, se do të ulet 30 % karburanti që është më i shtrenjti në Europë, që në spitalet shtetërore do ketë ilaçe, që shkollat shtetërore do jenë falas. Që administrata nuk do jetë më vendi i njerëzve që paguajnë për vendin e punës, apo ministritë dhe kuvendi nuk do jenë më vendi dhe streha e kriminelëve”. Është opozita ajo që do u thotë, këto do populli, pasi edhe qytetarët këto duan nga Ju zoti Basha. Qëndro sa më shumë në bazë, largo sa më shpejtë dembelët, servilët dhe hipokritët, se do jesh më i qetë dhe më i suksesshëm! Largo parazitët dhe njerëzit e zyrave, që kanë harruar vuajtjet e qytetarëve, që nuk kanë parë lot fëmijësh që flenë pa bukë, që nuk e kanë ndjerë tymin e shtëpive të prishura në mënyrë selektive, që kanë kohë pa parë fukarenjtë që dredhin cigaren me letër gazete. Largoi këta njerëz që një dorë e kanë tek pozita dhe një tek opozita, pasi po të mbajnë të lidhur dhe po të rrokullisin bashkë pozitën që ka kohë që po rrokulliset tatëpjetë. Së fundi një këshillë miqësore për lidershipin e opozitës: Një nga detyrat primare të lidershipit, është zgjedhja e modelit mbi efikasitetin dhe impaktin pozitiv në shoqëri për një qeverisje ndryshe, kur ajo të vijë në pushtet. Dhe suksesi i një force varet nga Vendimet e Lidershipit; Veprimet e Lidershipit; Efektiviteti i Lidershipit dhe grupit që ai ka zgjedhur në aksionin e tij. Fokusimi tek efikasiteti lidhet drejtpërdrejtë me rezultatin, kompetencat e ekipit, angazhimin e tyre, klimën bashkëpunuese, standardet, mbështetjen dhe njohjen e kulturës, traditës dhe gjendjes ekonomike-sociale dhe politike. Këto të fundit, besoj se çalojnë dhe më mirë se kushdo tjetër këtë e ka kuptuar pozita, e cila ka rënë, duke ju tërhequr dhe ju pas vetes.
Sigal