Abdurahim Ashiku/ Dy ministra, Bushati e Tahiri në Selanik, shumë zhurmë për asgjë

554
Në Athinë, me diku njëqind vetë dhe në Selanik, me diku njëmijë emigrantë, (e kush i numëroi) ministrat e parë të shtetit shqiptar, Ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme folën “ngrohtë”, me kokën lart, me mërgimtarët shqiptarë. Ata, siç njoftohet zyrtarisht. “i njohën të pranishmit me ligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit”.”Nismë që do të krijojë mundësinë për të pasur të dhëna konkrete dhe të besueshme për të gjithë shqiptarët me banim jashtë vendit, mbi shtrirjen e tyre gjeografike dhe strukturën demografike, me qëllim përmirësimin e shërbimeve që do u ofrohen”.Bukur! Më në fund, duke i ditur adresat tona, duke na njohur “me dhëmbë pa dhëmballë”, tash pas njëzet e pesë vjetësh, do të flemë si qengja në livadhin plot barë. Kësaj i thonë “Lum e lum si na, me ligj në krah”. Veçse, emigrantët, bukur fort do të ishte që ta kishin në dorë ligjin e Kuvendit, me nene e me shpjegime nenesh. Ata dinë të lexojnë ende shqip, ndonëse për gjuhën shqipe në Greqi dhe më gjerë shteti nuk ka hapur asnjë shkollë për fëmijët, ndërkohë që Greqia ka hapur dhjetëra shkolla në tërë hapësirën gjeografike shqiptare. Ata duhet ta kishin marrë me vete ligjin dhe ta shpërndanin aty e në mbarë Greqinë. Ministri Bushati, siç njoftohet zyrtarisht, “paraqiti prioritetet e reformës së shërbimeve konsullore, duke vënë theksin në rishikimin tërësor të politikave tarifore për shërbimet që ofrohen në sportelet konsullore, i cili ka rezultuar në uljen e dukshme të kostove për shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit. Ai shprehu angazhimin e Qeverisë shqiptare për të punuar së bashku me palën greke që të njëjtin shërbim për lëshimin e certifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë që ofrohet në Konsullatat tona në Itali, të ofrohet edhe në Greqi”. Këtu, ministri Bushati duhej të ndalej më gjatë. Jo për të njoftuar “sihariqet”, por për të kërkuar ndjesë publike. Ministri Bushati duhet të kërkonte (dhe të kërkojë ndjesë) në emër të karriges ku është ulur (ku janë ulur edhe paraardhësit e tij) të ngjyrës rozë (kryesisht) dhe të ngjyrës blu. Vite të shkuara, kur e majta ishte në pushtet, shërbimit konsullor shqiptar në Greqi i “humbi vula”. Certifikatat dhe dokumentet e tjera, vulosur nga konsullatat tona në Athinë, Selanik dhe Janinë, u shpallën të pavlefshme nga qeveria greke. Nga ajo kohë e deri sot, kur ministri Bushati deklaron. “Angazhimin e Qeverisë shqiptare për të punuar së bashku me palën greke që të njëjtin shërbim për lëshimin e certifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë që ofrohet në Konsullatat tona në Itali, të ofrohet edhe në Greqi”, certifikatat dhe dokumentet e tjera, që u duhen mërgimtarëve shqiptarë në Greqi detyrimisht duhet të firmosen dhe vulosen në konsullatat greke në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër.
Kalvari është i lodhshëm
Kalvari është i lodhshëm fizikisht, psikologjikisht dhe me një kosto të lartë rënduese në xhepin e emigrantit. Për ta marrë e për ta pas në dorë “të ligjshme”, përpara administratës greke një certifikatë, i interesuari duhet të bëjë një udhëtim në vendlindje individualisht. Certifikatë për pjesëtarë të familjes së tij pa prokurë nuk merr dot. Prokura në konsullatat shqiptare në Greqi donë 30 euro, ndërkohë që për qytetarin e thjeshtë në Greqi (edhe për emigrantët) me një deklaratë përgjegjësie në polici e kalon pa asnjë qindarkë. Certifikata, me sinjalet e sofistikuara, e shkruar me germa kompjuterike, me firmën dhe vulën e nëpunësit të gjendjes civile është e pavlerë. E krahasuar me certifikatën e shkruar me dorë që merr një shqiptar për fëmijën e tij të lindur e me nënshtetësi greke, është “një Olimp” lart. Certifikata, që të jetë e pranueshme duhet të ndjekë rrugën. Prefekturë. Ministri e Punëve të Jashtme, Konsullatë Greke.(kjo në Shqipëri). Rruga përfundon me 30 euro për çdo firmosje e vulosje nga konsullata greke dhe me premtimin se do të jetë gati pas… një muaji. Shpenzimet vajtje-ardhje, pagesa autobusësh e humbje ditësh pune rrotullohen minimalisht tek 200 euro. Po pse ndodhi kjo “rrugë e taksiratit” dhe pse shteti shqiptar duhet tu ulet në gjunjë dhe tu kërkojë. jo thjesht ndjesë qytetarëve të vet që e kanë mbajtur (dhe vazhdojnë ta mbajnë) në këmbë me dërgesat në vlera monetare dhe materiale në vendlindje. 
Thjesht për korrupsion, në shërbimin konsullor
Vënia e një vule mbi një dokument u bë burim biznesi për nëpunësit e shërbimit diplomatik shqiptar. Nuk e kam fjalën për sekserët rriqna në këtë proces, por për vula mbi dokumente të falsifikuara, vula të vëna në mënyrë të ndërgjegjshme nga nëpunësit kundrejt pagesave speciale nën dorë. Falsifikimet tërhoqën vëmendjen e organeve greke të cilët morën vendimin zyrtar që vula e ambasadës shqiptare dhe e konsullatave shqiptare në Greqi të mos njihet. Shtetit shqiptar në marrëdhëniet me shtetasit e vet në Greqi i “humbi vula”. Dhe a e dini se përveç “vulës” sa vlera monetare ka humbur shteti shqiptar gjatë këtyre viteve? Ka humbur një pallat kulture për shqiptarët në Athinë dhe Selanik, financimin e dhjetëra shkollave ku fëmijët emigrantë mësojnë të shkruajnë, lexojnë e këndojnë shqip në kujdesin tërësisht vullnetarë të mësuesve e mësueseve me shpirt të madh shqiptarie. Dhe të tjera, e të tjera.
Pse e bëj këtë “llogari”?

Kur dokumentet shqiptare firmoseshin e vuloseshin nga konsullatat tona, shteti merrte për çdo firmë e vulë 30 euro. Mblidheshin kështu në një vit disa milionë. Me këto para u ble Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, një godinë dinjitoze, që ua ngriti kokën mërgimtarëve dhe të huajve në takimet zyrtare. (Shërbimi më parë bëhej në një pallat ku në katet e shërbimit diplomatik ndihej era e peshkut të pjekur dhe e fasuleve në zierje nga familjarët e ambasadës me banim në katet e sipërme!!!) U ble edhe një rezidencë për ambasadorin tonë në Athinë. Në këtë “mesele diplomatike”, humbësi i vogël ishte shteti shqiptar kurse humbësi dhe i nëpërkëmburi i madh ishte emigranti shqiptar, zëri i të cilit nuk u dëgjua kurrë. Ndjesë të madhe i takonte të kërkonte para “njëmijë emigrantëve” në Selanik edhe ministri Tahiri. Ndjesë dhe përgjegjësi ligjore për ndalimet në kufi të fëmijëve të vegjël, ndalim në shi e dëborë, në ngricë dhe vapë, për gabim – shkrimet në pasaportat biometrike, gabime që lidhen me toponimet, por mbi të gjitha me analfabetizmin klasik të punonjësve të firmës që i plotëson dhe i prodhon pasaportat biometrike. Askush nuk u dënua, askush nuk kërkoi ndjesë. Fajtorë mbeten fëmijët prindërit e të cilëve u detyruan, kundrejt tarifës dyfishe që aplikohet nga shërbimi për pasaportat pranë ambasadës e konsullatave, të bëjnë pasaporta të reja. Ka edhe të tjera që u takonte të kërkonin falje ministri Tahiri dhe Bushati.
Edhe ministrat e tjerë, edhe kryeministri
Një e treta e banorëve shqiptarë në mërgim presin tu kërkohet ndjesë jo me fjalë, por me vepra, me vëmendjen me përgjegjësi të plotë të një Ministrie Emigracioni dhe me ligje që burojnë nga detyrimet kushtetuese për bashkatdhetarët në mërgim. Ministrat Bushati e Tahiri, në takimet me emigrantët shqiptarë në Selanik, mund të themi se hapën fushatën për zgjedhjet kuvendare të vitit 2017, shtruan trasenë e vajtje-ardhjeve me “pjatën” e premtimeve në dorë. Mirë se të vijnë! Udhëtimi dhe shërbimi është i joni. Jo vetëm i yni si mërgimtarë, por i gjithë taksapaguesve shqiptarë.
Sigal