Engjëll MUSAI/Memoriali i Preshevës dhe “5 Heronjtë e Vigut”

617
Sigal

Heqja e monumentit të UÇMPB-së nga xhandarmëria serbe tregoi se falangat e Millosheviçit ekzistojnë në pushtetin aktual serb. Nuk mjaftoi terrori, dhuna dhe vrasjet që ushtria e Millosheviçit bëri mbi popullsinë shqiptare të Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës, por tani pasuesit e kriminelit të Ballkanit kërkojnë të harrohet historia dhe mundësia për të vendosur një tufë me lule tek varri i heronjve që luftuan për të drejtat dhe liritë e tyre. Luftëtarët e UÇMPB-së sakrifikuan jetën e tyre për të  mos lejuar përdhunimin e nënave dhe motrave nga ushtria dhe çetnikët serbë. Ata luftuan se nuk mund të duronin rrahjet dhe përdhosjen e familjarëve dhe poshtërimin e fëmijëve shqiptarë nga barbarët e Millosheviçit. Pikërisht, për këtë kontribut popullsia shqiptare që jeton dhe banon në Luginën e Preshevës  ngriti një memorial për të përjetuar pavdekësinë e luftëtarëve të lirisë. Kryeministri Ivica Daçiç, menjëherë pas heqjes së monumentit e krahasoi UÇPMB-në  me “Al Kaedën”, duke thënë se, Memoriali i Preshevës është njëlloj sikurse Amerika t’i ngrejë përmendore  “Al Kaedas”. Ky  lloj krahasimi është një turp i madh dhe se, kriminelët e ushtrisë serbe gjakosën Ballkanin dhe lanë me mijëra të vrarë e të gjymtuar në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Kosovë, Luginën e Preshevës,Vojvodinë, madje,  pjesërisht edhe në Maqedoni. Po t’i kthehemi historisë,  serbët ishin shkaktarët e fillimit të Luftës së Parë Botërore, ndërsa shqiptarët kanë reflektuar vetëm paqe dhe mirësi në tërë historinë e tyre. Forcat paqeruajtëse shqiptare kudo në botë janë dëshmia më e mirë e vullnetit  të kombit tonë për të ofruar  lirinë e vendeve të shtypura,  duke sakrifikuar  nga  diktaturat që ishin partner të Sllobodan Millosheviçit. Por ngjarja e turpshme e heqjes së memorialit të UÇMPB-së na kthejnë pas në historinë e  heronjve dhe luftëtarëve partizanë të Luftës së Dytë Botërore, që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Rastet jo të pakta të prishjes së lapidarëve të ngritur në respekt dhe mirënjohje të gjakut të të rënëve, heqja e pllakateve apo prishjet e Varrezave të Dëshmorëve  janë një kujtesë për memorien kombëtare se duke respektuar historinë e shkuar ke respektuar edhe atë që do të vijë. Heqja e monumentit të “5 Heronjve të Vigut” nga qendra e qytetit dhe  zhvendosja e tyre pranë vendgrumbullimit të plehrave të qytetit tregon denigrimin që bashkëpunëtorët e nazifashizmit kërkojnë t’u bëjnë heronjve të popullit shqiptar. Sot nuk është moment të bëjmë paralelizma megjithëse, janë të vërteta, pasi përballë kemi shovinizmin serb. Por ky realitet i trishtuar na bënë të mendohemi mirë dhe të mos luajmë me historinë, e cila është shkruar me grykën e pushkës partizane dhe gjakun e dëshmorëve. Sa do e hidhur të jetë e vërteta e bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, pasardhësit e tyre duhet të tregohen të ftohtë dhe reflektues ndaj fakteve të pakontestueshme të historisë. Shpeshherë, kur analizojmë ngjarjet më pëlqen t’i referohem një njeriu të madh dhe praktik si ish-Kryeministri britanik Uinston Çurçill,  i cili iu përgjigj disa pasardhësve të kuislingëve në kohën, kur këta të fundit tentuan të linin në harresë  kontributin anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çurçill u tha: “E vërteta është e padiskutueshme, e keqja mund ta sulmojë atë, injoranca mund ta përqeshë atë, por në fund, ja ku është ajo, triumfoi”.