Strasburgu bllokon dosjet e pronave

    471
    Sigal

    Bllokimi i dosjeve për 18 muaj nga Gjykata e Strasburgut, ka krijuar probleme për pronarët

    Ka me dhjetëra pronarë shqiptarë që nuk u është kthyer prona, apo nuk kanë marrë as kompensim e premtuar nga qeveria po sorollaten nëpër dyer e gjykatave për të marrë pronën e tyre dhe nuk po gjejnë zgjidhje. Në këto kushte një pjesë e madhe e pronarëve të ndodhur para faktit që nuk gjejnë zgjidhje ne gjykatat shqiptare i janë drejtuar Gjykatës se Strasburgut. Ku një numër i madh pronarësh kanë fituar çështjen për pronën. Por tani është krijuar një situatë kaotike për pronarët shqiptarë, pasi Strasburgu ka marrë një vendim pilot dhe rekomandon në mënyrë të nënvizuar qeverinë shqiptare që kompensimi të jetë varianti i fundit, ndërsa kthimi i tokës tek pronarët te jetë si prioritar. Por përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve shprehen për “Telegraf” njëzëri se: “Nuk është bërë asgjë për ta hedhur në veprim vendimin e Gjykatës së Strasburgut. Pronarët po sorollaten nëpër gjyqe dhe nuk po fitojnë gjë në Shqipëri”. Ndërsa çështjet që janë paraqitur pas datës 31 korrik 2012, do të ngrijnë për 18 muaj, në mënyrë që qeveria shqiptare të marrë masa dhe të gjejë zgjidhjen e këtyre problemeve. Të pyetur nga “Telegraf”, Kryetari i shoqatës “Bregdeti”, Niko Nesturi  dhe sekretari i  i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, zoti Agim Toro, Kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve, Rrapo Danushi, janë shprehen se nuk është mbyllur Strasburgu, por do të vazhdojë të dërgohen çështjet shqiptare. Por fakti që janë pushuar çështjet për 18 muaj, është një favor që i bëhet parlamentit shqiptar, për përmirësimin e ligjit. Ndërkohë që në lidhje me këtë çështje ka folur për “Telegraf” edhe Kryetari i shoqatës së “Avokatëve Penalë të Shqipërisë”, Sajmir Visha. Zoti Visha ka sqaruar se nuk është bllokuar dërgimi i dosje në Strasburg. Por më parë sipas tij pronarët duhet të ndjekin të gjitha hallkat gjyqësore në Shqipëri.

    Toro: Qeveria të zbatojë detyrat e Gjykatës së Strasburgut për pronarët

    Ndërkohë që, sekretari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, zoti Agim Toro është shprehur se: “Vendimi i gjykatës së Strasburgut, është një vendim pilot dhe e thotë në vendimin e nxjerrë që janë 80 vendime të njëjta që do të merren shumë shpejt. Prandaj Strasburgu i lë shumë detyra qeverisë shqiptare në këtë vendim. Midis të cilave kjo gjykatë ka konstatuar që shkelja e të drejtave të njeriut përsa i përket atyre detyrimeve që shteti shqiptar ka marrë përsipër për pronarët është evidente, dhe shumë shqetësuese”. Sipas tij në këtë vendim Strasburgu i vë detyrime qeverisë shqiptare që t’i përmbushë, pasi në të kundërt drejt shtetit shqiptar do të merren masa të ashpra. 80 vendimet që janë në proces përfundimtar në Strasburg do të merren shumë shpejt.

     Kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve, Rrapo Danushi

    Në Strasburg pranohen kërkesat e pronarëve shqiptarë, por do të rrinë të ngrira për 18 muaj. Ata i kanë vënë kusht qeverisë shqiptare, ndërsa çështjet që janë atje do të vazhdojnë që të gjykohen. Por ata kanë dhe shumë dosje për të shqyrtuar, por ata kanë dhe një procedurë të ngadalshme. Këtë e kam kaluar dhe vetë se kam dërguar tre çështje atje dhe i kam fituar. Por në Shqipëri ka padrejtësi edhe pse i fitojnë çështjet në gjykata vendimet nuk zbatohen. Por çështja e pronave do të zgjidhet duke respektuar kartën e të drejtave të Njeriut. Dhe pas mbushjes së afati prej 18 muajsh do të vazhdojnë që të shqyrtohen përsëri çështjet e pronarëve shqiptarë në Strasburg.

    Kryetari i shoqatës “Bregdeti”, Niko Nesturi: Do vazhdojmë t’i drejtohemi Strasburgut!

    Vendimi i Gjykatës së Strasburgut është një vendim i datës 2 korrik i vitit që kaloi. Dhe ai i ka lënë vërtet qeverisë shqiptare 18 muaj afat për përmirësimin dhe ndryshimin e legjislacionit. Dhe gjatë kësaj kohe nuk do të marrë në shqyrtim dosjet, por dosjet vazhdojnë që të depozitohen pranë kësaj gjykate nga pronarët. Pra deri tani numri i tyre ka shkuar në 600 dosje, pra dosjet dërgohen madje zihet edhe radha nga pronarët shqiptarë atje, por shqyrtimi i tyre është bllokuar siç e thashë edhe më lart. Qeveria duhet të ndryshojë ligji, pasi dihet që ajo është dënuar me 4 milion euro për çështjet e pronarëve.

    Kryetari i shoqatës së “Avokatëve Penalë të Shqipërisë”, Sajmir Visha

    Gjykata e Strasburgut pranon ato kërkesa dhe ankime nga Republika e Shqipërisë, vetëm nëse janë konsumuar të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Çka do të thotë që mbas gjykatës së Lartë, vjen Gjykata Kushtetuese, dhe nëse ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese për pranim ose mospranim, palët janë të detyruara që ti drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Pra e thënë më qartë nuk mund të shkohet drejtpërsëdrejti nga Shqipëria në Strasburg pa konsumuar të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Njerëzit kujtojnë se Gjykata e Lartë është shkalla e fundit e gjyqësorit në Shqipëri, ne kemi edhe një shkallë tjetër që ka të bëjë me respektimin dhe garantimin e Kushtetutës, që është Gjykata Kushtetuese dhe pa kaluar këtë shkallë nuk mund t’i drejtohesh një gjykate ndërkombëtare, e cila nuk ka fuqi detyruese për vendimet e Republikës së Shqipërisë. Por ka të bëjë dhe me rekomandimet që i jep qeverisë shqiptare me sistemin e drejtësisë. Nuk është e vërtetë që nuk do të pranojë asnjë dosje për shqyrtim, ne si shoqatë në muajin shkurt jemi të ftuar në Gjykatën e Strasburgut, dhe do të bëjmë trajnime në gjykatën e Strasburgut në lidhje me këtë problem. Është parimi universal ndërkombëtar, që duhet të kalohen të gjitha shkallët e gjyqësorit në një shtet dhe pastaj mund të shkohet në Strasburg. Por Gjykata e Strasburgut nuk mund të marrë në shqyrtim çështje që ka dhënë njëherë përgjigje. Nëse për një kërkese gjykata e Strasburgut është shprehur dhe ende qeveria shqiptare nuk i është përgjigjur atij vendimi, ajo nuk mund të përsëritë të njëjtën gjë, sepse sanksioni sa vjen e rritet.