Dr.Qemal Lame: Mbështja franceze për Shqipërinë dhe Maqedoninë

582
Sigal

Mendime pozitive për heqjen e vetos së Francës kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Vetoja e Francës, më 22 tetor 2019, kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tronditi menjëherë dhe në radhë të parë politikën evropiane dhe atë franceze. Me të drejtë u cilësua dhe u dënua si një gabim historik i Francës ndaj BE dhe këtyre dy shteteve. Nuk nënvleftësohen as të metat e mangësitë institucionale të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të cilat do të kërkojnë kohë për tu korrigjuar dhe plotësuar standardet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale. Shkaku kryesor është ekskluziviteti i Këshillit të Evropës me veton e një shteti që paralizon dhe bën të pavlefshëm çdo vendim që nuk arrin të miratohet me unanimitet nga të gjithë shtetet anëtare. Përderisa Evropa nuk ka përcaktuar qartë dhe nuk ka zgjidhur problemet e integrimit politik si kushti kryesor për integrimin evropian, nuk mënjanohen efektivisht anomalitë e shqetësimet që tronditin bashkësinë nga interesat e njëanshme të shteteve të saj anëtare. Kjo e metë ka sjellë pasojat e saj që nga viti 2004. Ajo u theksua menjëherë në Projektin e Kushtetutës Evropian që nuk u miratua nga të gjithë shtetet. Ajo u përsërit edhe me Marrëveshjen e Lisbonës që ishte në fakt Kushtetuta e pa miratuar. Problemi thelbësor që kërkon vlerësim, reflektim dhe zgjidhje sa më shpejt është “Votimi dhe ligjshmëria me shumicë të cilësuar votash në Këshillin e Evropës”.Shumica e cilësuar e vlefshmërisë së vendimeve, është e domosdoshme, së pari, për të garantuar veprimtarinë normale të bashkësisë. Së dyti, lehtësohet përgjegjësia e shteteve, e politikës shtetërore të shteteve që votojnë kundër. Pra i arrihet qëllimit dhe ruhen mendimet e njëanshme pa shkaktuar pasoja për bashkësinë dhe vetë shtetet kundërshtuese. Nga gazeta Financial Times, më 27 tetor 2019, është botuar një shkrim nga profesor Zhak Laidi, i cili është ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare, profesor universiteti dhe këshilltar i kryeministrit në vitet 2014-2016. Në artikull theksohet dhe argumentohet drejtë teorikisht dhe praktikisht rëndësia e votimit me shumicë të cilësuar në Këshillin e Evropës. Në këtë shkrim tërheq vëmendjen fakti se Presidenti Macron nuk është në fakt kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tërheq vëmendjen arsyetimi, se Macron ka votuar kundër hapjes së negociatave për arsye se është e domosdoshme të ndryshojnë rregullat e anëtarësimit me shumicë të cilësuar të votave, jo nga gjithë anëtarët. Në rast se ky është mendimi i vërtetë i Macron, është e domosdoshme që ai të shprehet vetë publikisht. Megjithatë, është shumë inkurajues dhe shpresëdhënës edhe publikimi i mendimit të Macron me anë të këtij eksperti të së drejtës ndërkombëtare, se Franca do të paraqesë në BE dy propozimin për heqjen e vetos për zgjerimin dhe për problemet e taksave. Problemi i zgjerimit dhe votimi me shumicë të cilësuar të votave të shteteve anëtare kërkon zgjidhje. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian është e domosdoshme të marrin kurajën për të diskutuar dhe miratuar ndryshimin e Traktatit të Lisbonës dhe të ecin me guxim drejt forcimit organizativ dhe gradualisht të arrijnë federalizimin e bashkësisë. Vetëm me këtë status shtetëror Evropa e Bashkuar që të arrijë të përballojë sfidat e zhvillimit të brendshëm dhe presionet e gjeopolitikës ku ajo kërkohet të marrë rolin e saj parësor.