Varfëri mbi…naftë!

1165
Sigal

Nga Ergys Alushi

Me gjithë përpjekjet e bashkisë së Selenicës për të mbajtur gjallë shpresën në këtë zonë, me kryerjen e investimeve modeste në ujësjellës, pastrime kanalesh e mbushje gropash apo dhe asfaltimin e rrugës së Amonicës e të Treblovës, përsëri situata kritike e krijuar në këto fshatra kërkon fonde më të mëdha, të cilat janë larg mundësive të një bashkie të varfër financiarisht siç është bashkia e Selenicës, e cila ka në administrimin e saj 47 fshatra.

53 vjet më parë, me shpimin e pusit GO u zbulua vendburimi i naftës Gorisht-Kocul. Arritjet pozitive në këtë pus krijuan perspektivë të mirë për projektimin, shpimin dhe shfrytëzimin e puseve të tjerë në të gjithë zonën, që ndikuan pozitivisht në rritjen graduale të prodhimit të naftës e të gazit. Intensifikimi në vazhdimësi i punimeve në kërkim zbulimit u konkretizua me zbulimin e dy vendburimeve të tjera, që ishin ai i Karbunarës në vitin 1979 dhe i Amonicës në vitin 1980.

Pusi i parë në Shqipëri

Por, historia e nxjerrjes së naftës në luginën e Shushicës është edhe më e vjetër. Ajo fillon në vitin 1915 kur gjeologu Italian F. Plate përshkroi për herë të parë daljen e shtresave të naftës në luginën e Shushicës pranë Drashovicës. Shenjat e naftës midis urtës së Penkovës dhe Drashovicës ngjallën interesimin e ushtrisë italiane që mbante të okupuar Vlorën dhe rrethinat e saj, të cilat i kishte pushtuar që në 25 dhjetor të vitit 1914. Në vitin 1917 në zonën e Drashovicës u dërgua nga Italia një komision ekspertësh me në kryer Leo Madalena, i cili verifikoi në vend praninë e shfaqjes së naftës dhe kreu një studim gjeologo-tektonik të zonës midis lumit të Vjosës dhe gjirit të Vlorës. Mbi bazën e këtij studimi u vendos në vitin 1918 të kryhej shpimi i parë në vendin tonë i një pusi për naftë me thellësi deri në 200 m. U prodhua 80 ton naftë me densitet 934 kg/,3

Nafta si pasuri

Shqipëria cilësohet si një nga shtetet më të pasura të Evropës në rezerva hidrokarbure. Parashikohet që në vend të jenë rreth 40 milion tonë naftë ende e pa shfrytëzuar. Vendburimi i naftës gorisht-Kocul, është një nga zonat naftëmbajtëse më të pasura në vend. Nafta nxirret ende nga 5 vendburime: Vendburimi Patos, vendburimi Ballsh, vendburimi Kuçovë, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe vendburimi i Amonicës.

Prodhimi i naftës në vendburimin e Gorisht-Koculit ka nisur në vitin 1966 kur janë nxjerrë 21 mijë ton naftë. Kulmi i këtij vendburimi është arritur në vitin 1974 kur janë nxjerrë 1 243 122 ton naftë bruto. Nga ky vit, prodhimi i naftës në Gorish- Kocul ka njohur rënie. Brenda 10 vitesh prodhimi u ul nga 1.24 milionë ton naftë në 183 mijë ton. Në vitin 2007 ky vendburim i është dhënë me koncesion kompanisë Stream Oil & Gas Limited, e cila në vitin 2003 ka prodhuar 45 775 ton naftë

Varfëri mbi naftë

Sapo hyn në fshatin Amonicë dhe përgjatë gjithë rrugës nga ky fshat deri në dalje të fshatit Vllahinë, kalon pranë puseve të naftës, ku makineritë për nxjerrjen e tyre punojnë pa pushim. Rruga që përshkon është një rrugë me çakëll, vende vende duken dhe copa asfalti të mbetura nga asfaltimi i para vitit 1990. Pluhuri që ngrihet nga makinat që kalojnë në këtë rrugë, ndot me shumicë gjelbërimin që karakterizon zonën me kodrat e ulëta të mbjella me ullinj e vreshta. Amonica, Mallkeqi, Lezhani e Gërneci që ndodhen përgjatë këtij aksi, janë fshatra që rrezikojnë deri zhdukjen e tyre për shkak të njerëzve që largohen përditë. Mungesa e rrugës, varfëria, dëmet e shkaktuara nga nafta, mungesa e krahut të punës, e perspektivës, janë disa nga shkaqet që po çojnë në boshatisjen e këtyre fshatrave. Me gjithë përpjekjet e bashkisë së Selenicës për të mbajtur gjallë shpresën në këtë zonë, me kryerjen e investimeve modeste në ujësjellës, pastrime kanalesh e mbushje gropash apo dhe asfaltimin e rrugës së Amonicës apo të Treblovës, përsëri situata kritike e krijuar në këto fshatra kërkon fonde më të mëdha, të cilat janë larg mundësive të një bashkie të varfër financiarisht siç është bashkia e Selenicës, e cila ka në administrimin e saj 47 fshatra. Banorët e kësaj zone janë ngritur vazhdimisht në protesta për të denoncuar faktin se edhe pse jetojnë mbi naftë, janë ndër banorët më të varfër, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Ata shprehen se nuk kanë asnjë përfitim për faktin se nga nëntoka e tyre nxirret naftë, e cila i pasuron të gjithë, por vetëm ata jo. Ata ndihen të rrezikuar dhe nga shembja e banesave si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të punimeve nëntokësore, të cilat kryhen pa asnjë kriter dhe larg vëmendjes së kontrollit të institucioneve përkatëse. “Nuk është çudi që ndonjë ditë, të ndodhë që banesa të tëra të përpihen nga nëntoka!”, thonë të alarmuar banorët vendas.