Kriza dhe aktualisht Lufta e Rusisë në Ukrainë ndryshuan rendin botëror dhe gjeopolitikën e superfuqive, sigurinë e paqen në botë, sidomos në Evropë. Në gjeostrategjinë e mbrojtjes së Evropës evidentohet edhe domosdoshmëria e rolit gjerman. Gjermania me aftësi të saj të kufizuar për mbrojtjen, por me kontribut të madh në Aleancën Perëndimore, do të vihej para përgjegjësisë për të transormuar politikën dhe strategjinë e saj të mbrojtjes për vendin dhe për Bashkimin Evropian.
1.Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO kanë kërkuar vazhdimisht nga Gjermania për të marrë më shumë përgjegjësi dhe për të rritur shpenzimet për mbrojtjen. Këto u theksuan sidomos në kohën e administratës së Presidentit Donald Trump, kur ai tërhoqi vëmëndjen për shpenzimet e mëdha të SHBA për aleancën dhe mbrojtjen e Evropës dhe e quajti të vjetëruar Aleancën Perëndimore. Në NATO dhe veçanërisht nga Gjermania, që bazon mbrojtjen kryesisht nga NATO u krijuan shqetësime të menjëherëshme për sigurinë dhe të ardhmen e mbrojtjes. Trump kritikoi edhe furnizimin me gaz dhe rritjen e varësisë nga Rusia nga zbatimi i projektit të Nord Stern 2 duke e cilësuar të padrejtë politikën gjermane që nuk merr gaz nga SHBA ndërsa SHBA kontribon për mbrojtjen e Gjermanisë. Kancelarja Merkel reagoi menjëherë me rritjen e kontributit për NATO-n deri në 2 për qind të GDP-së dhe bëri të qartë se do të merren masa që Evropa në të ardhmen të garantojë vetëmbrojtjen e sigurinë e saj dhe të mos varet kryesisht vetëm nga SHBA. Partnerët reflektuan në nevojën për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe theksuan se rolin dhe përgjegjësinë parësore politike dhe ushtarake të Aleancës së Atllantikut Verior për sigurinë e paqen në Evropë. Kritikat evidentuan se organizata nuk duhej vlerësuar si biznes ekonomik. Me rritjen e kontributit buxhetor të shpenzimeve ushtarake të anëtarëve të aleancës, ndryshoi edhe mendimi i administratës amerikane dhe u rivlerësua domosdoshmëria për aleancën.

- Në politikën e aleatëve perëndimorë, dallohej polemika e vazhdueshme mbi dy çështje kryesore: shtrirja e sanksioneve të mundshme në rast të agresionit rus, veçanërisht e ardhmja e gazsjellësit të Detit Baltik Nord Stream 2, si dhe dërgesat e mundshme të armëve në Ukrainë për të rritur parandalimin dhe mbrojtjen e saj.
- Qëndrimi i njohur vendosur i ish-kancelares Angela Merkel për ruajtjen e ekulibrave politike dhe mënjanimin e përdorimit të forcës ushtarake “me zgjidhje paqësore me anë të bisedimeve”, “nuk ka zgjidhje ushtarake”, nuk dha rezultatin e dëshëruar. Lufta u bë një realitet në Ukrainën lindore, si dhe më parë në Siri apo Libi, etj. Qeveria e Re Gjermane vendos ndryshimin historik epokal në politikën e mbrojtjes dhe të energjisë dhe theksoi përkushtimin për forcimin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Gjermania u bë shteti i parë që e futi në programin qeveritar federalizimin perspektiv të bashkësisë evropiane. Në mendimin politik, përfshirë edhe pacifistët u forcua bindja se kur bota ndryshon, ndryshon edhe politika gjermane. Në fjalën e tij kancelari Scholz theksoi veçanërisht që në Gjermani të mos harrohet të pyetet, se çfarë është më e mira për Evropën, për BE, jo vetëm për Gjermaninë, në Bruksel. Gjermania e shkatërruar pothuajse tërësisht në fund të Luftës së Dytë Botërore, me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara u pranua të mbetej shtet sovran, u ribë nga populli gjerman dhe u orientua në zhvillimin paqësor pa forca ushtarake. Vlen të kujtohet se ishte kërcënimi i Bashkimit Sovjetik për demokracitë e paqen, që e bëri Gjermaninë të riarmatosej pas Luftës së Dytë Botërore. Theksojmë se riarmatosja ndodhi në kushtet e Luftës së Ftohtë, që ndodhi vetëm pesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore.
Tani është kërcënimi rus për demokracitë e paqen në Evropë dhe në botë, që Gjermania vendosi të bëhet fuqi e madhe ushtarake në Evropë dhe në botë. Politika e re gjermane e mbrojtjes dhe e mospërdorimit të forcës ushtarake ndaj shteteve të tjera bazohet në parimet e Kushtetutës federale. Gjermania ka nxjerrë mësime nga e kaluara dhe ka dëshmuar se ka reflektuar duke ndërtuar shtetin e së drejtës të bazuar në demokracinë funksionale perëndimore. Prandaj ka merituar edhe mbështetjen e gjerë ndërkombëtare.

Gjermania do ta trefishojë këtë vit buxhetin e mbrojtjes. Fondit prej 49,9 miliardë eurove, do të shtohet me 100 miliardë euro të tjera. Që nga viti i ardhshëm, do të shpenzohen më shumë se 71 miliardë euro në vit, që përbëjnë 2 përqind të prodhimit të përgjithshëm. Ajo do të shpenzojë më shumë se çdo shtet tjetër evropian: do të bëhet fuqia e tretë në botë për shpenzime ushtarake, pas SHBA dhe Kinës. Fondet përcaktohen çdo vit me ligjin për buxhetin. Për këto arësye, nuk del problem as rregullimi kushtetues, pasi nuk do të arrihej marrëveshje e gjerë midis partive politike. Numri i ushtarëve në Forcat e Armatosura që do të ketë Gjermania për të përmbushur misionin e ri të mbrojtjes, ende nuk është përcaktuar dhe publikuar. Deri 31 vjet më parë, Gjermania kishte 500.000 ushtarë. Sot numri i ushtarëve është 183.758. Për strukturën e ushtrisë, Gjermania do të ruajë strukturën me ushtarë profesionistë dhe vullnetarë, të përgatitur për detyrat e kohës. Thirrjet për rifutjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kundërshtohen nga shumica e partive, të paktën për aq kohë sa nuk rrezikohet territori i Gjermanisë. Sholz e quajti prioritet absolut ndërtimin e brezit tjetër të avionëve dhe tankeve luftarake, bashkë me partnerët evropianë, veçanërisht me Francën. Deri në modernizimin dhe zhvillimin e avionëve të ardhshëm të përbashkët evropianë, për të transportuar armët bërthamore amerikane, që janë në Gjermani, Gjermania do të blejë 35 avionë amerikanë F-35. Ata do të zëvendësojnë avionët aktualë Tornado të Gjermanisë. Kancelari u shpreh edhe për blerjen e dronave të armatosura, risi kjo në Gjermani.
Gjermania kishte parashikuar që deri në vitin 2030 të nxitet dhe të arrihet zgjerimi i energjive të ripërtëritshme për plotësimin e nevojave të ekonomisë. Por deri sa të arrihet kjo sfidë, nuk mund të vazhdohet e njejta politikë. Tani po shqyrtohet kohëzgjatja e mbajtjes në punë të termocentraleve me qymyr. Njëkohësisht po shqyrtohet zgjatja e kohës së funksionimit të centraleve bërthamore dhe rivënien në punë edhe të një centrali bërthamor të mbyllur. Po krijohet edhe një rezervë kombëtare për qymyr, duke blerë në tregun botëror qymyr. Do të ndërtohen me shpejtësi edhe dy terminale në Portin e Hamburgut për të importuar gaz të lëngshëm. Me rishikimin e parimeve bazë të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Gjermania u përgjigjet kërkesave e nevojave të opinonit publik gjerman, që e mbështet fuqimisht këtë shndërrim, si dhe pritjeve të Evropës dhe të Perëndimit dhe kërkesave e pritshmërisë së tyre ndaj Gjermanisë dhe popullit gjerman. Vlen të theksohet, kuptohet dhe vlerësohet se ndryshimi i politikës gjermane të sigurisë ndodh në marrëveshje me partnerët strategjikë dhe është vlerësuar pozitivisht nga Aleanca Perëndimore, SHBA, BE. Nuk ka patur kundërshtime nga OKB apo Këshilli i Sigurimit, ku bëjnë pjesë edhe Rusia dhe Kina. Reagime të menjëherëshme të kundërta u bënë kryesisht nga qarqe majtiste në Francë që rikujtuan të kaluarën dhe ritheksuan rrezikun që paraqet “një riarmatim” i Gjermanisë. Është me vend të theksojmë se as në Francë dhe as në shtetet e tjera evropiane ose kudo në botë, nuk ka përse të ketë frikë nga ndryshimet në politikën e mbrojtjes të Gjermanisë. Rikujtojmë se Qeveritë e Francës dhe Gjermanisë bashkëpunojnë ngushtë në planifikimin dhe zbatimin e nismave politike, ekonomike e ushtarake në interesin e forcimit të Bashkimit Evropian e të Aleancës Perëndimore për të përballuar situatat e të sotmes e të së ardhmes. Të dy shtetet vlerësohen me të drejtë si fuqia mbështetëse e integrimit evropian. Bashkëpunimi i ngushtë është ruajtur edhe me Britaninë e Madhe megjithëse u largua nga BE. Gjermania është e ndërgjegjshme për nevojën që të bëjë më të njohura ndryshimet në politikën e mbrojtjes dhe atë të jashtëme dhe të qetësojë e sqarojë opinionin publik të brendshëm e të jashtëm. Ata nuk kanë pse të frikësohen nga Gjermania e sotme lidere në politikën ekonomike, që do të bëhet lidere edhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Bashkimi Evropian ka të domosdoshme një strategji të re për sigurinë evropiane dhe të qartësojë me përgjegjësi sa më parë që të jetë e mundur politikën e zgjerimit përfshirë edhe rajonet në Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor të pa anëtarësuara në bashkësi. Për këtë qëllim madhor mbetet domosdoshmëri përgjegjësia evropiane dhe vlerësimi i rolit të NATO-s dhe SHBA. Kërkohet të mënjanohet rreziku real nga politika e forcën e Putinit për të rikthyer ish Bashkimin Sovjetik e në tërësi nga gjeopolitika e Rusisë dhe Kinës, që duan të imponojnë rendin botëror me interesat e tyre për hegjemoni. BE ka mundësitë për të garantuar vetë energjinë duke vlerësuar edhe bashkëpunimin në barazi me SHBA. Projekti kërkon zbatim pa vonesë dhe mënjanimin përfundimtar të varësisë nga gazi i Rusisë, pa u krijuar varësi të reja. Ndalja e Putinit dhe e invazionit rus, moszgjerimi i agresionit ndaj shteteve të tjera, rikthimi i lirisë e paqes për ukrainasit dhe rusët mbetet përparësia e gjithë aleancës me sanksionet e rrepta financiare, ekonomike, tregtare, etj. Shtetet anëtare të BE të arrijnë të forcojnë bashkësinë si supershtet, të kenë qëndrime të përbashkëta, të përsosin përgatitjen ushtarake, të jenë edhe më të aftë për zgjidhjen në kohë të mosmarrëveshjeve e konflikteve, parandalimin e luftrave dhe garantimin e rendit, paqes e sigurisë në të mirën e gjithë evropianëve e të civilizimit të sotëm e të ardhshëm.


















