KLP zyrtarizon tre kandidatët për kryeprokuror, kur do të japin intervistat

408
Sigal

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar listën finale me tre kandidatët që kalojnë fazën e parë të përzgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm.

Në garë për kreun e prokurorisë janë Olsian Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj.

Intervistat me tre kandidatët do të zhvillohen në 13 Nëntor.

Mbledhja është mbajtur sot në praninë e nëntë anëtarëve dhe në mungesë të anëtarëve Besnik Cani dhe Nurihan Seiti.

Në bazë të nenit 148/a të Kushtetutës, të nenit 22 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 17/pika 4 të rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e listës me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore sipas rendin alfabetik si më poshtë:

1. Arta Marku
2. Fatjona Memçaj
3. Olsian Çela

Kandidatët të listuar në këtë vendim do të vazhdojnë garën e mëtejshme për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky vendim është miratuar me shumicë votash.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, njofton se në datën 13 nëntor 2019 duke filluar nga ora 9,30 do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik.

Në zbatim të nenit 19, pika 1 te rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video.

Kandidatët do të njoftohen nominalisht dhe në adresën e postës elektronike që ata kanë deklaruar në momentin e aplikimit.