Dilaver Goxhaj: Lufta e Selenicës, 1 prill 1943, ku qyteti u çlirua nga okupacioni armik

373
Ja veprimet e para të kryera nga çetat partizane të Vlorës e të Mallakastrës kundër minierave të Selenicës
– Veprimet e çetave partizane të Vlorës e të Mallakastrës kundër minierave të Selenicës, dhanë sinjalin e lirisë
Sigal

 

Prej ndryshimit të sistemit shoqëror në vendin tonë, krahas gjithë përmbysjeve të tjera, kanë dalë edhe një kategori personash, pinjollë të ish kolaboracionistëve gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, që po mundohen ta përmbysin tërë të vërtetën e asaj lufte shpëtimtare me interpretime dhe sajesa nga më dinaket. Mirëpo, sikundër thotë dhe Francis Bacon, nuk ka rrezik më të madh për historinë e një kombi, se kur njerëzit dinakë i shikon dhe i beson për të urtë. Kjo kategori “historianësh”, më në krye z.Uran Butka, përmes botimeve të përditshme të tyre po mundohen të na bindin se luftën kundër pushtuesve italianë e kanë zhvilluar kryesisht forcat e Ballit Kombëtar dhe jo Fronti Nacionalçlirimtar! Ndërsa periudhën e luftës kundër pushtuesve nazistë, ngaqë prindërit e tyre u bënë haptas aleatë me ta, duan ta quajnë luftë civile. Dhe kjo ndodh ngaqë e vërteta e fakteve, e cila gjëndet me vështirësi e që kërkon studime, kjo e vërtetë është e huaj për ta. Një prej “të vërtetave” të tyre është edhe përpjekja për përvehtësimin nga ana e Ballit Kombëtar të autorësisë së Luftës së Selenicës, Vlorë, zhvilluar në 1 prill të vitit 1943. Në pamje të parë këta “historianë” duken se “e duan” të vërtetën, por e keqja e tyre është se të vërtetën nuk duan ta njohin. I tillë është edhe rasti për këtë luftim.

Dëshmia e parë e kohës së ngjarjes

Se cilat ishin rrethanat e zhvillimit të Luftës së Selenicës na e sqaron gazeta “Zëri i Popullit”, Nr.18, e majit 1943, në të cilën shkruhet: “Pas veprimit të parë të kryer prej çetave partizane të Vlorës e të Mallakastrës kundër minierave të Selenicës, fuqitë qeveritare qenë shpartalluar dhe kështu Selenica kish mbetur e çliruar nga okupacioni armik. Çeta i kishte vënë disa kondita Shoqërisë italiane të Minierave të Selenicës (S.I.M.S.A.) për përmirësimin e konditave të jetës së puntorëve. Shoqëria angazhohej gjithashtu që të mos kërkonte fuqi qeveritare në ndihmë. Autoritet fashiste duke ndier se prestigji i tyre kishte humbur krejt me rënien e Selenicës në duart e partizanëve, pasi Selenica ishte një nga vëndet minerare më me rëndësi të okupatorit të Shqipërisë, vendosën të dërgojnë një fuqi të madhe prej dyqind karabinierësh të armatosur mirë, për të sulmuar dhe ripushtuar Selenicën. Lufta filloi ditën e 1 prillit, në orën 12 e 30 të mesditës.” Ndërsa në tekstin e Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të vitit 1975, thuhet: “Më 1 prill 1943 pushtuesit nisën nga Vlora në drejtim të Selenicës një kompani karabinierësh (150 vetë) të përforcuar nga dy toga mitralierësh (65 vetë), nën komandën e një nënkoloneli karabinierie. Këto forca kishin marrë për detyrë të ripushtonin minierën dhe të vendoseshin aty në mbrojtje të kantjerëve të saja, të cilat duhej të rifillonin menjëherë nga nxjerrja e bitumit. Trupat fashiste shkuan me automjete deri te ura e Penkovës mbi lumin Shushicë… Ndërkaq, komanda e Çetës Plakë të Vlorës kishte marrë të gjitha masat e nevojshme… Ajo kishte zënë pozicione mbi kodrat në lindje e në perëndim të minierës duke krijuar kështu një xhep, ku mendohej se do të futeshin armiqtë. Qe njoftuar me ngutësi edhe Çeta Plakë e Mallakastrës, e cila mbriti menjëherë dhe u vendos në buzën e djathtë të lumit Vjosë, në Selishtë, përballë Selenicës… Rreth orës 13.00, kur karabinierët italianë ndodheshin në fushë të Selenicës… ata kishin rënë në rrethim. Nga jugu, juglindia e jugperëndimi i sulmonin luftëtarët çlirimtarë të Vlorës, nga veriu i godisnin me zjarr luftëtarët çlirimtarë të Mallakastrës….. Luftimet me sulme e kundërsulme vazhduan afër katër orë e gjysëm… Nga kazani përvëlues ku qenë futur mundën të dilnin, natën, vetëm një oficer dhe disa karabinierë të veçuar… Në luftimet që u zhvilluan në Selenicë më 1 prill, forcat kryengritëse kishin vrarë më se 50 karabinierë e ushtarë armiq, kishin kapur robër rreth 80 të tjerë, midis të cilëve katër oficerë, kishin zënë një plaçkë lufte mjaft të pasur…” (Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar 1939-1944”, Tiranë, 1975, v.1, f.369-371)

Hysni Kapo, nismëtari i luftimit

Që u thirrën me ngutësi edhe forcat e Çetës Plakë të Mallakastrës, këtë na e vërteton edhe Letra e Hysni Kapos dërguar Mehmet Shehut disa orë para asaj beteje: “Shoku Vjosa! Ushtria po vjen në Selenicë. Mundësisht do i presim. Çeta ndodhet në Karbunarë. Afroi se mund të kemi nevojë për ndihmë në rast zjarri. Nuk kam asnjë njeri me kë të konsultohem… Është e domosdoshme prita, përndryshe u del krejt frika. V.F.L.P. Të fala Besniku. 1 prill 1943” (AQFA, Fondi “Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, Fl.21)

“Në luftimet që u zhvilluan në Selenicë më 1 prill, forcat kryengritëse kishin vrarë më se 50 karabinierë e ushtarë armiq, kishin kapur robër rreth 80 të tjerë, midis të cilëve katër oficerë, kishin zënë një plaçkë lufte mjaft të pasur…”

 

Privatizimi i luftimit prej Isuf Luzaj

Si në komunikatën e “Zërit të Popullit”, dhe në tekstin e Historisë së LANÇ-it si dhe në letrën e H. Kapos, nuk përmenden aspak forcat e Ballit Kombëtar. Megjithatë, një prej kuadrove të larta të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj, në kujtimet e tij pretendon se atë luftë e ka zhvilluar ai me forcat e komanduara prej tij dhe jo forcat partizane! Dhe ja çfarë shkruan ai: “Edhe më vonë, në luftën e Selenicës, që planifikoi, komandoi dhe fitoi Isuf Luzaj me çetën e vogël 38 vetëshe, kundër 127 karabinierëve, pesë oficerëve dhe komandant kolonel Ricit, Partia Komuniste, Xharxhanezi (Qani Shena), erdhi në perëndim të diellit kur kishin filluar të dorëzoheshin karabinierët e pararojës. Në Shkozë arriti Hysni Lepenica, Skënder Muçua, me Mehmet Shehun dhe Ibrahim Dervishin. Arritën sa për të bërë gabimin trashanik që u dorëzuan kryepleqësisë së Hekalit dhe Drizarit robërit e gjallë që t’i mbanin nën rojë derisa të sqarohej ultimatumi që Isuf Luzi i dërgoi kont Salvonit në Vlorë, me pak a shumë këtë tekst: “Keni 30 ditë kohë të vendosni: ose do të çlironi nga burgjet dhe fushat e përqëndrimit të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, ose ne do të ekzekutojmë kolonel Ricin me të pesë ficerat e kuadrot”… Porse lajmi nga Tirana erdhi vonë, sepse robërit italianë, këshilli i Hekalit e i Drizarit, ia dorëzoi Mehmet Shehut, i cili i pushkatoi, pa u marrë vesh me Ballin Kobëtar.” (Isuf Luzaj: “Filozofia e bukurisë” pjesë ditaresh, esse dhe rrëfime për veten”, OMBRA GVG, 2009, f.91-92). Sikundër shihet Isuf Luzaj nuk e sqaron se kush i kapi robërit dhe, së dyti, në fjalinë e fundit të tij kemi një nonsens: “lajmi erdhi vonë se robërit i pushkatoi Mehmet Shehu pa u marrë vesh me Ballin”(!). Nga kush e priste lajmin? Kuptoje po deshe. Mirëpo, është po ky Isuf Luzaj që pak rreshta më poshtë e demanton “luftën e madhe” të forcave të Ballit, kur thotë: “Hasan Dosti dhe Faik Quku, nën këshillën dhe influencën e Thoma Orogollait, qëndronin besnikë të Jakomonit. Këtë të vërtetë e kam të provuar nga vetë zevendësmbreti i Shqipërisë, kur e njoha së afërmi në kështjellën e tij, më 1948. Unë isha atëherë mësonjës i letërsisë frënge në Frozinome dhe Ati Superior i Institutit Françesko Martini, mik i Jakomonit, më vuri në kontakt me ish zevendësmbretin, tani qytetar i thjeshtë, që jetonte në pallatin e tij në Bulole të Frozinomes. Për konsekuencë, politika, nëse quhet politikë, e “Ballit Kombëtar” ndahej në dy drejtime. Më një anë, MIT’HATI, me shpresë të afrohej me aleatët, me anë të disa zhurmave të pak pushkëve, që do të hidhnin kundër Italisë. Mit’hati mundohej të merrte kontakt me aleatët por kurrë s’ia arriti. Më anë tjetër, Mit’hati pranonte Akordin – Këlcyra Dalmacio: mos më qëllo, të të mos qëlloj. Lufta e Selnicës e dëmtoi këtë akord, siç më tha më vonë Aliu.” (I. Luzaj,Po aty, f.93-94).

Le të mësojmë se çfarë thotë Sekretari i Përgjithshëm i BK

Një bashkëdrejtues i lartë i Ballit Kombëtar, së bashku me Isuf Luzaj, madje edhe epror i tij, Sekretari i Përgjithshëm i BK, Faik Quku, Isuf Luzajn nuk e përmend aspak si komandant çete të Ballit, por thjesht si propagandist të saj. Kështu që, atë çka shkruan Isufi, Faiku e demanton. Ja çfarë shkruan Faik Quku: “… Hysni Kapos i vjen një letër, me të cilën e lajmërojnë se një forcë italiane do të vinte në Selenicë. Letrën ia tregon Qenanit, i cili e pyet se çfarë të bënte. Hysniu i përgjigjet: “Asgja, sepse nuk kam forca. Po ty?” Hysniu gjithashtu e pyet Qenanin se çfarë do të bënte dhe ky i kthen të njëjtën përgjigje. Një baon Italian, i përbamë prej 500-600 vetë, vjen në shtëpi të Osman Haxhiut, djeg disa shtëpi bujqish dhe internon 12 vetë. Dërgon në Selenicë forcën e karabinierisë, që kishte marrë me vete, me 257 karabinierë, me një nënkolonel, një kapiten Italian dhe një toger shqiptar, Tahsin Spahiun nga Luma. Siç duket, italianët kishin në plan me organizue një operacion në Selenicë. Më 1 prill Qenan Hysi me çetën e tij i del në pritë para Selenicës dhe vendoset në gatishmëri luftarake, në tre grupe, në formën e një trekëndëshi, gjithsej 26 vetë me 4 mitraloza të lehtë. 9 vetë të tjerë i len mbrapa për sigurim. Luftarët kishin vetëm nga 250 fishekë. Hysni Kapo ndodhej rreth një orë larg. Forca e karabinierisë, e nisur prej Picari, gjatë rrugës vrasin tre partizanë. Në orën 12 e 45’ forcat e karabinierisë bien nën zjarrin e çetës së Qenanit. Lufta vazhdon deri në orën 18 e 20’. Hysni Kapo me 16 vetë vjen në orën 18, kur italianët kishin fillue me u dorzue e me u çarmatosë. Në orën 18 e 15’ vjen edhe Çeta Plakë, e përbame prej 40 vetësh. Mbasi mbaron lufta vjen edhe Mehmet Shehu nga Mallakastra. Mbetet i vramë një partizan dhe një ballist i plagosun. Prej italianëve: 13 kalojnë lumin e Vjosës, 13 mbyten në lumë; karabinierët e tjerë me tre oficera dorëzohen. Merren shumë armë e material lufte. Të gjithë robërit ishin në dorë të Ballit, përveç toger Tahsin Spahiut. Mir’po, Jonuz Luzaj, propagandisti dhe nji nga eksponentët e çetës së Hysni Lepenicës, ia dorzon partizanëve të gjithë robërit, me përjashtim të tetë karabinierëve dhe dy oficerave. Arsyeja nuk dihet. Jusuf Luzaj më ka deklarue që këta robër ia dorzoi komunistave nji roje që i kishte në ngarkim. Kështu, ballistat shkëmbyen nënkolonel Bizin e kapitenin me toger Tahsin Spahinë. Qenani i nis për Karbunarë tetë karabinierë me materialin e marrun. Mbasi i mbajnë disa ditë nëpër shtëpi, i lirojnë. Forcat e Ballit dhe të Nacionalçlirimtares shkojnë në Mallakastër. Të nesërmen në mbramje, në nji luginë të Romsit, partizanët i mbysin me thika të gjithë robërit. Mbahen vetëm dy oficera për me i shkëmbye me rreth 15 partizanë të burgosun. Me që italianët nuk pranojnë, i ekzekutojnë edhe këta. Për t’u shënue asht se nënkoloneli asht tregue shumë trim dhe me dinjitet i ka përbuzë komunistat”. (Faik Quku “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941- 1944), “ILAR”, 2006, v.2,f.188-190). Nëse do ta merrnim të mirëqenë atë që na thotë Faiku: “Të nesërmen në mbramje, partizanët i mbysin me thika të gjithë robërit”, këtë duhet ta kenë bërë bashkë me Ballin, pasi në fjalinë pararendëse për pushkatim, Faiku na thotë: “Forcat e Ballit dhe të Nacionalçlirimtares shkojnë në Mallakastër.” Cilën fjali t’i marrim për të vërtetë Faik Qukut?! Ndërsa në f.41 të këtij libri, Faik Quku shkruan se “natën e 2-3 prillit, në një luginë të Romsit të Mallakastrës u mbytën me thika ma se 200 karabinierë italianë”! Gjë që len të kuptojmë se BK nuk ka luftuar fare. Por kemi edhe një koinçidencë interesante midis Faik Qukut dhe Isuf Luzaj, edhe pse kujtimet i kanë shkruar njëri në Kanada e tjetri në SHBA, e në kohë të ndryshme. Edhe Faiku e pohon me sinqeritet se çetat e Ballit nuk i kanë sulmuar asnjëherë forcat italiane: “Çetat e Ballit, deri në Marrëveshjen e Mukjes, kanë luftue për mbrojtjen e popullit… ato janë përpjekë mos me provokue forcat e anmikut, gjithnji në mbrojtje të popullit. Ndërsa çetat komuniste, të quejtuna Nacionalçlirimtare, kanë ba vetëm aksione… Gati të gjitha luftimet janë provokue prej çetave komuniste”. (Po aty,f.224).

Një tjetër Muço bej

Ndërsa Hasan Dosti, anëtari tjetër i KQ të Ballit Kombëtar, e hiperbolizon “fitoren” e Ballit në Selenicë, ku na paskan vrarë gati një divizion karabinierie italiane: “E me të vërtetë an’emb’anë Shqypnisë u banë prej anës së Ballit aq aksione energjike sa qi anmiku u hutue. Lufta e Selenicës: U rrethuen ma se 2500 ushtarë t’anmikut; nji pjesë u vra në luftë, pjesa tjetër u zu rob, u çarmatos dhe u la e lirë”. (Hasan Dosti: “Një jetë për çështjen shqiptare”, botart, 2008, f.124). Por, me sa duket, edhe Hasan Dosti, kur ka shkruar këto kujtime do ketë qenë në ndonjë moment kthjelltësie dhe tregon të njëtën gjë për “luftën e madhe” të Ballit: “Ushtarët në të cilët BK kishte vënë të gjitha shpresat, nuk dëgjuan urdhërat e oficerave, muarën armët dhe shkuan në shtëpitë e tyre. Kjo ngjau nga mungesa e aftësisë së oficerave, të cilët na ishin mburrur shumë.” (Po aty, f.89). Gjë të cilën e konfirmon plotësisht Sekretari i Përgjithshëm i BK, Faik Quku, i cili thotë: “Çetat e Ballit ishin të paorganizuara e të padisiplinuara, iu mungonte gjerarkia e drejtimit…Balli, tue mos u militarizue, por tue mbetë si turmë bashibozukësh, do të dobësohej gjithnji e ma tepër, në luftën kundër pushtuesit, do të vinte tue u demoralizue dhe tue ra në nji gjendje gjithnji e ma inferiore karshi Nacionalçlirimtares.”, (F.Quku, vepër e cituar, v.2,f.124,169).