Miranda RIRA/ Opozitë e çalë apo e çarmatosur?!

587
Sigal

(Deputete e LSI-së)

Edhe në këtë sesion të ri parlamentar të Legjislaturës së Tetë, opozita sërish vendosi të bojkotojë Parlamentin e të mos marrë pjesë në seancat parlamentare. Ashtu siç u tha edhe në media, në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të partisë demokratike, ka pasur debate brenda grupit, midis disa deputetëve të opozitës, dhe kryetarit të partisë, edhe për faktin se një pjesë e tyre janë vënë në dijeni për vazhdimin e bojkotit, vetëm disa minuta para se të fillonte mbledhja. Që pas zgjedhjeve të qershorit, duket sikur Partia Demokratike akoma se ka marrë veten. Ka pasur edhe disa përsiatje për protesta popullore, por që ishin të destinuara të dështonin, pasi duket sikur edhe vetë qytetarët janë tashmë të lodhur nga thirrjet: Nano ik! Berisha ik! Rama ik!  Kjo sjellje politike e opozitës të çon në dilemën e një çështjeje ontoligjike të saj: A është opozita e sotme një konstrukt i fortë politik apo ajo gëlon midis kufijve të një qenie të çalë e të çarmatosur? Para pak ditësh, opozita u etiketua si një luan në kafaz. Duke besuar në naivitetin e këtij epiteti të bërë nga një simpatizantë e PD, njerëzit mund të pyesin veten, nëse opozita e sotme është një luan, një leviathan, një bishë, apo një kafshë tjetër e pyllit, p.sh, një lepur i trembur nga “dhuna” e maxhorancës. Perceptimi më i afërt është ai i një klloçke, që i kanë humbur zogjtë e që vjen vërdallë duke kakarisur e duke kërkuar të gjejë vetveten. Është e qartë  se Partia Demokratike ka humbur vizionin e saj. Në rastin kur një ushtri humb betejën, është lideri apo udhëheqësi i saj që inkurajon turmat e lodhura, gjë të cilën kryetari de jure i Partisë Demokratike nuk mund ta bëjë, sepse ai nuk ka ardhur në krye të saj si një lider legjitim. Edhe vetë brenda grupit, ka pasur aludime dhe dyshime se në fakt votimi për kryetar partie ishte thjeshtë një farsë, pasi gjithçka ishte e paracaktuar, e paravendosur nga para ardhësi historik dhe despotik i PD. Kundërshtime të tilla shfaqen sidomos z.Patozi, znj. Doda, i ndjeri z. Olldashi, etj. Gjithsesi, si një beniamin i liderit historik të PD, Z. Basha arriti të vijë në krye të partisë, po kjo jo domosdoshmërisht e ktheu atë në një lider të saj, në një frymëzues të idealeve demokratike. Pa përmendur këtu edhe skandalet në të cilat është përfshirë z.Basha kur ishte ministër, si p.sh vjedhja e miliona eurove në Rrugën e Kombit, urdhri për vrasjen e katër protestuesve në 21 Janar, marrja e Bashkisë se Tiranës vetëm me 10 vota, etj. Në këto kushte, marrëdhënia e tij me deputetët e të njëjtit grup politik, me rivalët brenda partisë, me ata që kanë apo jo të njëjtat bindje politikë bëhet gjithnjë e më e vështirë. Kjo marrëdhënie dialektike, sa vjen dhe shkërmoqet. Në fund, ai shfaqet si një lider jo karizmatik, pa vizion dhe pa ideologji, duke u munduar të bëjë edhe punën  e krye bashkiakut edhe atë të liderit partiak, e duke mos shkëlqyer në asnjërën prej tyre. Pse opozita ka bojkotuar parlamentin? Pse sa vjen dhe atrofizohet? Dy fjalët më të përdorura nga vetë opozitarët janë dhunë dhe oligarki. Pse opozitarët flasin për dhunë, dhunë, dhunë, kur kryetarit de facto të Partisë Demokratike, deputetit të PD, i është dhënë koha për të folur sa herë ai ka dashur të shprehë vanitetin e tij apo vullnetin politik të forcës që përfaqëson? Imagjinoni nëse kryetari i sotëm i Kuvendit do të përdorte një gjuhë të tillë verbale si pararendësja e tij duke thënë: ‘kape prej zhelesh dhe nxirre jashtë’. Tani, kush është dhunë verbale, psikologjike apo emocionale, fjalia e mësipërme, apo fjalët “me qetësi”. Modeli i sotëm i drejtimit parlamentar, vjen në kontrast të thellë me qeverisjen e djeshme të Kuvendit. Nëse opozita vazhdon të bojkotojë Kuvendin, si do ta bëjë ajo opozitarizmin? Nga hotelet apo lokalet e vendit? Nga Facebook-u? Sjella e opozitës tingëllon shumë qaramane, : “nuk vijmë në Kuvend sepse dhunohemi”, dhunoheni nga kush, përse, për çfarë? “Nuk vijmë për shkak të oligarkisë Rama-Meta”. Për çfarë lloj oligarkie e keni fjalën? Për sistemin kleptokratik që rrënjoset aq thellë në 8 vjet e që sot nuk çrrënjoset dot? Në Virxhinia, guvernatori rrezikon 30 vite burg sepse pranoi disa dhurata nga një kompani farmaceutike. Ndërkohë, në vendin tonë u hodhën në erë 26 njerëz të pafajshëm, u vranë në mes të bulevardit 4 baballarë fatkeq, dhe asnjë gjemb nuk ju hyri në këmbë autorëve. Gjithçka ndodhi, mbante erë mafie politike, familjarë të përfshirë në biznese vdekjeprurëse. Ngjarje të tilla ndodhin vetëm në vendet afrikane me sisteme politike tiranike dhe autoritare. Për këtë model e keni fjalën kur pohoni fjalën oligarki?! Apo për sistemin despotik, ku gjithçka vërtitej rreth 1-it dhe çdokush kishte frikë të fliste atë që mendonte? Analiza politike krahasuese e djeshme dhe e sotme, kërkon kohë për ti vënë në një emërues të përbashkët dhe për të evidentuar dhunën e djeshme dhe atë të sotme, kleptokracinë e djeshme me oligarkinë e sotme. Ligjërimi politik i dalë nga zyrat e zëdhënësve apo kampeve politike, shpesh bëhet bajat dhe amoral. Prandaj, opozita duhet të lërë mënjanë binomin: dhunë-oligarki, dhe t’i kthehet arenës së debatit e konstruktivitetit. Sa më larg Parlamentit dhe komisioneve parlamentare, aq më e çalë do të bëhet ajo. Kjo sjellje politike qaramane dhe naive, do të ishte vetëm një katarsis për të.