Ardhja në pushte e komunistëve, nacionalistët dhe operacionet e CIA-s

655
Prof. Thanas L. Gjika 

Portret biografi kushtuar gazetarit Frank Shkreli
Frank Shkreli e njeh mirë historinë e popullit shqiptar, prandaj ai di të vlerësojë si duhet vepra shkencore me temë historike. Kështu ai ndalet dhe analizon veprën e Kol Bib Mirakajt “Vetëvrasja e një kombi”, ku jep fakte të jetuara për jetën politike të Shqipërisë në vitet 1939 – 1950. Parathënien e librit e ka shkruar Fritz Radovani i cili, pasi tregon se familja Mirakaj ka kaluar 950 vjet burg gjatë diktaturës komuniste, e vlerëson librin si material dokumentar të dorës së parë për historianët tanë. Kol Bib Mirakaj nuk mohon që ka qenë në funksione shtetërore gjatë pushtimit fashist, por përmes faktesh ai tregon se forcat e Ballit Kombëtar dhe ato të Legalitetit, si dhe intelektualët e pavarur me formim Perëndimor, kanë përgjegjësinë kryesore për kalimin e pushtetit në duart e Partisë Komuniste në nëntor 1944. Sipas tij forcat e djathta në Shqipëri bënë gabim që bashkëpunuan me forcat komuniste gjatë viteve 1942 – 1943 (Konferenca e Pezës dhe Mbledhja e Mukjes, f. 158). Sipas tij edhe vetë Aleatët Perëndimorë nuk e vlerësuan lëvizjen komuniste ashtu si ishte ajo në të vërtetë, “lëvizje e imperializmit pansllav (f.157) dhe kështu ajo u rrit e fitoi terren në Europën Qendrore dhe Jug-Lindore. Vepër tjetër që vlerësohet në këtë libër është “Luigj Gurakuqi në një optikë të re” i Kolec Çefës, botuar me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Gurakuqit, atdhetarit që e mbrojti popullin dhe Shqipërinë me mençuri, energji dhe dinjitet, i cili, thekson studiuesi Çefa “ishte kundër politikës orientale nga brenda dhe kundër politikës kolonizuese nga jashtë” (f. 59). ai e ngre zërin për një vlerësim më dinjitoz të kësaj figure kombëtare, që duket sikur po harrohej me rastin e 90-vjetorit të vrasjes. Edhe autori i recensionit z. Shkreli ngul këmbë në domosdoshmërinë e përkujtimit të jetës dhe veprës së Luigj Gurakuqit, sepse mospërmendja e tyre shpie në varfërimin e vlerave tona kombëtare, intelektuale dhe shpirtërore, kurse përkujtimi është në dobi të interesave tona të brendshme dhe të jashtme (f. 60). “Krijimi i Kosovës”, vepër e studiuesit të ri Prof. Elton Skendaj pedagog i Shkencave Politike në “Miami University” Shkreli ia përmend kualifikimin dhe faktin se ky autor ka botuar shumë artikuj prestigjozë politikë në shtypin amerikan, se ai e përgatiti këtë libër pas 10 muajsh pune në Kosovë dhe se kjo vepër është vlerësuar prej disa studiuesve amerikanë. Me rëndësi të veçantë për historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare është dhe vepra e re e Ndiçim Kullës “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807 – 1957 vol. 1-3”. Kjo vepër e rëndësishme përfshin pjesë nga shkrime të 75 intelektualëve shqiptaë të atyre viteve. Mendimet e tyre i përkasin botëkuptimit të djathtë. Duke qenë të spikatura, Shkreli i vlerëson duke bërë një pyetje retorike: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre properëndimore?” (f. 409). Si studiues dhe sociolog optimist që është, Frank Shkreli sqaron se idetë demokratike të intelektualëve të shquar, të cilët u mundën prej Partisë Komuniste, humbën një betejë por jo vlerat e ideve dhe të ideologjisë së tyre. Ai sjell mendimin e Ernest Koliqit, të cilin e takoi në Romë më 1968 në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Mendimtari Koliqi i pati thënë djaloshit Frank se Shqipëria pas vdekjes së Heroit Kombëtar u pushtua prej osmanëve, por drita e veprës së tij e ringjalli kombin tonë dhe e drejtoi drejt lirisë. Duke qenë se Frank Shkreli beson në forcën e ideve përparimtare, është i një mendjeje me z. Ndriçim Kulla, autorin e kësaj enciklopedie, se edhe mendimet e ndritura të intelektualëve shqiptarë properëndimorë të shekullit të XX-të, të cilët e humbën luftën, do ta ndihmojnë popullin tonë të gjejë rrugën e vet të rigjenerimit dhe “do të ecë drejt krijimit të një Shqipërie tjetër… të dijes e të përparimit” (f. 410). Me interes është dhe recensioni i librit anglisht të Albert Lulushit “Operacion Valuable Fiend” (“Operacioni, kundërshtar i dobishëm”, ku sqarohen nën një interpretim të ri sakrificat dhe dështimi i aksioneve të diversantëve shqiptarë të cilët nën drejtimin e CIA-s amerikane u hodhën në Shqipëri gjatë viteve 1948 –1953 me synimin qëllimmirë për të përmbysur regjimin brutal komunist të Enver Hoxhës. Deri sot është thënë se shkaktar në dështimin e këtij operacioni, ka qenë agjenti i dyfishtë Kim Filbi. Albert Lulushi e pranon këtë fakt, por ai bën shkaktar të dështimit edhe grupet politike shqiptare që vepronin në emigracion. Këto grupe i bashkonte urrejtja ndaj regjimit komunist, por i përçante politika e tyre e ndryshme dhe lakmia për të qenë sejcili forca kryesore me qëllim që nesër të qeveriste Shqipërinë. Kjo pëçarje e grupeve politike reflektohej edhe te vetë diversantët, të cilët shpesh herë grindeshin midis tyre, gjë që ndikoi negativisht në zbatimin e operacionit edhe mbas largimit të Kim Filbit nga detyra në vitet 1951 – 1953… Shumë të dashur janë për Frank Shkrelin edhe veprimtarë të tjerë të shquar të kulturës dhe historisë shqiptare, si At’ Shtjefën Gjeçovi mbledhës dhe studiues i Kanunit të Lek Duakgjinit; Dedë GjoLuli një nga kryetrimat e luftrave për liri nga zgjedha osmane; Luigj Gurakuqi krahu i djathtë i Ismail Qemalit; Isa Boletini luftëtari i pashok i Kosovës; trimëresha Tringa Ismajli dhe të dijshmit Fan Noli, Mit’hat Frashëri; Baba Rexhebi, Dom Simon Filipaj përkthyes i “Biblës” shqip, etj. Për sejcilin prej tyre ai jep ngjarje pak të njohura dhe vlerësime origjinale. Si njohës i mirë i veprimtarisë atdhetare të diasporës shqiptare në Amerikë, ky autor vlerëson me artikuj përkujtimorë, ose me recensione veprash figura të shquara si Xhevat Kallajxhiun, të cilin e quan dekan i gazetarisë shqiptare demokratike, Profesorët Arshi Pipa shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe pedagog i Letërsisë Italiane në Universitetin e Minesotës; Sami Repishti një nga krerët e intelektualëve shqiptarë të diasporës sonë në SHBA si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; Dr. Elez Biberaj shef i departamentit të Euro – Azisë në Radio Zëri i Amerikës dhe autor i librave “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” dhe “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” përmbledhje me artikuj të rëndësishëm; Idriz Lamaj gazetar në Zëri i Amerikës dhe autor i shumë studimeve dhe i veprës “Vatra dhe vatranët”, etj. Guximi dhe qartësia e shprehjes së mendimeve si tipar dallues i këtij gazetari bie në sy në të gjitha shkrimet e tij edhe në ato që po shkruan sot. Ai ka kritikuar veprimet jo demokratike të shtetarëve të Ballkanit, por edhe të SHBA-ve. I tillë është rasti i këtyre ditëve, kur ai u bashkua me ata senatorë e kongresmenë që kritikuan presidentin Donald Trump për urimin që i bëri me telefon Vladimir Putinit për zgjedhjen e tij shef i Kremlinit. Edhe Frank Shkreli e kritikoi këtë veprim si një urim i panevojshëm për zgjedhje jo demokratike.
* * *Si përfundim mund të themi se Ministria e Kulturës dhe ajo e Arësimit e Republikës së Shqipërisë dhe ministirtë korresponduese të Kosovës duhet të përgatisin të paktën një vëllim me shkrime të zgjedhura të këtij gazetari dhe ta botojnë në shumë kopje, sepse leximi i të tillë shkrimeve ndihmon në formimin e masave të gjera me një botëkuptim demokratik të vërtetë. Kurse studentët e degës gazetari pranë universiteteve shqiptare do të ndihmoheshin dhe në plan praktik për të përvetësuar modele shkrimesh me ide të guximshme, me gjuhë të matur e të argumentuar, larg sharjeve e fyerjeve, që hasen në gazetarinë shqiptare që prodhohet në Shqipëri e Kosovë.