Patriotët e rrejshëm dhe qeshja djallëzore

414
Sigal

Nga Bujar Nishani

Në këto ditë të një makthi kolektiv global, shqiptarëve iu servir edhe njëherë propaganda tymuese për të fshehur dhe topitur vuajtjet e shtuara padrejtësisht prej paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë të qeverisë së tyre.

Edi Rama vendosi të dërgojë në Itali si ndihmë një grup prej 10 mjekësh dhe 20 infermierësh (sipas deklaratës qeveritare).

Në pamje të parë duket një reagim humanitar dhe angazhim ndihmues.

Por duke parë keqpërdorimin politik të qeverisë të aktit të kryer prej vetë asaj, kupton se çfarë përmban në të vërtet kjo sjellje.

Nuk ka asnjë dyshim që çdo shqiptar është e do të jetë gjithmonë i gatshëm të mbështesë çdo angazhim solidariteti, ndihme e bashkëpunimi ndaj Italisë dhe popullit mik italian.

Zemrat dhe lutjet tona janë me ta !

Kjo për shumë arsye !

Që nga lidhjet dhe afiniteti historik midis dy popujve, tek fakti që Italia ka shërbyer gjithmonë si porta komunikative e shqiptarëve me perëndimin dhe civilizimin perëndimor e deri tek momenti i paharrueshëm historik kur Italia dhe Greqia pritën dhe integruan jo mijëra por qindra mijëra shqiptarë tek kërkonin shpëtim mes përpëlitjes së dëshpërimit, në fillim vitet ‘90.

Çdo shqiptar do të ofrohej, solidarizohej e duartrokiste çdo investim dhe ndihmë me impakt real për këtë vend mik !

Por në rastin e Edi Ramës kishim qartazi një gjest. Në raste të tilla kanë vlerë edhe gjestet por gjestet që shërbejnë për të ngjallur shpresën, besimin, forcën dhe energjitë pozitive.

Një gjest që synon të fsheh mizerjen, varfërinë, korrupsionin, karakatinën e zhvatur nga babëzia, paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë që ke shkaktuar në vendin tënd, një gjest që synon kompleksimin e shoqërisë tënde ndaj realitetit mizerabël që i ke shkaktuar e ku heshtjen ndaj së cilës duhet ta kompensojë me daullet shurdhuese të turmës partiake të ideologjizuar.

Në këtë rast, ky është një gjest i rrejshëm!

Filozofinë e këtij gjesti e zbuloi përmes një pyetje, një prej gazetarëve në bisedën ku kishte ftuar Edi Ramë, në fakt për t’i thurur ditirambën e radhës.

Kur gazetari ju drejtua kryeministrit në lidhje me dërgimin e grupit të mjekëve në Itali se “thonë që je mjeshtër për të shitur shtrenjtë një rrangallë”, ishte plotësisht domethënëse pantomima zgërdhesëshe e kryeministrit si përgjigje për gazetarin !

Në fakt ato pak sekonda të asaj pyetje dhe përgjigjes pantomimike ishte zbërthimi i plotë i gjithë filozofisë së atij gjesti që nuk kishte të bënte aspak me ndihmën dhe solidaritetin ndaj italianëve por me kompleksimin dhe tulatjen e shqiptarëve.

Kryeministri shqiptar synoi të tulatë shqiptarët që të harrojnë pse janë vendi më i varfër në Evropë, pse vendi i tyre është një prej 3 vendeve më të korruptuara në botë bashkë me Laosin dhe Sierra Leonen, pse atdheu i tyre është kthyer në hambarin e trafikut ndërkombëtar të drogës, pse shteti i tyre është shembulli i kapjes së pushtetit nga krimi i organizuar, etj.

Propaganda e orkestruar që e pasoi, qartazi synonte kompleksimin e një shoqërie të tërë për të mos denoncuar shtirjen dhe gjestin kamuflues pasi do të anatemoheshe si antisolidarë i pashpirt dhe si antipatriot.

Historia jonë ka treguar mirë se çfarë janë në të vërtetë patriotët e rrejshëm dhe kujt i kanë shërbyer.

Jo shumë kohë më parë kujtojmë marshimin e Edi Ramës në rrugët e Parisit me 3 lapsat me ngjyrat e flamurit francez ne xhep, si solidaritet me gazetarët viktima të terrorizmit ekstremist.

Por sot pak kohë prej saj, kemi parë se ai është armiku më i madh i gazetarëve antikomformistë e kritikë të tij në vend.

E kemi parë këtë “dashnor” të madh të solidaritetit me gazetarët francezë si njeriun që fyen, denigron, shantazhon, dënon në gjyqet e gjykatave të kapura, gazetarët kritikë të tij dhe denoncues të korrupsionit skandaloz.

Sot, pak kohë pas atij gjesti në Paris kemi parë se Edi Rama është i vetmi kryeministër në Ballkan që ka hyrë në konflikt me Evropën për ligjin e mediave.

Po aq vetë denoncuese ishte dhe propaganda e turmës që kurdisi pas atij gjesti.

Propaganda që synonte imponimin e të rrejshmes përmes kompleksimit të denoncuesve të mundshëm me ndërsimin e turmës së tij të ideologjizuar.

Kur sheh se megafoni më i çjerrë dhe daullja më shurdhuese e këtij gjesti është Ymer Bazja, një hajdut ordiner dhe gjobvënës bisnesmenësh, kupton fare mirë thelbin e atij gjesti.

Nuk e thonë kot shqiptarët “më thuaj me kë rri, të them se cili je”!

Një kryeministër që me sa duket tentoi t’u thotë shqiptarëve dhe italianëve se sa shpirtkazëm e të pamëshirshëm janë qeveritë e Gjermanisë, Francës, Britanisë, Austrisë, Holandës, Danimarkës etj., përkundër shembullit rrezatues të Rusisë, Kinës, Kubës dhe Shqipërisë, ka fyer vetë dimensionin e solidaritetit dhe ka difektuar edhe gatishmërinë e atyre njerëzve që shkuan të ndihmojnë.

Ndërkohë në Shqipëri vdekjet nga pandemia rriten çdo ditë, duke u bërë vendi me numrin më të lartë të vdekjeve në gjithë rajonin tonë e nga ana tjetër izolimi po krijon situata dramatike për familjet në nevojë si dhe pensionistët e vetmuar që nuk kujtohet askush ti ndihmojë.

Se sa shumë mund t’i dhimbset Italia dhe populli italian njeriut që kurdisi copëtimin e Kosovës në favor të Serbisë dhe “bosnjezimin” e Shqipërisë në shërbim të albanofobëve, e kupton fare mirë sot çdo shqiptar normal kudo ku jeton!

Prandaj pyetja në sinqeritet e sipër e gazetarit dhe qeshja djallëzore po në sinqeritet inkoshient e Edi Ramës shpjegoi gjithçka nga ky gjest përballë shqiptarëve.

Kështu që dilema sot para shqiptarëve ngrihet: a duhet duartrokitur zotësia e shitësit që arrin “të shesë shtrenjtë një rrangallë që po u merr frymën te gjithëve” apo duhet kapur prej veshi dhe izoluar “hajduti i pjatave në një shtëpi të varfër”?

Zgjedhja mbetet e shqiptarëve !