Edhe një herë për ndërtimin e Teatrit Kombëtar

886
Abaz Hoxha
Historian i kinemasë

Ndoqa me shumë interes paraqitjen nga ana e kryeministrit E. Rama të projektit të teatrit të ri Kombëtar. Më bënë përshtypje në veçanti dy gjëra: 

1. Si është e mundur që ky projekt për të cilin para 10 ditëve është thënë që nuk ekziston dhe pa pritur paraqitet i plotë dhe i përfunduar? Disa herë është deklaruar nga kryetari i bashkisë, ministrja e kulturës dhe kryeministri se nuk ka asnjë projekt. Kjo tingëllon qartë, se personelit artistik i është vënë para një fakti të kryer dhe, se është vendosur më parë ndërsa diskutimet u bënë sa për sy e faqe. 

2.- Si është e mundur që ky projekt paraqitet nga kryeministri si fakt i kryer dhe nuk është marrë fare mendimi i personelit artistik që do punojnë atje? Kjo tregon se nuk është përfillur fare mendimi i aktorëve, tregon një megalomani dhe prepotencë nga ana e kryeministrit që hiqet se i di të gjitha, është kompetent për çdo gjë dhe vendos vetë për gjithçka, karakteristikë që e ka treguar në të gjitha fushat që vendos vet dhe s’pyet askënd, dhe monopolizon çdo gjë sikurse edhe që mbas këtij veprimi fshihen qëllime shumë të dyshimta. Në hartimin e projekteve madhore me rëndësi kombëtare para se të arrihet në projektin përfundimtar, qoftë edhe si projekt ide kalohet në disa faza. 

Meqenëse kam drejtuar të gjitha ndërtimet e kinostudios të filmave artistikë sikurse edhe objektin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit po ju jap përvojën time në këtë fushë. Fillimisht po theksoj se, qoftë projekt-idenë, qoftë detyrat e projektimit nuk i bën, as kryeministri, as ministri, as drejtori i një institucioni, por me të merren specialistët e sektorit që detyrimisht duhen të konsultohen me personelin që do ta shfrytëzojë atë objekt. Për ndërtimin e studios të filmave artistikë që do të ngrihej më thirri ministri i Arsimit, Thoma Deliana dhe më ngarkoi të drejtoja grupin e projektimit. Në atë kohë unë drejtoja sektorin e kinemave dhe kisha shumë probleme me furnizimin me filma të një rrjeti të gjerë të kinemave që ishin ndërtuar në të gjithë Shqipërinë, me përkthimin dhe subtitrimin e filmave të huaj, me kontrollin teknik dhe udhëheqjen metodike të gjithë rrjetit kinematografik. Prandaj i thashë, nëse duhej ta lija atë detyrë. Ai më urdhëroi se do t’i bëja të dyja, duke qenë se kisha qenë për gati 11 vjet më parë dhe si krye/inxhinier i kinostudios. E kisha të vështirë, si për ngarkesën, ashtu edhe për njohurit e kufizuara, ndonëse kisha një përvojë në drejtimin e kinostudios në të gjitha proceset e prodhimit të filmave, prodhimi i të cilëve kishte filluar të zgjerohej. Kisha edhe një përvojë të shkurtër disa mujore kur kisha punuar në studiot kinematografike të Barrandovit në Pragë, Çeki. Puna e parë ishte hartimi i projekt-idesë, grumbullimi i informacionit duke u konsultuar gjerësisht me kineastët, regjisorët, inxhinierët e zërit, skenografët, operatorët, laborantët etj. Mbas kësaj hartova programin dhe projektin teknologjik të funksionimit të çdo hallke, mbasi flitej për një kompleks që nga atelierët e xhirimit, studio e regjistrimit dhe sinkronizimit, sektorin e montazhit, repartet ndihmëse të ngritjes të dekoreve, dhomat e aktorëve, repartet e kostumerisë, rrobaqepësisë, të rekuizitës, të grimit dhe në veçanti një qendër të furnizimit me energji elektrike si për ndriçim ashtu edhe për ndriçimin e dekoreve gjatë xhirimit, me sistemin e mbrojtjes nga zjarri, të kondicionimit të ajrit dhe, në veçanti, në përpunimin akustik të mjediseve të xhirimit për të krijuar një mjedis të shurdhër ku të mos kishte përqendrime, kumbime dhe jehonë të zërit që pengonte xhirimet sinkron. Rëndësi të veçantë kishin edhe dimensionet e atelierit në mënyrë që të punohej paralelisht me turne e që, ndërsa një grup xhironte, turni i dytë ngrinte dekorin e skenës tjetër dhe grupi i tretë ishte i gatshëm të çmontonte dekorin kur kishin përfunduar xhirimet. Kjo ishte e domosdoshme, mbasi ne nuk kishim mundësi të ndërtonim shumë atelie. Po kështu duhesh menduar për skelat e ndriçimit dhe vendosjen e prozhektorëve në tavan dhe izolimit nga zhurmat e jashtme, si bubullimat gjatë kohës së keqe dhe zhurmave të tjera që pengonin xhirimet sinkron. Mbasi u hartua projekti teknologjik u shtrua për diskutim në kolektivin krijues të Kinostudios dhe vetëm atëherë u përgatit detyra e projektimit që iu dërgua Institutit të projektimit dhe u ngrit grupi i projektimit ku, përveç arkitektëve Kostaq Sahatçi dhe Pandeli Borova, inxhinierit të instalimeve hidro-sanitare, Pullumb Nishani dhe të elektrikut, Bardhyl Mullai gjithnjë isha në dispozicion për sqarime edhe unë si teknolog që sqaroja çdo pyetje të mundshme. Problemi i dytë ishte vendi ku do ndërtohej, mbasi kinostudiot nuk ndërtohen afër zonave të banimit për arsye të krijimit të zhurmave reciproke por njëkohësisht edhe në afërsi për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë për sigurimin e burimeve te energjisë elektrike furnizimit me ujë, shfrytëzimin e mjediseve të xhirimit në eksterier, mundësive për sigurimin e figurantëve sa me afër dhe për të eliminuar ekspeditat e largëta dhe të kushtueshme për xhirimet jashtë atelieve, ndërtimet e dekoreve në natyrë. Për këtë unë kërkova që kinostudio e filmave artistikë të ndertohej në zonën ku sot është blloku i ndërtesave në zonën “Komuna e Parisit”. Atje kishte mundësi të mëdha për furnizimin me energji elektrike mbasi ishte pranë nënstacionit elektrik tek Qyteti i Nxënësve, ishte pranë parkut zoologjik dhe botanik, pranë liqenit artificial dhe parkut kombëtar si dhe universiteteve që do të ishin objekte te xhirimit. Këtë kërkesë nuk ma pranonin as kinostudio dhe as organet drejtuese, prandaj bëra përpjekje të mëdha për t’i bindur. Për këtë organizova një shfaqje filmi ku ftova ministrin, zëvendësministrat, drejtorin e përgjithshëm të urbanistikës, kryearkitektin e Tiranës, drejtorin e policisë zjarrfikësve, drejtorin e arkitekturës, disa drejtorë ndërmarrjesh ndërtimi etj. Filmi ishte një bashkëprodhim midis Gjermanisë Perëndimore dhe studiove rumune “Beteja për Romën”. Pas shfaqjes më pyetën, se pse e shfaqa këtë film. Ju thashë që ky film është xhiruar komplet në atelierët e studiove rumune “BUFTEA” dhe në eksterierët për rreth studios pa pasur nevojë të ekspeditave. Meqenëse pata përsëri rezistencë këmbëngula dhe organizova një konsultë me personalitetet drejtuese që drejtoheshin nga zv/kryeministri që ishte edhe inxhinier ndërtimi. Ua mbusha mendjen dhe shkuam në vendin që propozova dhe ata u bindën që të ndërtohej atje dhe firmosën edhe vendimin përkatës të qeverisë për lejen e ndërtimit. Por fatkeqësisht, për një mosmarrëveshje me kryeministrin ky vendim u pezullua dhe nuk pati askush kurajën ta ngrinte çështjen përsëri, kështu që u ndërtua aty ku është sot. Theksoj se ndërsa ndërtimi i atelieve kishte përparësi anën teknologjike dhe jo paraqitjen e jashtme, në rastin e teatrit kombëtar kanë përparësi të dyja, si ana funksionale, ashtu edhe paraqitja e jashtme, mbasi kemi të bëjmë me një objekt që përfaqëson kulturën e një kombi. I theksova të gjitha këto, se për ndërtimin e objekteve kaq të rëndësishme, në radhë të parë duhet të flasin specialistët dhe personat që do punojnë në këto objekte, të cilët i dinë të gjitha detajet që janë ndeshur gjatë punës dhe do të punojnë në ato objekte dhe as administratorët dhe aq më pak ministrat e kryeministrat. Për sa i përket problemit tjetër që u shtrua për diskutim unë jam i mendimit se, ai teatër duhet prishur se ka qenë ndërtuar si një ndërtesë provizore, por edhe për faktin se nuk përfaqëson ndonjë objekt që ka të bëjë me një Teatër Kombëtar. Por njëkohësisht ai teatër ka një histori të suksesshme ku kanë filluar dhe janë rritur disa breza aktorësh shumë të suksesshëm, ku janë shfaqur shumë kryevepra të dramaturgjisë, prandaj ka vlera të jashtëzakonshme historike që duhen ruajtur si një Muze i teatrit. Prandaj në teatrin e ri mendoj se duhet të jetë një sallë e veçantë ku të vendoset një maket i madh i teatrit ekzistues sikurse dhe një muze i aktorëve dhe veprimtarisë të dramaturgjike. Ndërsa për ndërtimin e disa kullave për rreth teatrit jam kategorikisht kundër, se ato bien ne diskordancë me stilin e konceptuar ne projektin Italian me ndërtesa në rrafsh horizontal. Në rast se duan të ndërtojnë kulla, le t’i ndërtojnë ato në zgjatimin e bulevardit të ri. Tirana boll është betonizuar, të mos vazhdohet më tej. Ndërtesat e reja ndoshta edhe shumëkatëshe të ndërtohen anës bulevardit të zgjatuar, ndonëse mendoj se po bëhen dertime vetëm për të pastruar paratë, se Tirana ka shumë apartamente ende te lira (rreth 4000-5000) dhe nuk e di se kujt do t’i shërbejnë ato ndërtime sikurse edhe ndërtesat shumëkatëshe kur sot kemi shumë të tilla të ndërtuara me vend e pa vend dhe institucionet e ndryshme private po punojnë edhe sot shumica nëpër apartamentet që kanë marrë me qira dhe janë të lira. Qendra e Tiranes nuk duhet prishur. Në qoftë se duam të ndërtojmë një Tiranë të re me kulla, le ta bëjnë në zgjatjen e bulevardit siç ndodh për shembull edhe te komshinjtë tanë. Beogradi i vjetër nuk është prishur dhe as betonizuar por në vazhdim është ndërtuar një qendër e re me koncepte të sotme.

Shënim: Maketi i studiove është bërë mbas ndërtimit nga arkitekt Zhani Canco.Ndërtesa tjetër është një pamje ballore e Arkivit Shtetëror Qendror të Filmit


Sigal