Vangjush Saro: Përse vriten shqiptarët?…

525
Sigal

Ndonjëherë, teksa lexon e dëgjon për kaq shumë vrasje, vdekje, atentate, mbytje, lëndime, ngushëllon veten se kudo ndodhin aso, se mediat i fetishizojnë ngjarjet për interesat e tyre, se fundja vetë jeta e shqiptarëve është zhvendosur në shumë vende, në një sërë modele, kështu që duhet të përballemi me këtë realitet të ashpër. Por kjo ndjenjë e përkohshme shfajësimi dhe kjo përpjekje etike e profesionale për të mos bërë panik, sakaq i lëshojnë vendin trishtimit…  Jeta e shqiptarëve është bërë e pasigurt; kjo ‘histori’ ka kohë që emetohet, ka shumë kohë. Problemi është që nuk po tregohet siç duhet dhe nuk po mpaket ende; përkundrazi, ka marrë ‘tatëpjetën’. Vetëm në atentatin e fundit në Tiranë – një qytet i molepsur tashmë për nga ndërtimet e frikshme dhe ngjarjet e rënda – janë lënduar, më e pakta, dy të pafajshëm dhe të papërzier në ngjarje: një i mitur dhe një qytetar italian. Vrasjet (më e fundit në Bathore) janë në nivel të lartë, dyfishi i të njëjtave episode në BE; Shqipëria është e dyta në rajon, sa i takon kësaj tabloje. (“Statistikat janë zemra e demokracisë.” S. Strunski)

Përtej fatkeqësive që solli (si kudo) Covid 19, ne regjistrojmë çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të habitur, lëndime e vdekje të njëpasnjëshme, a thua se i kemi të tepërt njerëzit. Në aksidente rrugore, në vrasje mafioze, në humbje jete në ujëra për të cilat nuk përgjigjet askush, në atentate e larje hesapesh me njëri-tjetrin për shumë arsye – disa të mbartuara nga viti i errët ’97 – shqiptarët po ‘kositen’. Dhe autoritetet, qeveria më së pari, nuk e kanë për gjë të heshtin, të justifikohen, të bëjnë të paditurin, madje të të vërsulen me tërbim se po ‘nxin realitetin’, siç thuhej dikur. Jo, nuk po e nxin kush, është vetë ashtu, i errët, i nxirë, i sterosur vende-vende.

Një qytet dikur relativisht i qetë, si Elbasani, është bërë i frikshëm; vrasjet pasojnë njëra-tjetrën, grupet kriminale veprojnë haptazi, mediokriteti me të cilin përcillen të gjitha këto, është i padurueshëm, a thua jemi në ndonjë provincë të humbur e jo në ‘kërthizë të Shqipërisë’. Meqë ra fjala për këtë qytet, ishte atje dikur një komisar i hekurt (Edmond Koseni) që të ‘zgjuarit’ tanë, të lidhur me krimin, e shtynë tutje, e lanë pa punë, e dënuan, e diskriminuan… Këtyre nuk iu duhen njerëz si ai djalë, Koseni, që merrej mirë dhe profesionalisht me krimin, nga grupet e sofistikuara të drogës e prostitucionit gjer edhe tek ai që fishkëllente gomat e makinës në mes të njerëzve në bulevard; dhe këta ‘trima’ Koseni i bënte zap, me ligj dhe me mënyrat e tij, sy për sy e grusht për grusht. (Mos kujtoni se në vende të tjera, edhe në ato më të përparuarat, policët dhe hetuesit sillen si zonjusha me shkelësit e ligjit e të rendit. Jo. Kërcet huri, të ikën koka, ta dini mirë.)

Vazhdojmë me numeracion trishtues. Një qytet historik, turistik, me vlera të pacënueshme kulturore e qytetare si Shkodra, gjithashtu ka humbur qetësinë… (“Në një punë të vështirë, dërgo njeriun e sprovuar.” Sadiu) E njëjta histori, me grupe kriminale që duan të kontrollojnë ‘bizneset’, që japin e marrin për të zgjidhur konfliktet e tyre idiote, që nuk ngopen së pastruari paratë, etj., dhe në këtë pamje katran prapë Koseni nuk është… E kanë nxjerrë në pension. E kanë flakur. E dini pse? Sepse iu prishte punë; iu prish punë. Sepse del atje papritur i biri i një deputeti (si disa kohë më parë i një të tilli socialist) dhe do të bëjë ligjin: me të dashurën, me familjen e saj, me rrethin shoqëror, me punonjësit e policisë, me rendin, me shtetin e kapur. Kaq është. Koseni është pushuar, është mënjanuar. (Besoj, lexuesit e nderuar e kuptojnë simbolikën dhe që nuk është fjala thjesht për një personazh të njohur.)

Një pjesë e madhe e humbjeve njerëzore vijnë nga aksidentet dhe pakujdesitë në vende pushimi, sidomos në det. Mbyten njerëz që kanë shkuar me pushime dhe këtu veç kronika e zezë ka punë. Se duhet të ketë ndonjë kullë vrojtimi, se duhet të ketë disa roje të përgatitura për çdo rast, se duhet të vendosen ‘flamuj’ e simbole paralajmëruese sipas motit e dallgëve, për këto nuk mendon askush. Shumica e plazheve janë ‘rumpallë’, nëse mund të flasim një fjalë që dikur e përdorte për kundërshtarët e tij kryeministri i sotëm i shqiptarëve, z. Edi Rama, i cili gjithnjë ka pasur fjalor të pasur; (nuk është lojë fjalësh).

Shqiptarët vriten e lëndohen për shumë arsye; disa prej dramave janë të pashmangshme, disa kanë të bëjnë me vetë jetën e tyre, me zgjedhjet që ata bëjnë, me dritëshkurtësinë e tyre, me temperamentin… Shqiptarët vriten për motive që ndonjëherë duken të afërt me prapambetjen e përgjithshme: larja e hesapeve, veprimi i bandave, sokëllimat e kohërave të vjetra… Por është po kaq e vërtetë se shteti nuk i mbron si duhet qytetarët e vet.  Ata vriten e lëndohen sepse shteti i tyre është i dobët, sepse qeveria e tyre është edhe vetë e pasigurt, sepse ata që drejtojnë janë të zot vetëm për fraza bombastike dhe për të vënë përpara kundërshtarët politikë apo ata në media. (“Shumë prej atyre që kryejnë akte të turpshme, mbajnë fjalime frymëzuese.” Demokriti)

Këto dekada të fundit, treguan se qytetarët nuk kanë asnjëlloj ‘autoriteti’ mbi institucionet dhe shtetin; ato iu shërbejnë oligarkëve dhe familjeve të tyre. Kur të ndryshojë ky raport, atëherë mund të kemi më shumë shumë shpresë për mirëqenie dhe më pak vrasje e lëndime.