“Skandaloze prekja e Kushtetutës”, Panariti thirrje qeverisë: Partia në pushtet nuk duhet ta lejojë këtë

275
Sigal

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka reaguar për vendimin e maxhorancës për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë që të hapen listat e deputeteve në zgjedhjet e ardhshme.

Por sipas ish-deputetit të LSI-së është skandaloze të prekësh Librin Themeltar të Shtetit në një kohë që mungon Gjykata Kushtetuese.

“Është skandaloze dhe e pafalshme të prekësh Kushtetutën në mungesë të Gjykatës Kushtetuese!

Në këto kushte pavarësisht vlerave të qëndrimeve teorike parimore të gjithsecilit lidhur me sistemet apo votimin preferencial, nuk mund të shkohet përtej konsensusit politik të pesë Qershorit për reformën zgjedhore!

Sepse nuk mund të preket Kushtetuta kur mungon garanti i saj. Nëse nuk duam ta çojmë vendin në anarki!

Këtë e kanë kuptuar partnerët tanë strategjikë të cilët kërkuan miratimin e marrëveshjes pa vonesë.

Për këtë arsye, në absurdin e madh të një vendi pa Gjykata supreme dhe ku legjitimiteti i çdo pushteti dhe i proceseve demokratike është në pikëpyetje të rëndë, çdo orvatje për ndryshime të Kushtetutës është skandaloze.

Nuk lipset të jesh jurist për ta kuptuar këtë.

Besoj se ka mbetur ende një fije përgjegjshmëria te Partia në pushtet për të mos e lejuar këtë”, theksoi Panariti.