Rroftë pra Salep-Sulltani!/ Javën tjetër shqiptarët i pret një lumë propagande

234
Sigal

Nga Dr. Erion Dasho (ekspert i shëndetit publik)

Ardhja e 400 mijë testeve të shpejta antigjenike për COVID do të paraqitet si dhurata më e bukur e Krishtlindjeve që mund të kishin imagjinuar qytetarët e sëmurë dhe të varfëruar shqiptarë.

Ndërsa deri tani janë shitur si “shpëtimtarë”, muret e lyera me bojë dhe një grusht mjekësh dhe infermierësh (të stërmunduar dhe, fatkeqësisht, edhe të stërpërdorur si objekte propagandistikë), tashmë tema do të ndryshojë.

Nga makineria e paturpshme e propagandës qeveritare pritet kthimi i pllakës dhe paraqitja e testimit deri dje “të panevojshëm”, si “shpëtimtar”.

Do të anashkalohet me siguri një detaj “i vogël”. Ndërkohë që në tregun e sotëm farmaceutik 400 mijë teste të shpejta antigjenike mund të sigurohen me 1 milion euro, shqiptarët deri tani kanë paguar:

– Miliona euro për testimin në privat!

– Miliona euro për kujdesin shëndetësor në banesë!

– Dhjetëra milionë euro për medikamente (e provuar me rritjen e importeve)!

– Dhjetëra milionë euro për trajtime jashtë shtetit (qindra çarter sanitarë të nisur vetëm drejt Turqisë)!

Do të mjaftonin për të paguar testet-dhuratë Krishtlindjesh vetëm gjobat e vjela për mosmbajtjen e maskës në publik, të cilat tanimë e kanë kaluar vlerën 1 milion euro!

***

Duhet kuptuar diçka!

Në këtë pikë ku ka arritur epidemia, qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë për qeverinë dhe sistemin e kalbur shëndetësor!

Më keq se kaq nuk ka ku shkon dhe ky dhjetor është realisht kulmi që mund të arrijë një epidemi e tillë në një vend me popullsinë, dendësinë dhe karakteristikat e tjera të Shqipërisë!

Ajo që duhej të kishte bërë dhe nuk e bëri qeveria, tashmë nuk hyn më në punë!

Në muajt që vijnë, shqiptarët e kanë vetë në dorë të mbajnë mend apo të harrojnë peripecitë e këtyre muajve nën COVID!

Mjekët dhe infermierët mund të zgjedhin t’i gëzohen rritjes së pagës dhe të harrojnë 20 kolegët e vdekur, pjesa më e madhe e të cilëve humbën jetën nga vdekje krejt të parandalueshme!

Qytetarët mund të harrojnë se si prisnin para dyerve të spitaleve dhe nuk merrnin dot informacion mbi familjarët e shtruar, se si rendnin pas bombolave të oksigjenit, ose se si mblidhnin borxhe për të paguar çarterin që do të transportonte familjarin e sëmurë drejt shpresës!

Propaganda e 400 mijë testeve do të synojë pikërisht harresën e këtyre peripecive, 3 mijë jetëve të humbura dhe 100 milionë eurove të shpenzuara!

Në se këto harrohen:

“Rrofshin, pra, Salep-Sulltanët!!!”

I meritojmë…