Gazetarja Desada Metaj, ka denoncuar kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi se i ka dërguar mesazhe intimiduese në lidhje me shkrimet e bëra ndaj institucionit që ai drejton.
Në një status në rrjetet sociale, Metaj, shkruan se është kontaktuar personalisht nga kryetari i KQZ-së, z. Ilirjan Celibashi, lidhur me këto shkrime.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas një statusi të gazetares Desada Metaj, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se ka marrë mesazhe intimiduese nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Kjo për arsye se Metaj ka publikuar në portalin VNA disa shkrimi investiguese per tenderat e dyshmite që Celibashi ka kryer si titullar i Institucionit.
Pas këtyre pretendimeve AGSH ka reaguar në mbështetje të gazetares Desada Metaj ku shkruan:
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është njohur me pretendimet e gazetares Desada Metaj, sipas së cilës, pas publikimit nga VNA të dy shkrimeve investigative mbi një procedurë tenderimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ajo është përballur me telefonata dhe mesazhe nga kreu i KQZ-së, z. Ilirjan Celibashi, si dhe me një përpjekje për ta kontaktuar përmes një subjekti të përfshirë në tender.
Çdo zyrtar publik ka të drejtën të kundërshtojë një raportim, të paraqesë dokumente dhe të kërkojë korrigjimin e pasaktësive. Megjithatë, komunikimi duhet të jetë institucional, transparent dhe pa gjuhë apo veprime që mund të perceptohen si presion ndaj gazetarëve. Përpjekja për të ndikuar nëpërmjet personave të tretë, , është e papranueshme dhe cenon rëndë pavarësinë editoriale.
AGSH i kërkon z. Celibashi dhe KQZ-së të japin një sqarim publik mbi pretendimet e ngritura dhe t’i përgjigjen raportimit me fakte e dokumente zyrtare. Institucionet publike kanë detyrimin të garantojnë transparencë, llogaridhënie dhe respekt për punën e medias, veçanërisht kur bëhet fjalë për përdorimin e fondeve publike”, thekson në njoftim AGSH.






















