Shpend Topollaj: Mirënjohja për sportistin e shekullit Petrit Murzaku

466
Sigal

In memoriam/ Ai figuron si pjesmarrës i 68 takimeve  të volejbollit, me skuadra si ish-B.S, Kinës, Çekosllovakisë, Rumanisë, Hollandës, Egjiptit

PETRIT MURZAKU, sportisti  që do mbahet mend gjatë

-Në klubin sportiv “Partizani”, si volejbollist në vitet ‘52-‘64, shpallet 10  herë kampion, fitues i tre kupave Republike

– Ai cilësohet një nga pesë volejbollistët më të mirë të shekullit, duke fituar njëkohësisht anketën e 10 sportistëve më të mirë, 6 herë rradhaz.

– Në basketboll, në vitet ‘52-‘56 ekipi i tij shpallet katër herë kampion kombëtar dhe një herë ka fituar kupën e Republikës

SHPENDI TOPOLLAJ

Duke rrëmuar në reliktet e pafund të shokut e mësuesit tonë të mrekullueshëm, Petrit Murzakut, me qëllim që të gjeja ç`ka më duhej, për të përgatitur fjalën që do të mbaja, me rastin përvjetorit të lindjes së këtij djaloshi të përhershëm, njeriu të rrallë dhe sportisti fenomenal, më tërhoqi vëmendjen një dedikim i  plot  53 vjetëve më parë që çifti petërburgas Valentini dhe Valentina, kishin lënë me rastin e 20- vjetorit të Petjas, në faqen e parë të romanit të Jevgeni Fedorovit të titulluar “Brezi i  gurtë”. Më shumë se rastësi, m`u krijua përshtypja, se kjo zgjedhje e këtyre njerëzve të thjeshtë, qe një profeci, pasi me rezultatet që arriti  për më shumë se dy dekada, palestrave, pedanave, pistave, ringjeve e pishinave të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, ky “Mjeshtër sporti” i vitit 1953, “Mjeshtër i madh” i vitit 1987, “Nder i sportit Shqiptar”, “Qytetar nderi” i Tiranës, u bë një nga gurët e granitit në themelet e brezit të gurtë të sportistëve tanë, të cilët për lavdinë e Shqipërisë, vunë jo vetëm aftësitë e tyre fizike dhe talentin, por dhe shpirtin e pastër dhe atdhetar.

Është një koincidencë e bukur, lindja e Petrit Murzakut, ditën e verës, pra më  14 Mars 1932, në Tiranë, në gjirin e një familje, në traditën e së cilës qe mbajtja hapur e derës, për luftëtarët e lirisë. Falë kësaj koincidence fatlume, ai me sa duket ruajti tërë jetën një përzemërsi e dashuri njerëzore për shokët e një buzëqeshje të lehtë miqësore të përhershme që hijeshon si fllad pranveror, atë fytyrë simpatike  që Ciceroni e quan pasqyrë të shpirtit, ku fare lehtë lexohet vullneti e vendosmëria. Po ashtu, edukata që mori në familje, e bën të burrërohet para kohe dhe pasi merr armën në moshën 12 vjeç, rreshtohet në  Brig. e 17 Sulmuese, ku për guxim e trimëri, s`mbetet pas partizanëve të tjerë. Si u çlirua vendi, në Mars të vitit 1945, pra sapo u krijua shkolla ushtarake “Skënderbej”, Petriti fillon studimet në këtë shkollë, ku shumë shpejt bie në sy të Ali Kastratit, Rexhep Ramës e Izet Çanit, të cilët përcaktojnë të ardhmen e tij. Katër vitet e kaluara në shkollën “Skënderbej” të cilës sa më shumë i ikën koha aq më shumë i shtohet shkëlqimi, lanë mbresa të pashlyeshme te Petriti. Këtu ai lidhi miqësi me djem të ardhur nga çdo anë dhe që nxorën nga gjiri i tyre, veç te tjerash, aq e aq mjeshtra të mëdhenj të sporteve. Dhe vetëm ata që kanë jetuar midis skënderbegasve, e dinë se ç`gjë e shenjtë është për ta miqësia e farkëtuar në përpjekjet e përbashkëta të tyre, për t`u bërë sa më të vlefshëm për me të çmuarën e më madhështoren gjë që kemi: Shqipërinë.

   Në fotografitë e atyre viteve, Petrit Murzaku gati nuk t`a mbush fare syrin.

Veç shpirtin e ka zjarr; i shkathët e i palodhur asnjëherë, ai stërvitet kudo e me këdo, deri sa merr pamjen fizike të një gladiatori të vërtetë, për të mos thënë se tek e shihje me shtizë në dorë, këtë gjigant plot hijeshi, 10 vjet rresht kampion kombëtar në këtë garë, të kujton Medaurin, atë hyjninë ilire, siç përshkruhet në mbishkrimet e gjetura në Rizonin antik, në kalanë ku dikur qe strehuar mbretëresha Teutë. Katër vitet e shkollës “Skënderbej” ndikuan fuqishëm në formimin e karakterit të pamposhtur të Petrit Murzakut. Ato vunë në provë serioze mundësitë sportive të tij. Ai u bë shpejt i njohur mes shokëve, si futbollist, basketbollist, atlet, skermist e boksier. Emri i tij filloi të dëgjohet përherë e më shpesh edhe në shkallë vendi, pasi tani ai merr pjesë në futboll, krahas emrave të famshëm, në ekipin e “Partizanit”, kurse në vitin 1948-1949 ekipi i basketbollit ku luante Petrit Murzaku, shpallet nënkampion kombëtar.

Në këtë kohë Petriti dërgohet në shkollë të lartë në ish- Bashkimin Sovjetik dhe atje në Leningradin e atëhershëm, ndjek seancat përgatitore të kombëtares ruse në volejboll, aso kohe kampione bote. Ai stërvitet me mjeshtrat e mëdhenj Kostandin Reva, Shagin, Evladian etj., tërheq vëmëndjen e tyre, mëson elementë të panjohur teknikë e taktikë nga volejbolli modern dhe me t`u kthyer në Atdhe, ky oficer i ri, pas të cilit do të linte mendjen çdo vajzë, si emërohet në klubin sportiv “Partizani”, i futet me pasion të veçantë këtij sporti, gjersa me shokë të tjerë si Vangjel Koja, Napolon Llalla, Shefqet Kau, Egon Gjadri, Fatmir Meka, Masar Aga, Todi Koçi etj. dalin në vitet ‘52-‘64, dhjetë herë kampion, fitojnë tre kupa Republike dhe vetë ai cilësohet një nga pesë volejbollistët më të mirë të shekullit, duke fituar njëkohësisht anketën e 10 sportistëve më të mirë, 6 herë rradhaz. Në basketboll, në vitet ‘52-‘56 ekipi i tij shpallet katër herë kampion kombëtar dhe një herë ka fituar kupën e Republikës. Gjë e rrallë në sportin shqiptar, por duhet thënë se ky sportist shumëplanësh, në vitet ‘52-‘54, ka marrë pjesë në ekipin e futbollit të “Partizanit” dhe së bashku me të famshit L.Boriçi, S.Llambi, R.Spahiu, B.Fagu, S.Maliqati, S.Deda, G.Merja, A.Parapani etj. ka fituar tre herë titullin e kampionit, e dy herë atë të Republikës.

Në atletikë, veç shtizës, merr pjesë në shtytjen e gjyles, flakjen e diskut dhe në dhjetë garësh, ku ia kalon vetëm sportisti mjaft i njohur i qytetit të Durrësit, mjeshtri Idriz Çinari.

Dhe sikur të mos mjaftonte i gjithë ky aktivizim i pashembullt sportiv, Petrit Murzaku është aktivizuar edhe me vaterpolin, kurse në sportin e kanotazhit në vitet 1960 – ‘64 ka dalë kampion i Shqipërisë.

Jam i bindur se ky amator i gjuetisë nënujore, po të kishte një kampionat të zhytjes, do të zinte patjetër vendin e parë.

Në jetën sportive të mjeshtrit Murzaku, një vend të rëndësishëm zënë takimet e suksesshme e të shumta ndërkombëtare, si kampionati europian i volejbollit në Bukuresht, kampionati i ushtrive ish- mike në Lajcpig,  kampionati europian i volejbollit në Pragë, kampionati ballkanik, kupa e kampioneve, kampionati botëror në Kiev (1962), si dhe tre turne në Kinë, duke mos harruar Festivalet e Rinisë në Varshavë (55) e Moskë (57). Në kujtesën e Petritit, por dhe në analet tona sportive, ai figuron si pjesmarrës i 110 takimeve, 68 prej të cilave i përkasin ndeshjeve të volejbollit, bile dhe me skuadra me shumë prestigj si ato të B.S., Kinës, Çekosllovakisë, Rumanisë, Hollandës, Egjiptit etj.etj. Murzaku, me krenari kujton 57 fitore, dhe s`le pa përmendur dy momente gjatë ndeshjes me Finlandën: ngritjen e flamurit tonë dhe shpërndarjen për herë të parë të tingujve rrënqethës të himnit kombëtar dhe fitoren 3 : 2 dhe me Hollandën që veç fitores, po 3 : 2 shënoi dhe një rekord me tre orë e 20 minuta që zgjati, falë një rivaliteti të paparë.

Në ndeshjet ndërkombëtare të basketbollit, duhet përmendur kampionati ballkanik i 1959, ku ai me shumë kompetencë e shpirt luftarak ka mbuluar vetë Koraçin e ish- Jugosllavisë, me emrin e të cilit atje organizohet një kupë e posaçme.

Ne e dinim se ç`ndiente zemra e emocionuar e Petrit Murzakut  me shokë, kur ndeshej me ekipe të huaja. Flitej për lavdinë dhe emrin e një vendi të vogël e të paepur, prandaj përgjegjësia ishte jashtëzakonisht e madhe. Por edhe ai, patjetër që e përfytyronte se si qëndronim ne me ankth e gjak të ngrirë për rezultatet që do arriheshin, dhe si fluturonim nga lumturia kur nderoheshim e fitonim, dhe sa na shtohej dashuria e krenaria për vendin tonë. E ky është ndofta shpërblimi më i madh që i bëhet atdheut. E këto janë lidhjet shpirtërore që krijohen në mes njerëzve që kanë identitet të qartë, qofshin sportistë, qofshin sport dashës. Dhe është për këtë, në radhë të parë që njerëz si Petrit Murzaku i “Partizanit”, u takojnë të gjithëve, e si të tillë, mirënjohjen kanë të drejtë njëlloj t`ua shprehin si në Tiranë, ashtu dhe në gjithë Shqipërinë.

Por, Petrit Murzaku nuk ka qënë vetëm një sportist e kapiten i shquar.

Ai ka kryer me përkushtim detyra të ndryshme në ushtri. Ai ka kryer studimet edhe në I. L. të Kulturës Fizike “V.Kushi”, punoi si shef i përgatitjes fizike në njësinë e komanduar nga Heroi i Popullit Myslym Keta. U kthye sërish si shef në klubin sportiv “Partizani”. Në 1964 u emërua pedagog në shkollën e Oficerëve dhe pas dy vjetësh caktohet shef i katedrës fizike të kësaj shkolle derisa doli në pension në vitin 1987. Por, më falni se gabova; si mund të dalë në pension ai që e quajta djalosh i përhershëm, ai që nuk ndahet  asnjëherë nga kjo shkollë, ai që ka vazhduar të jetë kryegjyqtar i kolegjumit të gjyqtarëve të kryeqytetit për volejbollin dhe ka arbitruar vazhdimisht ndeshje të kampionatit kombëtar, ai që së bashku me Ali Kastratin legjendar (sa qe gjallë), me Ismet Bellovën e mençur, me Isa Taren e urtë, me Et`hem Ibrahimin simpatik, janë aktivistët më të dalluar të shoqatës tonë;  ata që do t`i gjesh të pranishëm në çdo veprimtari, kudo që të zhvillohet ajo. Petrit Murzaku, pedagogu që i dha vendin e duhur përgatitjes fizike të oficerëve, pritej kudo që shkonte me respekt të veçantë. Nuk ka oficer që të mos e njohë atë dhe pa frikë them se nuk ka oficer që të mos e njihte Petja ynë. Edhe në planin teorik, Petrit Murzaku ka dhënë një ndihmesë të çmuar për ecurinë e përgatitjes fizike në ushtri. Në të gjitha kontrollet që organizonte Ministria e mbrojtjes, do të përfshihej patjetër, njerëzori Petrit Murzaku. Asnjë shenjë superioriteti nuk tregonte ai gjatë këtyre kontrolleve. Vepronte njëlloj si të kontrollohej ai; futej në mes ushtarëve e oficerëve, vraponte së bashku me ta, djersinte si ata, i udhëzonte e ndihmonte të mbërrinin objektivat, gëzohej për rezultatet e larta, mërzitej kur puna nuk shkonte si duhej, i kuptonte hallet e reparteve, linte detyra me thjeshtësinë më të madhe dhe asnjëherë ky burrë zemërmadh, nuk vuri njeri në pozitë të vështirë. Takti dhe edukata e lartë që tregonte Petriti, ishin pjesë e karakterit të tij fisnik dhe formimit të tij qytetar. Kjo anë ndofta përbën vlerën më të spikatur të këtij kuadri të vyer të sportit e ushtrisë  tonë, pa të cilën edhe shifrat që përmendëm, nuk do të kishin kuptimin e tyre të vërtetë. Tërë jetën e tij Petrit Murzaku ka manifestuar ndjenjë të lartë kolektiviteti dhe shpirt sakrifice. 6 Shkurti i vitit 1981, kur orteku i papritur në malin e Meçekut, rrëmbeu në moshën më të bukur 11 oficerë dhe kursantë dhe plagosi 100 të tjerë, është pika kulmore që e shndërroi pedagogun në një luan të vërtetë, për të shpëtuar me përpjekje mbinjerëzore jetën e vartësve e shokëve të tij, gjersa dhe vetë u zvarrit për mbi 300 m, në një terren të ashpër, nga një ortek i dytë dhe që shpëtoi në sajë të një konstrukti herkulian dhe një shpirti prej luftëtari të vërtetë.

Në rrugën e lavdishme të jetës e veprës së Petritit, një rol të dorës së parë ka luajtur familja e tij, e në radhë të parë e shoqja Kleopatra, sportiste e njohur që e ka kuptuar misionin e burrit të saj në sportin shqiptar. Për më tepër nga familja e nderuar  Murzaku, kanë dalë të tjerë sportistë të shkëlqyer, si vëllai i Petritit, Thomai, basketbollisti i dëgjuar i ekipit të “Partizanit” dhe atij kombëtar, Dhurata e motra e tij, notare dhe alpiniste, e bija e Petritit, Mirela volejbolliste e “Dinamos” dhe Ingridi e “17 Nëntorit” që ka luajtur prej një kohe të gjatë me ekipin kampion të Greqisë, në volejboll “Vrisilia”.

Me shokun tim të mirë, ushtarakun e lindur N.Zejnati ishim kohë më parë, në shtëpinë e Petritit  në Tiranë. Një mobilim nga më modestët, ai sapo i kish shtuar një minibar, ku me sugjerimin e së bijës do të vendoste tërë medaljet e pa numërta që kish fituar gjatë jetës. Kjo qe e tërë pasuria e këtij gjigandi, të cilësuar nga një juri e përbërë nga specialistët më të mirë të vendit, si shumëyllëshi më i mirë sportiv, në historinë e sportit tonë. Ai kurrë nuk ish bërë merak për interesa materiale. Kish vënë gjithçka në shërbim të sportit, për qëllime që s`vdesin kurrë dhe që Tolstoi i formuloi aq qartë: “Në jetë ka vetëm një lumturi të pa dyshimtë: të jetosh për të tjerët”. Dhe duke folur rreth kësaj pike, Petriti buzëqeshte dhe kujtonte: “Në ‘57 kur dolëm kampion në basketboll, me qenë se nuk lejohej shpërblim në lekë, Federata na pyeti se ç`mund të na blinin. Unë kërkova 6 pjata të thella, 6 të cekta, e 6 pirunj. Kurse Andon e Jorgji Koja deshën nga 12 m. beze, me qenë se sapo ishin martuar, e kishin nevojë për çarçafë”. Vetëm një gjë i kishte mbetur pishman Petrit Murzakut i cili vazhdonte të tregojë: “Në 55 – ën, “Partizanit” i duhej një atlet për hedhje shtize. D.Toptani më zgjodhi mua dhe me qenë se koha qe e shkurtër, u futa në garë me një ditë stërvitje. Me qenë se nuk kisha shtizë, kampioni Shaban Zeneli më tha: “Merr shtizën time”. Me ta hedhur, theva rekordin kombëtar. Më shumë nga unë u gëzua Shabani, i cili pasi më puthi, ma dhuroi atë shtizë, të cilën unë nga pakujdesia nuk e ruajta. Sa do doja ta kisha!”

Ky pra ishte Petrit Murzaku, i cili me jetën dhe veprën e tij na kujton atë shprehjen e Buastit se “heronjtë, ashtu si veprat e artit, duken më të mëdhenj nga largësia e kohës”.