Prof.Dr.Qemal Lame: Evropa sovrane

241
Sigal

Evropa si shteti i përbashkët i evropianëve përballet me domosdoshmërinë e sovranitetit dhe identitetit shtetëror gjeopolitik me përmasat e superfuqisë. Pavarësisht mbështetjes së përbashkët për Ukrainën, Evropa nuk do të jetë e nevojshme të mbështetet në SHBA në një afat të gjatë. Sovraniteti është përparësi jetike politike, ekonomike e ushtarake. Prandaj kërkohet ndryshimi me reformimin. Bashkimi Evropian, në bazë të Traktatit të Lisbonës, shtroi në vitin 2016 sfidën për strategjinë globale në politikën e jashtme sovrane. Emmanuel Macron në fjalimin e tij të Sorbonës, në vitin 2017, theksoi nevojën e “sovranitetit evropian”. Ky term shpesh është keqkuptuar. Sovraniteti Evropian është e nevojshme të kuptohet më së miri si aftësia e Evropës për të vepruar dhe mbajtur përgjegjësi për fatet e popujve evropianë. Evropa është e domosdoshme të afirmohet në një botë multipolare kundër Kinës dhe Rusisë, por edhe kundër SHBA-së. Partneri më i afërt i Macron në Evropë, kancelarja gjermane Angela Merkel, qartësoi dhe theksoi sfondin aktual të kërkesës së Macron në fund të qershorit 2017, politikën “Amerika e para” e presidentit të atëhershëm të SHBA, Donald Trump: “Kohët kur ne mund të mbështeteshim plotësisht te të tjerët kanë kaluar prej kohësh.” Ishte logjike që koncepti i sovranitetit evropian të përfshihej në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë federale në fund të vitit 2021. Pasardhësi i saj, Olaf Scholz, mbështeti konceptin francez në fjalimin e tij kryesor mbi politikën evropiane në gusht 2022, në Pragë. Megjithë skepticizmin, ai është një model për të ardhmen evropiane. Me luftën në Ukrainë dhe kalimin në një rend konfrontues të sigurisë, shpresat për sovranitetin evropian duket se janë dobësuar. Që në vitin 2021, Strategjia e Aktualizimit e kryer nga Ministria Franceze e Mbrojtjes kishte paralajmëruar një “ulje strategjike të Francës dhe Evropës”. Tani, sipas shumë analistëve, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka zbuluar se Evropa nuk mund të mbijetojë më vete. Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, flamuri rus do të valëvitej në Kiev. Pushtimi i një shteti tjetër atëherë do të ishte vetëm çështje kohe. Nga ana ushtarake ka pak kundërshtime për këtë tezë.

 

Zhvillimet e papritura, pas 77 viteve nga Lufta e Dytë Botërore, evidentuan përfundimin se “SHBA-ja mori edhe njëherë fatin e Evropës në duart e veta” dhe se axhenda për një Bashkim Evropian të pavarur duhet të braktiset. Roli i SHBA ishte vendimtar. Por është shumë dritëshkurtër dhe madje e rrezikshme axhenda e nënvleftësimit të pavarësisë. Bashkimi Evropian kërkon të realizojë misionin e tij të sovranitetit gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Lufta në Ukrainë ushqen iluzionin se angazhimi i SHBA-së do të zgjasë. Strategjia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, e publikuar më 12 tetor 2022, fliste një gjuhë të qartë: Sipas Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin, Kina është dhe mbetet “sfida më gjithëpërfshirëse dhe serioze për sigurinë kombëtare të SHBA-së”. Me këtë përfundim, “orientimi drejt Europës” do të jetë një periudhë e shkurtër. Ndërsa rivaliteti strategjik midis SHBA-së dhe Kinës intensifikohet. Evropianët pritet të bëjnë më shumë për sigurinë e tyre. E lidhur ngushtë me këtë është edhe shqetësimi se Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në disa konflikte ndoshta njëkohësisht. Në vitet e ardhshme, ato do të jenë gjithashtu të përqëndruar me konsolidimin e demokracisë në vendin e tyre. Kjo mund të kufizojë gjithashtu aftësinë e Amerikës për të vepruar. Në zgjedhjet afatmesme, republikanë të shumtë bënë thirrje për shkurtimin e ndihmës për Ukrainën dhe morën pikë mË shumë votues. Tone të tilla mund të kenë një rezonancë edhe më të madhe në të ardhmen. Aspekte të tjera nënkuptojnë se përpjekja për sovranitetin evropian, të cilin shumë e kanë shpallur të vdekur, duhet të konsiderohet si një domosdoshmëri urgjente. Vala e tmerrshme e kuqe nuk u materializua në zgjedhjet afatmesme amerikane, por rezultati i zgjedhjeve presidenciale në 2024 është plotësisht i hapur. Në anën republikane, ka mjaft kandidatë që janë më radikalë se Donald Trump dhe mund të përbëjnë një kërcënim edhe më të madh nëse fitojnë Shtëpinë e Bardhë.

Joe Biden po ndjek gjithashtu “Amerika e para” në politikën e jashtme. Macron-it iu desh ta përjetonte këtë drejtpërdrejt kur SHBA-ja njoftoi në shtator 2021 se kishte nënshkruar një aleancë të re të politikës së sigurisë (AUKUS) së bashku me Australinë dhe Britaninë e Madhe. Franca, e cila dy vjet më parë lidhi një marrëveshje prej 56 miliardë eurosh me Australinë për furnizimin e nëndetëseve, u ndje e mashtruar dhe tërhoqi ambasadorin e saj nga Uashingtoni. Ky zhvillim ishte rasti i parë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe fillimi i një “epoke akullnajash”. Ajo ishte e përkohshme, por la plagë të thella në fund. Teza se ëndrra e sovranitetit evropian ka shpërthyer bazohet në një keqkuptim. Bashkimi Evropian nuk pretendon të garantojë në mënyrë autonome sigurinë kolektive në Evropë apo mbrojtjen kombëtare dhe të aleancës. Përkundrazi, NATO dhe BE janë komplementare. Ka kohë që ekziston një konsensus transatlantik për këtë edhe në Francë. Kjo vlerësohet në strategjinë e saj të re të politikës së sigurisë, Revue Nationale Stratégique, Ministria Franceze e Mbrojtjes. Duke pasur parasysh luftën ruse në Ukrainë, është e qartë se NATO është themeli i sigurisë kolektive dhe SHBA ofron pjesën më të madhe të kësaj sigurie. Përballë kësaj politike është e domosdoshme që Evropa të demonstrojë aftësinë e saj për të vepruar. NATO mbron territorin e Aleancës, por nuk do të jetë i vetmi kontribues në ndërtimin e një rendi të ri evropian pas luftës në Ukrainë. Kjo detyrë do të konsistojë jo vetëm në gjetjen e mënyrës së duhur për t’u marrë me Rusinë, por mbi të gjitha në sigurimin e një të ardhmeje për Ukrainën. Bashkimi Evropian tashmë ka filluar ta bëjë këtë. Sanksionet e tyre ekonomike e kanë dobësuar Rusinë dhe kështu po marrin një dimension strategjik. Presidentja e Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiullina, së fundmi e konfirmoi këtë para deputetëve të Dumës, duke i quajtur sanksionet “shumë të fuqishme”. Duke reduktuar varësinë e saj nga energjia ruse, BE-ja jo vetëm që do ta dobësojë më tej Rusinë, por do të forcojë veten. Për herë të parë në historinë e saj, BE-ja po ofron mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për Ukrainën. Ajo financon shpërndarjen e armëve dhe fillimisht do të trajnojë rreth 15,000 ushtarë ukrainas. Kjo e bën BE-në një aktor të politikës së sigurisë. Perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në BE është gjithashtu një vendim strategjik, siç ka ndodhur, për shembull me Greqisë, Spanjës, Portugalisë ose vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Është gjithashtu një parakusht për një rindërtim të suksesshëm të Ukrainës, i cili tashmë ka filluar gjatë luftës. Përfundimisht, Ukraina do të marri vendin e saj në Komunitetin Politik Evropian (EPC). Ky nuk është një zëvendësim për anëtarësimin në BE, por mund të bëhet një instrument i politikës së sigurisë ku mund të përfshihen edhe partnerë të rëndësishëm strategjikë si Turqia apo Britania e Madhe.

Ukraina po ushtron të drejtën e saj, të sanksionuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, për t’u vetëmbrojtur kundër një lufte asgjësuese ruse. Ajo mbron vlerat evropiane në vendin e saj, por edhe sigurinë evropiane. Besueshmëria e Evropës nuk varet vetëm nga angazhimi për këtë, por nga hyrja në një partneritet gjithëpërfshirës të sigurisë me Ukrainën. Kjo përshkruhet tashmë në mënyrë shumë specifike në Paktin e Sigurisë së Kievit. Me këtë dëshmohet aftësia vepruese evropiane. Sipas fjalëve të Ostpolitikës së vjetër të viteve 1970, “çelësi” nuk do të qëndronte më në Moskë, por në Ukrainë. Një Ostpolitikë e re evropiane kërkon udhëheqjen e shteteve, që kanë marrë gjithmonë iniciativën në historinë e integrimit evropian: Gjermanisë dhe Francës. Dallimet që kanë lindur tani nuk duhet të na lejojnë të harrojmë se të dy shtetet mësuan nga reagimi ndaj luftës në Ukrainë. Presidenti Macron e tregon këtë në strategjinë e tij të re të sigurisë. Më 27 shkurt 2022, kancelari Scholz njoftoi një “pikë kthese” tre ditë pas shpërthimit të luftës. Tashmë do të jetë detyrë e strategjisë së sigurisë kombëtare të shpallur për fillimin e vitit të ardhshëm të punojë me Francën për të përcaktuar përmbajtjen e sovranitetit evropian.