Nga Klodi Stralla:  Shqipëria është në një udhëkryq historik

401
Sigal

Shqipëria ka opozitarizëm, por nuk ka opozitë. Opozitarizmi është ajo pjesë e popullit që nuk e pëlqen qeverinë, ndërsa opozita është një forcë politike e organizuar që e përfaqëson dhe ofron një alternativë të ndryshme qeverisëse. Sot opozitarizmi përbën mbi dy të tretat e elektoratit shqiptar, por nuk është në gjendje të shdërohet në forcë qeverisëse. Pse? Sepse i mungon opozita e vërtetë. Sot u shemb fizikisht një godinë simbol i rezistencës opozitare -Teatri kombëtar, por fatmirësisht u shemb edhe opozita aktuale, pjellë e pluralizmit tridhjetëvjeçar ramizian.

Sot Shqipëria nuk është më shtet Sovran, por i kapur; disa thonë nga elitat globaliste sorosiane, të tjerë nga karteli ndërkombëtar i krimit të organizuar; pak rëndësi ka nga kush. Jemi bërë, me sa duket, një vend eksperimentimi social dhe një monedhë këmbimi mes të mëdhenjve, për interesat e tyre ballkanike. Licenca e pushtetit nuk është më vota e popullit por preferencat e ndërkombëtareve; partitë politike ramiziane garojnë mes tyre se kush të tregohet më servile dhe më e dëgjushme se tjetra ndaj tyre.

Sot Shqipëria është në një udhëkryq historik – ose do të nënshtrohet e të pranojë të kthehet aty ku ishte 30 vite më parë, një diktaturë e fshehur pas një fasade demokratike, ose do të gjejë forca të ringrihet nga e para. Ky regjim është e pamundur të ndryshojë nga brenda, me votë popullore. Opozita aktuale parlamentare duhet t’i bëjë shërbimin e fundit opozitarizmit shqiptar – të braktisë paralamentin dhe presidenti ta shpërndajë atë me dekret. Ky është shansi dhe shpresa e vetme e ndryshimit real, të tjerat janë teatri i rradhës.