Albert Kotini: Akuzat e Ramizit, që fundosën Ballukun

1180
Sigal

 

DOSSIER I / Nga procesverbali i mbledhjes së organizatës bazë të partisë të Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, viti 1974

– Si u  kryqëzua Beqir Balluku në Organizatën Bazë

 -Ramiz Alia: “Beqiri emëronte kamerierët e SHQUP-it”

-Organizata Bazë e Partisë, vatër e pushkatimit politik

Ramiz Alia e gjeti të gatshëm terrenin për të luftuar me gojën e anëtarëve të organizatës Beqirin, Hiton, apo Petrit Dumen

 

Albert Kotini

Vitet 1974-1975. Deri në këtë moment ishin shokë lufte, shkolle, pune, por u desh për të shpëtuar kokën t’i bënin varrin njëri-tjetrit. Janë një mal me dokumente dhe mijëra dëshmitarë të gjallë sot që përjetuan atë tragjedi, e cila mbartet si një komedi e seleksionimit midis shokëve të idealeve. Dosjerët e kësaj natyre e kanë përshkruar këtë situatë dhe lexuesi ka marrë informacion për të cilat ka mbetur i zhgënjyer, sepse u bë një dëm i madh për tërë shoqërinë shqiptare. Mirëpo aktualisht që shkruajmë akoma ky dëm ka lënë pasoja në metodën e punës si një mentalitet i sëmurë partiak, kundër terminologji demokracia ka zënë vend, ndërsa në zbatim ndodh e njëjta gjë si dikur nëpër organizata bazë partie. Tjetër është një kryeministër, president, kryetar bashkie si eksponent partie dhe tjetër në institucion e standardeve evropiane. Pra një dyzim i personaliteteve drejtuese të shtetit shqiptar. Dosjerët për të cilët po shkruajmë, kanë mjaft akte ku janë marrë në qafë jetë njerëzish, të cilat iniciuan mjaft mbledhje në front, punë e kudo për të anatemuar me çdo kusht armiqtë e zbuluar të këtij komploti të madh. Pikërisht origjina e kësaj pune filloi në organizatën bazë të partisë. Adami gjethen e mbante përpara për të fshehur intimitetin ndërsa në vitet ‘74 –‘75 gjeneralët tanë gjethen e mbajtën nga e kundërta, sepse organizata bazë e partisë gjeneronte dogma të cilat duheshin zbatuar në çdo pikë të saj. Në organizatën bazë të partisë të Drejtorisë Politike të Ushtrisë zbardhen për herë të parë komploti mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut më datën 13 – 08 – 1974 ku i deleguar ishte Ramiz Alia. Pastaj vijojnë mbledhjet e datës 12 – 09 – 1974 mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut dhe Hito Çakos dhe mbyllet në datën 12 – 11 -1974 “dënimi i grupit Beqir Balluku, Hito Çako, Perit Dume, Sadik Bekteshi”.

 

Protokoll nr. 5

Datë 13-8-1974

I mbledhjes së organizatës bazë të partisë të Drejtorisë Politike. Marrin pjesë të gjithë komunistët. Në mbledhje merr pjesë Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH shoku Ramiz Alia.

Rendi i ditës

1 – Punimi i letrës së Pleniumit të 5-të të KQ të PPSH mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut. – Shoku Andon Kote propozon që të zgjidhet në presidium me tre veta (U zgjodhën shokët Ramiz Alia, Dilaver Poçi dhe Duro Shehu)

 Pyetje

– 1 – Agron Dushku: – Kush nga shokët tanë kish dijeni për materialet e zeza dhe pse nuk ia kanë thënë Organizatës mendimet e tyre?

– 2 – Malo Hasanramaj: – Cili është shkaku i mosinformimit të KQ për materialin e zi? – A është njoftuar Beqir Balluku të marri pjesë në Organizatën Bazë apo e ruanin se ish i sëmurë? – Pse nuk është njoftuar Drejtoria Politike të marri materialet e zeza? – Kush i ka sjellë këtu Elami Hadon, i cili ka qenë i dënuar nga partia?

– 3 – Andon Kote: – Kemi dëgjuar që ka pasur divergjenca midis Beqirit dhe Shokut Petrit, çka bërë Drejtoria Politike për këto divergjenca. Si ka qenë autokritika e shokëve tanë, që janë anëtarë të Pleniumit?

– 4 – Hysen Berdaj: – Ç’qëndrim është mbajtur ndaj kalemxhinjve? – A ka komanduar Beqir Balluku në Organizatën Bazë të Partisë dhe nëse po, pse është lejuar?

– 5 – Shezai Kaso: – Neve na ka rënë në sy që Beqir Balluku nuk ka drejtuar asnjë stërvitje aktivisht. Ai i ka rënë në sy kjo Komitetit të Partisë dhe a ia kanë thënë atij?

– 6 – Hamza Malaj: – Beqir Balluku din shumë sekrete. Unë nuk jam i sigurt nëse i ruan ai ato, duke qenë i lirë?

– 7 – Ilo Kote: – Çfarë vërejtje kanë bërë shokët tanë në Materialet e Zeza dhe përse është mënjanuar Drejtoria politike? – A ka influencuar Beqir Balluku në politikën e Kuadrit dhe çfarë do bëhet? – Kush e solli në Tiranë Elami Hadon?

– 8 – Ahmet Demçollari: – A i ka pranuar Beqir Balluku konkluzionet e Komitetit Qendror?

– 9 – Guri Jani: – A i dinte Beqir Balluku normat dhe ç’bënte Komiteti i Partisë për këtë?

– 10 – Detar Avdia: – A ka shfaqe të konformizmit, karrierizmit, oportunizmit, servilizmit e të punës për bujë, si në Organizatën tuaj, të Partisë dhe në Komitetet e Korpuseve? – A ka shfaqje të gjerarqisë ushtarake brenda në parti dhe ku është burimi i këtyre? – Si ka qenë roli udhëheqës i organizatës bazë të partisë të drejtorisë politike? – Sa është ndjerë roli i saj dhe a janë bërë problemet e saj, probleme të drejtorisë? – Kur ka filluar degjenerimi i Beqir Ballukut? – Borgjezimi i Beqir Ballukut a ka reflektuar tek të tjerët, në ç’masë dhe në cilët rrethe apo reparte janë dukur? – Nga ç’pozita e bënte politikën e kuadrit Beqir Balluku? – A janë shkelur normat e partisë nga Organizata Bazë dhe nga vetë Drejtori Politik? – në raportimet që janë bërë a ka pasur subjektivizëm, a janë lejuar zbukurimet dhe për çfarë? – Pse është kthyer Komiteti i Partisë në MMP në bisht të Beqir Ballukut dhe në ç’raste ka pasur ndërhyrje? – Pse është punuar fjala e Shokur Enver me një fjalim të Beqirit? – Kush i drejton format e edukimit marksist-leninist në MMP?

– 11 – Shoku Ramiz Alia pyet: Kush mungon në format e edukimit? Gjithashtu jep rekomandim për diskutim: Kjo mbledhje e Organizatës ka një rëndësi të jashtëzakonshme, se punojmë një dokument shumë të rëndësishëm të partisë për jetën e partisë në Ushtri. Duhet të themi se duhet të veprojmë për të dalë nga kjo e keqe. Ai ishte Ministër i Mbrojtjes dhe ka lënë stilin dhe metodën e punës së tij si disiplinë të dobët, liberalizëm etj, Pra, duhet të flasim si janë zbatuar normat e partisë, si jemi ne vetë me zbatimin e normave, a ka barazi në mbledhjet e organizatës bazë të partisë, si është kjo çështje në korpuse, ku janë defektet. Për çështjen e kuadrit, shoku Luto duhet të flasë hapur se ku është e keqja. Shoku Nane të flasë se si është roli i Komitetit të Partisë, si i ka zbatuar detyrat ky komitet dhe të japim mendime se çdo bëhet në të ardhmen. – Lidhur me përgjigjet duhet të keni parasysh të thoni dhe vetë mendimin tuaj. Për frikën, servilizmin, duhet të flisni. Të flisni, gjithashtu dhe për dominimin që ka pasur ai në Komitetin e Partisë; se si ka influencuar ai në politikën e kuadrit, se këtu del që dhe kamerierët në SHQUP i ka emëruar vet Beqiri. Të thoni nëse borgjezimi i Beqir Ballukut ka infektuar të tjerë, se ju jeni në dijeni të darkave e të drekave të shtruara nëpër reparte. Kjo letër duhet të shërbejë për t’i dhënë një impuls të ri gjithë punës në ushtri. Po e bëmë mirë këtë punë dhe në ushtri do të bëhet mirë. Jepen përgjigjet e pyetjeve.

– 12 – Nane Kutra: – Pyetjet që u bënë për Komitetin e Partisë, e bën gjithë partia. Ne jemi vënë një kritike të drejtë. Organizata jonë është treguar e dobët në këtë drejtim dhe nuk ka zbatuar normat dhe rregullat e partisë. Këtu ka vend që të gjejmë të gjitha shkaqet. Një nga shkaqet është se ka ndikuar shumë gjerarqia. Ne kemi menduar se Beqir Balluku është njeri i madh dhe nuk mund t’ia themi këto gjëra, pastaj ai ka dhe shumë punë e përgjegjësi të tjera. Pra ne nuk kemi zbatuar statusin e partisë dhe kemi rënë në kompromis. Për ta ditur partia më mirë, duhet thënë se mospjesëmarrja e tij në mbledhjet e Organizatës së Partisë ka qenë vazhdë e vjetër. Veprimet kanë rrjedhshmëri. Ai organizatën e ka kthyer në një vegël. Nuk e them për justifikim, se unë kam përgjegjësi të plotë, por kur kam ardhur si sekretar i komitetit të partisë në vitin 1972, unë e kam gjetur këtë gjendje dhe më ka bërë përshtypje. Në këtë kohë, ai ishte për kurime në Francë. Pasi u kthye nga Franca, përsëri nuk erdhi në mbledhjet e Organizatës. E bisedoi këtë çështje me shokët, të cilët më thonë se kështu ka qenë gjithnjë kjo gjendje. Aty nga fundi i vitit 1972 unë i raportova shokut Hito. Nga biseda me shokun Hito, m’u krijua përshtypja se ai nuk dinte gjë për këtë gjendje. Pas kësaj shkuam dhe i thamë Beqirit, i cili u justifikua se ka qenë e sëmurë. Këtu kam dhe përgjegjësi, se e kam lejuar një gjë të tillë.

PAK HISTORI

Organizata Bazë e Partisë, vatër e pushkatimit politik

Konceptimi është mjaft i gjerë dhe i duhet këtij brezi të sotëm për të njohur këtë nocion kaq shumë të përdorur gjatë 50 vjetëve, ku dhe kur lindën organizatat bazë të partisë në botën Bolshevike të Leninit është tjetër çështje e trajtimit, që ka të bëjë me Revolucionin e Tetorit. Në Shqipëri ato lindën si prejardhje nga grupet komuniste, pastaj të organizuara në celula partie gjatë luftës antifashiste dhe pas çlirimit funksionuan deri në vitin 1990. Një gjë dihet mirë që në këto organizata bazë nisi jetën në rrënjët e saj simbioza ekzekutive e dhunës, ku vendosej fati i pushtetit. Njëkohësisht u bë tmerr fjala: “Do ta shohim këtë punë a qëndrim në organizatën bazë të partisë”. Përcaktuese ishte paragjykimi për secilin njeri që servirej në organizatën bazë siç duhej të ishte dhe jo siç ishte realisht. Gjëra të thjeshta në dukje, por që bënë të dridheshin e tërë jeta shoqërore jonë. Rrëfimet në kishë a faljet në xhami nuk ishin gjë përpara organizatës bazë. Për vëllanë, babain, po se po, që duhesh rrëfyer ndërsa për farë e fisin as që bëhej fjalë për të mbajtur sekrete, sidomos në biografi. Jemi një popull që u dashuruam mbas kësaj dogme sepse dogma u përqafua si ideologji nga shqiptarët edhe me injektimin sllav terapia e së cilës edhe sot nuk ka mundur ta shërojë. Njëkohësisht po të ishe anëtar partie dhe asnjëherë të mos mendoje me kokën tënde, por me dogmën e vendosur në Organizatën Bazë si “revolucionar” apo si “besnik” patjetër duhet të bëheshe i tjetërsuar dhe hipokrit, intrigant, servil, të cilat e prishnin dinjitetin dhe personalitetin e njeriut. Janë mijëra faqe që po të lexohen e lodhin lexuesin sepse gjen të mbartur diskutime sofiste aq edhe ekletike të një filozofie për konsum propagandistik popullor, e cila edhe sot nuk kuptohet se ku duhet të dilte. Kështu që psikologjia e një populli ka ndikuar që edhe sot të jetë e vështirë për të kapur në përmbajtje standardet evropiane. Historia flet për karbunarët, si një lëvizje për bashkim, kundër pushtimit austro-hungarez. Opera e Verdit “Nabuko” si kulm të vetin kishte korrin e skllevërve që u bë himn për ta, aq sa u përvetësua e ndikoi ndjeshëm në shtimin e radhëve popullore. Garibaldi e gjeti kështu gati dogmën, masive për bashkimin e idealistëve të Italisë. Dhe ata e bënë Italinë Evropiane. Në Spanjë ishte ndryshe në psikologjinë e vendit. Pati sukses të madhe opera e Bizesë “Karmen” . Pse? Pjesë më e pëlqyer u bë “Toreador”, sepse atje gjeti veten spektakli mbarëpopullor në luftën me demat. E kështu në veçoritë e çdo populli, si p.sh. Brazili për futbollin, ku Pele u propozua deri për president të vendit. Po në Shqipëri? 

MBLEDHJA

Tereni i gatshëm për Ramiz Alinë

Kur ishte i ftuar në një organizatë bazë partie një që nuk ishte anëtar, por me cen në biografi, për të dhënë llogari, kur të gjithë qeshën me një batutë të deleguarit të partisë ky nuk qeshi. Filloi debati me të: Po ti pse nuk qeshe, nuk të pëlqeu shakaja e partisë? Dhe kështu filloi zbulimi i komplotit. Pa e zgjatur siç është në esencë organizata bazë e partisë më duhet të zbuloj siparin e skenës së parë të dënimit të famshëm të grupit puçist, ku komentet do të ishin të tepërta, kur të lexohej nga orgjinali i protokollit përkatës. E veçanta e këtij protokolli është se këto materiale të protokollit të çudisin sot, ku nuk gjen dot asnjë fjalë argumentuese për armiqtë, që këto materialet e zeza të Beqir Ballukut ishin akoma në kasafortën e Duro Shehut (sekretari i Organizatës Bazë të Drejtorisë Politike dhe vëllai i Mehmet Shehut) për zbatim ishin deri ditën e mbledhjes. Të habit fakti që si Ramiz Alia e gjeti të gatshëm terrenin për të zbuluar me gojën e anëtarëve të kësaj organizate se cilët ishin Beqiri, Hitua, apo Petriti dhe mbi të gjitha zbulohet fakti që u bë një garë për të kontribuar në gjithë këtë dëm të madh të këtyre armiqve. Aktualisht kujtimet ndjesitë, përjetimet të depozituara si gjurmë të nënkores së trurit të këtyre diskutantëve, mbjellin ndjenja e mbresa emocionale, por që jo gjithçka kanë thënë siç kanë ndodhur. Ndërsa brezi i ri që i ka shpëtuar këtyre transformimeve që përfshiu këtë betejë, kundër armiqve të amplifikuar të Organizatës Bazë të Partisë edhe sot e kësaj dite pyesin, memorie kombëtare a duhet të merret me një mentalitet të tillë. Transmetimi i këtyre të dhënave dosjer, nga ana e redaksisë “Telegraf” nuk përbën shuarjen e një kurioziteti, apo të një informacioni të ri si një kontribut i panjohur, por për t’i shërbyer çlirimit nga ky mentalitet që përfshin akoma si sëmundje mendore të atyre që sot nëpër mbledhje partie fshehin inkompetencën, aftësinë duke u bërë militant përfitues. Pikërisht për këtë le t’i referohemi drejtpërdrejt materialit origjinal që botohet për herë të parë si një mbartje e pandryshuar siç kanë ndodhur gjërat.

NESËR DO TË LEXONI

-Debati i Ramiz Alisë me kuadrot e lartë në ushtri

-Hito Çako pranon gabimet në organizimin e punës

-Gjeneralët e luftës i bëjnë fresk të deleguarit të Enverit