Skandali i inceneratorëve, qeveria fshihet pas BE-së! Me VKM zhduk termin ‘incenerim’
Nën justifikimin e kërkesave të Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama zhduk termin “incenerator” nga platforma e tij për trajtimin e mbetjeve urbane, një strategji për të shuar sa të mundet efektin e aferave gjigante korruptive me impiantet fantazmë të djegies së mbeturinave.
Qeveria shqiptareka hequr termin “incenerator” nga aktet e reja zbatuese për menaxhimin e mbetjeve, duke e justifikuar këtë me përafrimin ndaj direktivave të BE-së. Kjo lëvizje e tij synon të zbehë jehonën e skandalit të inceneratorëve, i cili përbën një nga aferat më të mëdha korruptive në vend. Por, pavarësisht fakteve dhe denoncimeve të shumta në lidhje me këtë aferë, Rama nuk ka mbajtur përgjegjësi politike për projektin e mbrojtur me shumë fanatizëm për vite me radhë, ndërsa hetimet janë përqendruar kryesisht te zyrtarë të niveleve më të ulëta. Nën justifikimin e kërkesave të Bashkimit Europian, kryeministri Rama zhduk termin “incenerator” nga platforma e tij për trajtimin e mbetjeve urbane, një strategji për të shuar sa të mundet efektin e aferave gjigante korruptive me impiantet fantazmë të djegies së mbeturinave. Në tetor të vitit të kaluar, shumica socialiste miratoi ligjin e ri për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, në të cilin përmendej përciptazi procesi i incenerimit. Por, në projektvendimin qeveritar “Për landfillet”, i cili zbërthen në praktikë ligjin e ri, fjalët “incenerim”, “incenerator” apo “impiant i djegies së mbeturinave” nuk gjenden në asnjë rresht.Pak ditë më parë, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka shpallur për konsultim publik projektvendimin e Këshillit të Ministrave për organizimin e venddepozitimeve të mbetjeve urbane, përfshirë ato ekzistuese dhe ato që mund të ngrihen në të ardhmen. Në relacionin e aktit qeveritar thuhet se ai mbështetet në direktivat e Bashkimit Europian të viteve 1999 dhe 2002.Këto vendimmarrje të Brukselit kanë qenë në fuqi edhe në kohën kur kryeministri Edi Rama mbronte me fanatizëm projektin e tij për ndërtimin e inceneratorëve, i cili përfundoi, siç e kishte paralajmëruar opozita, në një aferë të fuqishme korruptive.Opozita dhe specialistët e fushës e kundërshtuan fuqishëm planin e kryeministrit Rama për trajtimin e mbetjeve me inceneratorë, të shpallur në mandatin e tij të parë qeverisës. Edhe përfaqësues të Bashkimit Europian ishin skeptikë për projektin e Ramës me inceneratorë dhe i kujtuan shpesh qeverisë shqiptare se e ardhmja e trajtimit të mbetjeve është nëpërmjet landfillëve sanitarë, duke kërkuar që të hiqej dorë nga inceneratorët. Më shumë se një dekadë pas këtyre paralajmërimeve dhe kur afera e inceneratorëve u shndërrua në një masiv korrupsioni me qindra milionë euro, qeveria e Edi Ramës thotë se do të zbatojë direktivat e Bashkimit Europian.Rama dhe qeveria e tij nuk kanë mbajtur asnjë përgjegjësi politike për projektin e dështuar të inceneratorëve, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka etiketuar vetëm disa zyrtarë të dorës së dytë si përgjegjës për skandalin me djegësit fantazmë në Elbasan, Fier dhe Tiranë.




















