Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Rrethet patriotike shqiptare në Luftën e Parë Botërore

627
Sigal

Kuvendi i “Vatrës” ju drejtoi shqiptarëve, thirrje ku midis të tjerave thuhej se Shqipëria është e rrethuar nga armiq që duan ta copëtojnë

 

(Në kuadrin e 105 vjetorit të Luftës së Parë Botërore)

 

Lëvizja patriotike shqiptare në Evropë

Lëvizja kombëtare shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore nuk kishte asnjë aleat midis shteteve ndërluftuese. Të gjithë ishin armiq e kundërshtarë të vendit tonë. Njeri më i egër se tjetri e që shfaqnin kontradikta të thella midis tyre se kujt, “i takonte” pjesa më e madhe e Shqipërisë. Fqinjët monarkikë ishin të tillë për shkak të synimeve lakmiqare, por nuk ngeleshin pas edhe dy fuqitë e Adriatikut, Austro-Hungaria me Italinë. Këto dy fuqi të kohës në vitet 1912-1913 kishin luajtur një rol tjetër për shkak të faktorëve të njohur.

Ndërsa Franca, Anglia, Rusia, Gjermania, si fuqi të largëta ndërluftuese kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake. Këto më tepër për të kënaqur lakmitë e monarkive fqinje ballkanike e joballkanike. Ndaj dhe populli shqiptar për këtë arsye nuk e kishte lidhur dhe nuk mund ta lidhte fatin e tij me asnjë prej Fuqive të Mëdha Europiane. Karakteristika e parë ishte pozita e Shqipërisë ndaj luftës botërore në të cilat zhvillohej lëvizja kombëtare shqiptare në këtë periudhë. Karakteristika e dytë qëndron në atë se territorin e Shqipërisë e kishin shndërruar Fuqitë e Mëdha në plaçkë tregu dhe në shesh të luftës së tyre. Dihet se mes për mes Shqipërisë kalonte vija e frontit që ndante ushtritë e dy koalicioneve ndërluftuese. Në territorin e Shqipërisë u gjendën ushtritë e shtatë shteteve ndërluftuese në dy anët e frontit, si të Austro-Hungarisë, Bullgarisë, Gjermanisë, Italisë, Francës, Serbisë, Greqisë.

Lëvizja patriotike e kësaj kohe u përpoq të shfrytëzonte kontradiktat e fuqive pushtuese të të dy kualicioneve. Pakënaqësitë dhe të çarat midis tyre për problemin shqiptar në interes të çdo njerës prej tyre ishin të dukshme. Kështu gjendja e përçarë në Greqi kishte të bënte me një luftë të ashpër politike midis kostandinistëve dhe venizelistëve. Të parët anonin nga fuqitë qendrore dhe të dytët nga të Antantës. Por edhe në gjirin e lëvizjes kombëtare kishte iluzione, hezitime dhe pritje siç ndodh zakonisht në kushte të tilla të vështira. Kjo shtohej më tepër kur kishim të bënim me udhëheqjen që pati lëvizja kombëtare shqiptare në këtë periudhë. Në këtë periudhë kishte mjaft zëra nga rrethet patriotike për të pritur mbarimin e luftës botërore. Të tjerë mendonin për t’u përgatitur vetëm në plan të jashtëm, për Konferencën e ardhshme të Paqes. Kështu shumë prej këtyre rretheve patriotike po përgatitnin memorandume dhe kërkesa për t’ua paraqitur fituesve të luftës.

Roli i intelektualëve dhe patriotëve

Intelektualë dhe patriotë, si dhe rrethet patriotike e masat popullore u tronditën dhe u shqetësuan kur italianët ngritën flamurin e tyre në Sazan dhe grekët flamurin e tyre në Shqipërinë e Jugut. Italia dhe Greqia i bashkërenduan veprimet e tyre. Opinioni publik shqiptar u shqetësua shumë për këtë fillim të ri të copëtimit të shtetit shqiptar. Doli qartë dhe në dritë të diellit se veprimet e këtyre monarkive, do t’i pasonin edhe situatat që do të krijonin monarkitë fqinje, si Serbia e Mali i Zi. Ndaj dhe për rrjedhojë, reagimet ndaj politikës dhe planeve të Italisë e të Greqisë, si dhe të pushtuesve të tjerë erdhën gjithnjë në rritje e u kthyen hera herës në luftë të ashpër politike. Lufta politike kundër këtyre pushtuesve gjeti pasqyrim të veçantë në faqet e shtypit shqiptar, që botohej në Shqipëri dhe jashtë në kolonitë e mërgimit. Të tillë luftë bënin gazeta “Taraboshi” në Shkodër dhe gazeta “Dielli”, qysh gjatë vitit 1914 dhe në vazhdim.

Lufta e tyre ishte e pashkëputur nga lufta kundër reaksionit të brendshëm. Në disa faza dhe periudha të caktuara gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, kjo luftë u zhvillua paralelisht me të. Renditet: e para, lufta kundër Esat Pashë Toptanit dhe qeverisë së tij. Qeveria që drejtonte ishte mbështetje kryesore e reaksionit të jashtëm. Ai ishte gati dhe lidhej me çdo pushtues për realizimin e qëllimeve të tij. Lufta kundër reaksionit të tij, ishte një qëndresë kundër planeve pushtuese të përkrahësve të tij, fillimisht të Italisë, të monarkive fqinje, si dhe më pas të Francës. Divergjencat ishin të thella me forcat e tij dhe kurrë nuk u arrit një aleancë midis tyre. Rrethet patriotike dhe kundërshtarët e luftuan Esat Pashën nga kënde të ndryshme, duke luftuar në të njëjtën kohë dhe midis tyre, do të shprehej Gazmend Shpuza në studimin “Kryengritja fshatare e Shqipërisë së Mesme”.

Thirrjet për bashkim

Kështu filloi të ndihej në rrethana tepër të vështira nevoja gjithnjë e më shumë e mbështetjes në forcat e popullit dhe domosdoshmëria e bashkimit të këtyre forcave si kusht për të përballuar gjendjen e krijuar. Thirrjet për bashkim ishin hedhur dhe para se të fillonte lufta botërore. Ndërsa me fillimin dhe gjatë zhvillimit të saj këto thirrje u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Ndaj u mendua dhe u fillua me përpjekje për t’i shndërruar thirrjet e bashkimit me masa konkrete. Në kuadrin e këtyre përpjekjeve veçojmë thirrjen e disa rretheve patriotike në Shkodër për të mbajtur më 1 nëntor 1914 një kongres kombëtar. Në këtë kongres të kishte përfaqësues nga të gjitha krahinat e shtetit shqiptar, si dhe nga ato në jug të pushtuara nga Greqia. Mustafa Qulli e Sali Nivica morën inisiativën. Këta kishin filluar të botonin në Shkodër gazetat “Drita” e “Populli”. Mbajtja e Kongresit dhe thirrja lëshuar synonte në përcaktimin e një programi politik të përbashkët dhe të krijohej kështu një qendër e vetme drejtuese për të gjithë vendin. Por, për arsye nga më të ndryshmet kjo thirrje dhe ky kongres nuk arriti të mblidhej.

Në Shkodër, pas dështimit të mbledhjes së Kongresit, dështuan dhe mjaft orvajtje të tjera të kësaj natyre. Kështu dhe lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk arriti të krijonte si në fillim, si gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore një qendër të vetme drejtuese, brenda apo jashtë Shqipërisë. Nga sa shikohet, kjo ishte mungesë e madhe e që shpjegohet me divergjencat politike dhe copëzimin politik të vendit. Arësye tjetër ishte dobësimi i borgjezisë kombëtare, e cila nuk kishte arritur të krijonte parti politike, kështu që konfuzioni dhe hezitimet që krijoi lufta, si dhe ndërhyrjet përçarëse të forcave të jashtme, bënë që rrethet patriotike të ishin të shpërndara.

Gjendja kritike e vendit po shqetësonte mjedisin intelektual shqiptar, të cilët bënë që të shpërthenin ndjenjat e tyre patriotike. Forcat patriotike brenda vendit, që në muajt e parë të pushtimit austro-hungarez u vunë në lëvizje duke pasur këto pikësynime politike. Ato u përpoqën të ngrinin një qeveri shqiptare dhe të përgatitnin thirrjen e një Kongresi Kombëtar. Rolin kryesor e luajti Aqif Pashë Elbasani, i cili dëshironte krijimin e një administrate vendase. Ai krijoi qeverinë, emëroi nëpunësat dhe formoi një administratë civile shqiptare. Mirëpo, përpjekjet e bëra në fillim të vitit 1916 për formimin e një qeverie dhe mbajtja e një Kongresi ishin në kundërshtim të hapur me planet e Vjenës. Kështu autoritetet austro-hungareze të pushtimit këtë veprimtari e cilësuan të “rrezikshme” për programin e tyre.

Aqif  Elbasani, si figurë e njohur në lëvizjen kombëtare, si një ndër përkrahësit e vendosur të Ismail Qemalit në veprimtarinë e vet arriti disa suksese. Mirëpo, zhgënjimet që patën Themistokli Gërmenji dhe Sali Butka për qëndrimin e fuqive gjatë veprimtarisë së tyre kundër pushtuesve grekë në jug të vendit, i pasoi Aqif Elbasani me të tjerë, në veprimet e tyre në Shqipërinë e Mesme. Pasi u vendosën mirë në Shqipëri, pushtuesi nuk e lejoi më veprimtarinë e qeverisë shqiptare të krijuar nga Aqif Elbsani. Ata nuk lejuan dhe mbajtjen e kongresit të Elbasanit, me preteks se “asambletë” të cilat kanë qëllime politike janë të ndaluara në viset e shkelura prej ushtrisë. Në këto kushte Aqif Elbasani u detyrua të hiqte dorë nga veprimtaria e tij e mëtejshme.

Në këtë periudhë ishte shumë i madh dhe reagimi i forcave shqiptare të cilat ju kundërvunë përmbajtjes së Proklamatës italiane të 3 qershorit 1916 nga pozitat e mbrojtjes së të drejtave kombëtare. Rrethet patriotike iu kundërvunë Proklamatës, si në aspektin territorial, por njëkohësisht dhe në atë politik. Mënyra se si reaguan rrethet e ndryshme patriotike shqiptare, doli më e qartë dhe përmbajtja e shpalljes italiane, e cila u kuptua drejt prej tyre. Populli shqiptar nuk mund të sakrifikonte pavarësinë politike të shtetit shqiptar dhe aq më pak tërësinë territoriale kundrejt të ashtuquajturës “mbrojtje” të Italisë, sikurse kërkonin rrethet ekspansioniste.

Rrethet patriotike shqiptare jashtë vendit

Edhe rrethet patriotike shqiptare jashtë vendit u bënë zëdhënës të qëndrimit të popullit shqiptar ndaj shpalljes italiane të 3 qershorit, duke patur mundësinë të shprehnin lirisht pikëpamjet e tyre politike. Në mënyrë të veçantë u shqua veçanërisht emigracioni në SHBA dhe në Zvicër. Këto rrethe jo vetëm që nuk e miratuan shpalljen italiane të 3 qershorit, por ju kundërvunë asaj me anë protestash. Këto rrethe ju dërguan përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha nota proteste. Kështu veproi organizata “Vatra” në korrik të vitit 1917, por dhe përfaqësues të Italisë që ndiqnin problemin shqiptar. Kështu veproi dhe dr. M. Turtulli në Lazanë, vetëm pak ditë pas Proklamatës. Ky ka qenë ministër në qeverinë e Vidit, ndërsa në Kongresin e Durrësit në dhjetor 1918 caktohet ministër, ndërsa Kongresi i Lushnjës e zgjodhi anëtar të Këshillit të Lartë.

Organizata “Vatra” në kuvendin e saj vjetor të korrikut të vitit 1917 shpalli programin e saj politik ndërkombëtar të Shqipërisë, si dhe të shtrirjes territoriale të saj. Aty theksohej se duhet  të sigurojmë me çfarëdo mënyre legjitime nga Fuqitë e Mëdha dhe nga Kongresi i Paqes një Shqipëri me kufijtë e saj etnografikë me indipendencën shtetërore të plotë, një Shqipëri për shqiptarët politikisht dhe ekonomikisht. Ky program ishte një kundërvenie e hapur si ndaj shpalljes italiane të 3 qershorit, ashtu edhe ndaj asaj austro-hungareze të janarit 1917. Kështu thirrja që kuvendi i “Vatrës” ju drejtoi shqiptarëve, ku midis të tjerave thuhej se Shqipëria është e rrethuar nga armiq që duan ta copëtojnë… Asnjë i huaj s’mund të na e japë lirinë dhe indipendencën, të cilat duhet t’i fitojmë me duart tona, me djersën tonë, me gjakun tonë.

Lëvizjen patriotike dhe të rretheve patriotike në Shqipëri, pushtuesit me gjithë përpjekjet e tyre nuk arritën ta ndalonin e ta shuanin. Çështja kombëtare dhe pavarësia ishin bërë aq të qarta sa nuk vlenin më as demagogjia e pushtuesve, as frika, e as kërcënimet e tyre.