Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Mure për Dashurinë dhe Paqen

307
Sigal

Dy fjalë, Dashuri dhe Paqe. Dy fjalë nga më të parat e të qenësishme të shpirtit njerëzor: të dashurosh dhe të duash paqen. Shpesh njerëzit i unifikojnë këto dy fjalë, sikur ato të jenë të kushtëzuara nga njëra-tjetra, e megjithatë, kur kujtojmë historinë njerëzore e kuptojmë se nganjëherë dashuria ka ekzsistuar edhe në kohën e kolerës siç na kujton Gabriel Garcia Markez, se ajo ka ekzistuar edhe në dhimbjet e tragjeditë më të mëdha. Pra janë dy fjalë që qëndrojnë më vete: Dashuria për Dashurinë, Paqja në Paqe. Dashuria padyshim që i kapërcen kufijtë e paqes. Madje ajo i kapërcen edhe kufijtë e vetë vdekjes. Ka një mur në Paris që quhet «Muri i Paqes», një mur ku shkruhet vetëm fjala paqe në qindra gjuhë të botës. Fjala «La Paix», «Peace», «La pace»… «Paqja». Ishte viti 2000 kur artistja Claire Halter i kërkoi në ambasadë këshilltarit të atëhershëm kulturor Ilir Teplena fjalën «Paqe» në shqip. Meqë duhej vendosur midis fjalës Paqe dhe Paqja, ne menduam se do ishte më mirë trajta e shquar, Paqja, ashtu siç është dhe në frëngjisht apo në anglisht. Ky mur prej xhami dhe me kollona, në referencë me «Murin e Lotëve» në Jeruzalem, por këtu me fjalën «Paqja», u ngrit në «Champs de Mars» («Fushën e Marsit», që të kujton perëndinë antike të Luftës, meqë aty, në atë fushë, ku ndodhet «École Militaire», ishte kavaleria napoleoniane). Një projekt i mbështetur nga Unesco, një simbol për kohën që jetojmë, për këtë epokë aq të trazuar nga konfliktet dhe luftrat; është një klithje, një dëshirë, që njerëzimi kërkon që të zotërojë shpirtrat e të gjithë popujve për një jetë të përbashkët.

Vallë a do të triumfojë kjo një ditë?!… Dhe një «mur» tjetër në Paris, «Muri i Dashurisë». Ai mur nuk ka madhështinë e «Murit të Lotëve» apo atë të «Murit të Paqes», e megjithatë, edhe pse i thjeshtë, disi i humbur në lagjet e Montmartrës, pranë metrosë «Abesse», në «Square Jehan Rictur», i fshehur disi nga gjelbërimi, përsëri ai mur në ato kaligrafi marramendëse është i dashur për njerëzit e të gjitha moshave, veçanërisht për të rinjtë. Një mur me pllaka të emaluara, i konceptuar dhe realizuar nga Claire Kito dhe Frederic Baron, me një sipërfaqe 40m², në një gjatësi prej dhjetë metrash që flet për dashurinë: «Je t’aime!… «Të dua!»… «Ti amo!», «I love you!… shprehja e dashurisë në gjuhët kineze, ruse, indiane, spanjolle, afrikane, në gjuhët madje edhe indigjene. Ky mur eshtë kthyer në një dekor më vete filmimi, fotografimi. Gjithmonë do të jetë i përmbytur nga kineastë e fotografë. Të ngjan se je para një perdeje studioje fotografi «alla Marubi», ku njerëzit vijnë të fotografohen për të patur në sfond të tyre, në sfond të përqafimeve dhe puthjeve të çastit, ato qindra fjalë të botës që thonë të njëjtën gjë: Të dua! Fjalët vargëzojnë, vijnë rrotull, sikur të vazhdojnë këtë udhëtim përgjatë rruzullit tokësor për të riardhur përsëri këtu, për të pritur natën me hënë apo agun e freskët të mëngjesit. “Të dua”, një fjalë, një pëshpërimë, një klithje, një përgjërim… Nuk ka shpirt njerëzor që të mos e ketë shqiptuar këtë fjalë, këtë kryefjalë të jetës! Flasim për dashurinë, paqen dhe e dimë se ky udhëtim nëpër rrugët dhe sheshet e Parisit nuk ka përfunduar… ai vazhdon nëpër kohë, epoka dhe fate njerëzore.