Karoi Bachura : Mos kini frikë/ Non abbiate paura

297
Sigal

Non abbiate paura/ Mos kini frikë!

Nga Karol BACHURA

Ambasador

Këtë vit përkujtojmë 100- vjetorin e lindjes së Karol Vojtillës,  shën Gjon Pali II, kurse më 26 gusht është edhe 110- vjetori i lindjes së Agne Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza e Kalkutës, apo thjesht Nënë Tereza. Më 26 gusht është njëkohësisht festa e Shenjtores së Zojës së Bekuar të Çenstohovit, Mbretëreshës polake, nderuar ndër shekuj në sanktuariumin Jasna Gura në Çenstohovë- qendër e pelegrinazhit të katolikëve në Poloni.

Me rastin e këtyre datave që mpleksen simbolikisht këtë vit e megjithë përpjekjet globale kundër  SARS-COV2, Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë, falë dashamirësisë së autoriteteve  të Universitetit katolik në Tiranë,  „Zoja e Këshillit të Mirë”, zbuloi bustin e shën Gjon Pali II, vepër e skulptorit të shquar shqiptar, mjeshtrit Mumtas Dhrami, të cilit me këtë rast pata nderin t’i dorëzoj medaljen „Gloria Artis”, akorduar nga zëvendës kryeministri dhe ministri i kulturës dhe trashëgimisë kombëtare të Republikës së Polonisë.

Deri më sot mjeshtri Mumtas Dhrami, ka realizuar 10 vepra kushtuar polakëve të shquar, të cilat janë vendosur në vende të ndryshme në kryeqytet, por edhe jashtë tij: vepra kushtuar shën Gjon Pali II, presidentit të ndjerë Lech Kaczyński, profesor Stanisław Zuber, ish kryeministrit Tadeusz Mazowiecki.

Në bazamentin e bustit duket mbishkrimi Non abbiate paura/Nie lękajcie się/Mos ki frikë. Janë fjalët që shenjuan predikimin e parë të Atit të Shenjtë në nisje të pontifikatit të Gjon Palit II, më 22.10.1978. Ato fjalë u bënë lajtmotiv i mësimeve dhe gjithë veprimtarisë së Papës dhe jam i bindur do të marrin kuptim, frymëzojnë dhe do t’u japin shpresë, pacientëve të ardhshëm të spitalit dhe do t’u japin krahë  zhvillimit të studentëve të këtij universiteti.

Aktiviteti i Gjon Palit II dhe Nënë Terezës së Kalkutës, të quajtur gjithashtu Nëna e të varfërve, për shkak të angazhimit të Saj për të varfërit, të pastrehët dhe të sëmurët si dhe këto fjalë të skalitura në mermer na kujtojnë, jo vetëm në kohërat e pandemisë,  se nuk bëhet fjalë për njeriun abstrakt, por për njeriun real, njeriun konkret, historik. Bëhet fjalë për çdonjeri, sepse çdo njeri është krijuar sipas shëmbëlltyrës me Zotin dhe është reflektim i tij. Mos kini frikë…frika sjellë frustrim, frustimi lind agresion, agresioni pjellë dhunë.

Gjon Pali II në një intervistë të vitit 1994, botuar në formë libri me titull  „Të kapërcesh pragun e shpresës”, konstatonte: “Thirrjen: „Mos ki frikë!” duhet ta lexojmë në një dimension shumë të gjerë. Në një farë kuptimi ka qenë një thirrje drejtuar të  gjithë njerëzve, thirrje për të mposhtur frikën në situatën globale të botës së sotme, qoftë në Lindje, qoftë në Perëndim, në Veri, apo në Jug. Mos kini frikë nga ajo që keni krijuar vetë, mos kini frikë nga bota e gjithë këtyre krijesave njerëzore që gjithnjë e më shumë, po bëhen kërcënim për njeriun. Përfundimisht mos kini frikë nga vetvetja!”

Në qendër të aktivitetit të shën Gjon Palit II ka qenë përherë  lufta për dinjitetin njerëzor në të gjitha aspektet e tij. Nga dinjiteti, si nga trungu i rrënjëve kristiane të kontinentit, kanë dalë degë të reja: dialogu, solidariteti, liria dhe e vërteta, drejtësia dhe dashuria. Në kohët e sotme të koronavirusit, frikës dhe zvetënimit të vlerave, beteja për dinjitetin njerëzor dhe mbrojtja e njerëzimit në çdo situatë janë të gjithëpranishme. Andaj kam zgjedhur fjalët –  Mos ki frikë!, sepse është  e palejueshme t’i dorëzohemi frikës, nuk duhet të pajtohemi me atë që ekziston sot dhe duke kujtuar ato fjalë që janë thirrje për ndryshim të përhershëm, të luftojmë për të mësuar të vërtetën mbi botën, veçanërisht të vërtetën për veten tonë, për dashurinë për të afërmin.

Duke falënderuar gjithë ata që janë në vijën e parë të luftës me koronavirusin: mjekët, infermierët, gjithë personelin mjekësor, policët dhe ushtarakët, mjekët  e shërbimit parësor, u bëj njëherësh thirrje të  demonstrojnë dashuri dhe empati, para së gjithash të largojnë tek njerëzit çdo shenjë egoizmi të sendërtuar në mosrespektimin rigoroz të rekomandimeve epidemiologjike, respektimit të distancës sociale, detyrimit të përdorimit të maskave – në qoftë se nuk bëhet për veten le të bëhet në emër të Dashurisë dhe respektit për të afërmit. Falënderoj njëkohësisht autoritetet e universitetit,  posaçërisht  Hirësinë e Tij, Rektorin dhe Profesorin Bruno Giardina si dhe kryetarin e Bordit të universitetit dhe Fondacionit  „Zoja e Këshillit të Mirë”, Daniele Bertoldi, që na mundësuan  vendosjen e bustit të shën Gjon Palit II në mjediset e universitetit. Planet e ceremonisë ishin  të tjera nga ato që na dikton pandemia e sotme, ndaj ato mbeten të thjeshta, por gjithsesi dinjitoze.

Papa Gjon Pali II,  edhe më herët si  peshkopi Karol Vojtilla, gjithmonë është ndjerë mirë në mesin e të rinjve. Jam i bindur që universiteti katolik është vend që do t’i pëlqente shumë. Në përgatitje për ceremoninë gjeta një citat të bukur  të  Gjon Palit II, ku thekson se pas popullit polak, më shumë ka dashur popullin shqiptar dhe kjo për dy arsye: e para, ngaqë shqiptarët kanë vuajtur për një kohë shumë të gjatë dhe shumë padrejtësisht, dhe e dyta, ngaqë i kanë dhënë botës Nënë Terezën e Kalkutës.

Në  110- vjetorin e lindjes, më lejoni të citoj  fjalët e lutjes  së  Saj:

„O Jezusi më i shtrenjtë, më jep që sot e çdo ditë të të shoh Ty tek të sëmurët dhe të të shërbej kur i mjekoj. Bëj që të të njoh Ty edhe në veshjen e padukshme tek të paduruarit, pretenciozët dhe të paarsyeshmit, duke u lutur:  O Jezus sa ëmbël është të të shërbesh Ty! Më jep o Zot besimin që sheh, atëherë puna nuk do të më mërzis. Do të gjej në të ngazëllim dhe atëherë me përkorë e durim do të përballoja gjendjet dhe dëshirat e gjithë të vuajturve. Bëj që të njoh dinjitetin e përkushtimit tim dhe përgjegjësinë që rrjedh prej tij. Mos lejo që atë ta reduktoj me indiferencë, mosmirësjellje apo padurim. O Jezus i duruar, zbrit dhe mirëkupto gabimet e mia. Shih vetëm vendimin tim që dëshiroj  të të dua dhe të të shërbej duke ndihmuar të pamundurit. O Zoti im, ma shumëfisho besimin, beko mundin dhe punën time, tani dhe përgjithmonë. Amen!”