Akademik Artan Fuga: Kërkesa ndaj Ramës, shfuqizon ligjin për arsimin e lartë

555
Sigal

Zotit Kryeministër,
I nderuar Edi Rama, më lejoni t’Ju drejtohem shumë sinqerisht si qytetar, miqësisht dhe njerëzisht gjithashtu,

edhe si ish-kolegë universitarë, si intelektualë : autorë dhe krijues, edhe me një “borxh” moral për të larë që nuk keni lejuar deri tani platformën time për rithemelimin e Akademisë të Shkencave ta mbysnin burokratët e akademisë të kalbur dhe abuzuese (po aq e kalbur sa edhe universitetet tona) me një propozim, si e vetmja zgjidhje e vërtetë që shoh për të dalë nga kriza e sotme midis qeverisë dhe universitarëve, studentë dhe pedagogë!

Nyja e të gjitha problemeve që janë akumuluar në sistemin e arsimit të lartë është fatkeqësisht kuadri i tij ligjor

Vazhdoj t’i mbetem mendimit, se nyja e të gjitha problemeve që janë akumuluar në sistemin e arsimit të lartë është, fatkeqësisht, kuadri i tij ligjor, pra vetë ligji për arsimin e lartë.
Vite më parë, kur ky ligj na u paraqit dhe pastaj u aprovua, e mendoja si të papërshtatshëm nisur nga analiza logjike e tij. Por, sot, pas një periudhe heshtjeje si detyrim moral për deontologjinë e analizës shkencore, e njëjta bindje më vjen tashmë e rikonfirmuar nga dhjetëra e qindra fakte nga i gjithë pejzazhi universitar shqiptar. Më shumë akoma, hidhërueshëm, ndodhja përballë një sistemi ligjor arsimor që kërkon ribërje na vjen nga aktorët më të rëndësishëm të tij, studentët tanë, pavarësisht nesh, pa asnjë ndikim tonin, sepse me revoltën e tyre ata treguan, që nuk e pranojnë kështu sikurse është sistemin arsimor në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Ju keni marrë guximin të përballeni i vetëm me salla studentësh. Unë nuk kam sesi të mos impresionohem nga guximi Juaj, pavarësisht se nuk e gjej taktikën Tuaj si metodë pedagogjike të suksesshme dialogu.

Diku keni pyetur se, përse ligji për arsimin e lartë konsiderohet si pengues dhe si shkaku i problematikave të mbledhura? Keni kërkuar t’Ju citojnë një nen si ilustrim? Më lejoni t’Ju deklaroj se të gjitha nenet e tij janë të papërshtatshme. Por, mjafton të marrim në analizë sistemin e drejtimit dhe të menaxhimit publik të universiteteve publike që konfiguron ky ligj për t’u bindur që ai është krejt jofunksional.

Të gjitha nenet e ligjit për Arsimin e Lartë janë të papërshtatshme

Përse?
E para, sepse ky sistem është ndërtuar mbi mungesën e legjitimitetit të anëtarëve të bordeve që vijnë nga dikasteri, por edhe të po atij legjitimiteti të munguar që vjen nga anëtarët e bordeve të administrimit që gjoja janë përfaqësues të bashkësive, akademikë të universiteteve publike shqiptare.
Cili nga anëtarët e këtyre bordeve që vijnë nga dikasteri ka tagrin kushtetues për të bërë politika financiare? Asnjë. Mbi të gjitha ata nuk janë financierë. Për më tepër, ata nuk e njohin financimin e agjencive të shkencës dhe të arsimit të lartë. E mbi të gjitha ata individë, kushdoqofshin, këta që janë apo ata që do të vijnë, nuk i kanë paratë e tyre ato që menaxhojnë, që të bëhen kështu garantë pa kontestim për investimet e buxheteve publike në universitete.
Paraja e universiteteve publike menaxhohet si mall pa zot!
Duke lënë në fuqi këtë sistemi menaxhimi, e hedhur edhe më shumë para, Ju do të bëni që edhe më shumë para publike se deritani të trajtohet si mall pa Zot! Paraja publike nuk menaxhohet me administratorë të deleguar, sepse mbi të gjitha ata nuk e kanë as angazhimin e as përgjegjësinë për ta kryer këtë punë. Kurse anëtarët e bordeve të administrimit që vijnë gjoja nga asambletë universitare nuk i përfaqësojnë ato, pasi zgjidhen, ata nuk kanë asnjë detyrim për të dhënë llogari dhe mbajtur përgjegjësi përpara tyre.
E dyta, sepse ata nuk kanë përgjegjësi individuale, por veç kolektive në këtë administrim.
E treta, sepse ata nuk kanë kompetenca profesionale për ta administruar këtë pasuri materiale dhe financiare të madhe, sikurse janë universitetet publike. Nuk mund të menaxhohet një korporatë publike gjigante, sikurse janë universitetet me kohë të pjesshme pune, dhe me mbledhje sporadike, një këtu dhe një atje, nga njerëz që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për zhvillimin e qëndrueshëm të korporatës që duhet të administronin.
Studentët kanë ndjerë në këto vite vetëm pasojat financiare të këtij keqmenaxhimi. E kanë ndjerë edhe në kushtet e përkeqësuar të shkollimit, në degradim të pandalshëm, si edhe në cilësinë e dobët të diplomës që vjen prej këtij mekanizmi drejtues e menaxhues krejt jofunksional dhe defektoz të universiteteve publike shqiptare. Prandaj, besoj fort që në tetë pikat e tyre ngrihen probleme të drejta, shqetësuese, që duhen zgjidhur sikurse thoni edhe Ju, por që në fakt ato pika nuk janë veçse pasojat dytësore të shkakut themelor, pra të kuadrit jo të drejtë e të saktë ligjor. Pa ndryshimin e këtij kuadri ligjor, edhe Ju, edhe studentët, edhe prindërit, edhe ne pedagogët, duhet ta dimë mirë, që nuk ka zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë as për Ju, as për ata, as për ne.

Çfarë ka ndodhur me financat e universiteteve publike në këto vite?
Pa hyrë në hollësira desha t’Ju them se ka tre prirje shumë të dëmshme që na sollën deri këtu.
E para, është që nga viti në viti arsimi publik në të gjithë komponentët e tij, regjistrim, tarifa, shpenzime për libra, kushte jete etj., është bërë gjithnjë e më i shtrenjtë. Studentët dhe familjet e tyre duhet të paguajnë buxhete personale dhe familjare që janë krejt në shpërpjesëtim me të ardhurat e tyre. Bëhet fjalë për fëmijët e masës të shqiptarëve, sepse fëmijët e deputetëve, ministrave, pasunarëve, profesorëve përgjithësisht i kanë braktisur universitetet publike.
Prirja e dytë, është që janë rritur në mënyrë krejt shpërpjesëtimore shpenzimet që janë për shërbime krejt dytësore, shpesh edhe krejt të panevojshme dhe që mbulohen me vlera financiare të pajustifikuara, të çuara në stratosferë, që lënë dyshime, në mos për abuzime, për keqmenaxhim, padyshim.
Është e njëjta situatë e rëndë menaxhimi financiar si edhe në rastin e administrimit të akademisë të shkencave që unë Ju a kam denoncuar publikisht vit pas viti.
Shpenzime të jashtëzakonshme për shërbime ndofta fare tretësore ose edhe krejt të panevojshme. Ndërkohë vihet re mungesë investimesh në përmirësimin e kushteve themelore të studimit, por edhe të infrastrukturës mësimore, ose në përmirësimin e kushteve të punës së pedagogëve.
Prirja e tretë, është që diploma nga viti në viti, pikërisht për shkak të keqmenaxhimit të universiteteve, po i humb vlerat integruese të të diplomuarve në tregun e punës. Shpenzimet e familjeve të studentëve, nga njëra anë, dhe potenciali i të ardhurave që priten nga një punësim sipas diplomës të marrë, nga ana tjetër, kanë shkuar në kahe të ndryshme. Shpenzimet familjare për diplomim kanë shkuar në stratosferë, kurse pritshmëritë për të ardhura të nxjerra nga vlera e diplomës në treg janë kënaqur në shkallë fare minimale. Ky është problemi financiar më i madh që rëndon mbi buxhetet dhe zemrat e studentëve dhe të familjeve të tyre.
Prej menaxhimit të papërgjegjshëm nga ana sistemit drejtues administrativ, por jo vetëm, shpenzimet në rritje jo rrallë abuzive të universiteteve po mbulohen duke i futur duart në xhep studentit duke aplikuar tarifa dhe shpenzime tejet të rënda. Por të ishte deri kaq, do të kishim një keqmenaxhim, por nuk do të kishim ende degradim deontologjik. Duhet të them që e gjitha kjo situatë dhe ky mekanizëm jashtë çdo funksioni ka sjellë pasoja që nëse shërbimet Tuaja do t’i zbulonin do të ngjallte një mërzi dhe trishtim kolektiv në të gjithë kombin.

Ndërtimi i bordeve të administrimit ka krijuar një aleancë shpesh të papërgjegjshme burokraci-universitare
Ndërtimi i bordeve të administrimit me përfaqësues nga administrata, madje edhe nga politika, si dhe me përfaqësues nga asambletë profesorale, ka krijuar një aleancë shpesh të papërgjegjshme burokraci-universitare, e cila ka sjellë si pasojë, që me buxhetet e universiteteve të kryhen operacione që jo rrallë nuk janë veçse abuzime. Unë nuk dua të bëj inventarizuesin e universiteteve publike, sepse nuk është profesioni im. Por, në veshë më kanë ardhur zhurma që më kanë tronditur rëndë si qytetar dhe si profesor. Kur, të gjitha këto bien mbi kurrizin e studentëve dhe të familjeve të tyre, heshtja e gjithkujt do të ishte, në mos një krim, një mëkat i madh.
Verifikoni dhe do të shihni se edhe terrenet sportive të Universitetit të Tiranës i ka tjetërsuar bashkia e qytetit ku ndodhet ky universitet. Çfarë kuptimi ka që bordi menaxhues lejon të harxhohen miliona ritmikisht për një sistem informatik mediokër ? Më thonë dhe ka vend për verifikim që për projektimin e një kampusi inekzistent janë paguar shuma marramendëse.
Më tregojnë fatura, të cilat i disponoj, ku vetëm për foninë dhe infrastrukturën e ceremonisë së diplomimit të studentëve një fakultet ka paguar ndofta edhe mbi 15 milionë lekë të vjetra.
Kësaj i thonë që kur studentët i bëjmë të hedhin kapelet në ajër, dhe ata gëzojnë naivisht, ne përfitojmë dhe u fusim duart në xhepa, to idhjo si vjedhës, në stacionet e trenit të qyteteve të mëdha!
Shihni në të gjitha universitetet publike dhe do të gjeni keqmenaxhime financiare që mbajnë erë abuzimesh. Në sociologji thuhet se kur dukuria përsëritet nga një rast te tjetri, atëherë problemi nuk janë individët, por mekanizmi i përbashkët që vepron, pra sistemi i menaxhimit të papërgjegjshëm, jolegjitim, jokompetent profesionalisht që sot çrregullon drejtimin dhe menaxhimin e universiteteve publike shqiptare.
Unë e kam deklaruar që, po qe se do të bëhet një audit i vërtetë i financave publike në universitete, në sektorin e kulturës, në akademinë e shkencave dhe në financat e instituteve keni për të parë lemerira. E ritheksoj me përgjegjësi, që vetëm nga evitimi i tyre, abuzime dhe keqmenaxhime, do të mjaftonte e tepronte për të ulur shumë ndjeshëm shpenzimet që bien në supet e familjeve shqiptare dhe të studentëve shqiptarë.
Më dëgjoni pak zoti kryeministër!
Studentët nuk protestojnë aq, sepse konsiderojnë që shpenzimet janë të kripura dhe të papërballueshme, kjo po se po, por ata protestojnë sepse u ka ardhur në majë të hundës, sepse ata konsiderojnë se barra financiare që u hedhin mbi supe është e padrejtë.
Ju shesim ajër, yje, eter me çmime të papërballueshme!
Paraja publike për shkak të ligjit të arsimit të lartë keqmenaxhohet, universitet, në bashkëpunim me elitat administrative të ekzekutivit, gjejnë si rrugëdalje, të fusin duart në xhepat e studentëve.
Hidhini kapelet, – u themi- dhe ndërkohë u fusim duart në xhepa!
Ju sot keni zgjedhur për t’u përballur i vetëm me studentët në auditore! Mua më vjen keq nga kjo vetmi. Jo për Ju, sepse Ju nuk jeni për të ardhur keq, por për faktin që është krijuar një iluzion. Duket sikur Ju shmangni të tjerët, bashkëpuntorët Tuaj, por në fakt, janë të tjerët, besoj, që Ju kanë lënë vetëm.
Ata që konceptuan, formuluan dhe bënë presion të aprovohet ky ligj jofunksional dhe i gabuar i arsimit të lartë, sot janë fshehur dhe heshtin. Si është e mundur që asnjeri prej tyre nuk i del për zot krijesës që sollën në jetë dhe na e imponuam me forcën e autoritetit administrativ dhe të kartonit!
Duhet ta dini se pjesa më e madhe e tyre duket sikur ligjin për arsimin e lartë e kishin bërë për veten e tyre. Zunë poste që sikur i kishin profiluar për vete duke krijuar agjenci, borde etj., që u kanë sjellë pushtet, para dhe autoritet. Dora në xhep të studentëve dhe të pedagogëve. Ku janë tani? Përse nuk janë përkrah Jush për të mbrojtur strategjitë dhe politikat e arsimit të lartë?
Ata e dinë mirë se çfarë i pret po të dalin në publik!
Në takimet Tuaja Ju keni guximin për të dalë përballë sallave mbushur me studentë të revoltuar me të drejtë nga dora e futur në xhep. Kjo kërkon elokuencë të lartë që padyshim Ju e keni. Por thelbi është se nuk mund të mbulohen problemet thjesht, duke premtuar që grupet e punës në zyrat Tuaja po punojnë natë e ditë dhe studentët mund t’i adresojnë tashmë kërkesat e tyre në një platformë digjitale, ku, Ju premtoni, ata mund të specifikojë problematikat edhe për çdo fakultet a universitet!!!
Ende me këto grupe pune anonime, të mbyllura, që askush nuk ua di përgjegjësinë dhe kompetencat?
Kjo është pikërisht një praktikë jopozitive, e dëmshme menaxhuese. Mos janë po ata njerëz që formuluan ligjin, dhe tani pranë jush formulojnë rrugëdalje krejt absurde për krizën e krijuar që Ju duhet ta përballoni i vetëm dhe i vetmuar!!! Ata nuk mund të fshihen pas elokuencës Tuaj, sepse studentët nuk e pranojnë këtë pedagogji. Janë të pastër studentët. Nuk janë rrugeçër!
Problemet janë reale, pra nuk mund të pranohet që artikulimi i tyre të bëhet virtualisht në një platformë digjitale. Duhet kuptuar se administrimi i pakënaqësive popullore është e pamundur të bëhet me platforma digjitale në qendër, të administruara në mënyrë të centralizuar nga burokratë dhe militantë. Shihet qartë që po të kishin funksionuar këto platforma, kërkesat e studentëve do të ishin bërë të ditura shumë më parë, dhe nuk do të derdheshin rrugëve në dimër duke paralizuar gjithçka. Çfarë na qenkan ato grupe pune që fshehur zyrave, në mënyrë anonime, do të gjejnë zgjidhjet e duhura, kur asnjeri prej anëtarëve të tyre nuk duket të anketojë, investigojë, studiojë në terren, apo të bashkëbisedojë me pedagogët dhe studentët?
Nuk është kjo metoda e administrimit të problemeve. Nuk mund të krijohet një tablo e qartë për gjendjen e rëndë të arsimit të lartë shqiptar, jo vetëm atij publik, vetëm nga bashkëbisedimi Juaj në salla apo nga opinionet e shprehura nga audiencat në rubrikat e platformës digjitale. Çdo studiues, a doktorant në shkencat sociale e di që kjo metodë kap vetëm fenomenologjinë e problemit, perceptimet kolektive, por nuk mjafton aspak për të hyrë në thelb të krizës, pra Ju privon nga matja e përmasave të saj, dhe nga rrugëzgjidhjet e duhura.
Shoh me trishtim që në takimet Tuaja kontribuon në sallë edhe zëvendëskryetari i bashkisë të Tiranës zoti Arbër Mazniku. Nuk kam asgjë kundër zotërisë në fjalë, por më lejoni t’Ju them që kjo prani ngjall mosbesim dhe nuk krijon një klimë të shëndetshme dialogu.
Ai është nga njerëzit që sapo përmenda, të cilët me fuqinë e medias dhe mbështetjen Tuaj politike na imponuan, me mekanizma presioni, fyerjesh dhe cinizëm, ligjin në fuqi për arsimin e lartë. Mbase ai dhe të tjerët besonin se po krijonin një mekanizëm menaxhimi që nuk do të përfundonte kaq trishtë sa duket si dielli sot!
Por, sapo e implementoi këtë ligj, kur pritej sipas etikës, si zëvendësministër i arsimit, të mbante përgjegjësitë e vënies në zbatim të këtij ligji, ai u largua në një vend pune pa asnjë lidhje me të parin, pra u bë zëvendëskryetar i Bashkisë të Tiranës. Edhe këtu zemërgjerësia e fal, ambigjen e një djali në moshë të re.
Por, ne pamë se z. Mazniku na rierdhi përsëri në Universitetin e Tiranës nga dritarja, pasi kishte iku nga arsimi i lartë nga dera. Erdhi anëtar i bordit menaxhues të Universitetit të Tiranës. Dhe pikërisht menaxhimi i Universitetit të Tiranës ka qenë në pikë të hallit. Aq e vërtetë kjo, saqë Ju sapo i keni shkarkuar anëtarët e këtyre bordeve si edhe ato të universiteteve të tjera publike që përfaqësojnë administratën Tuaj!
Në një anë e pushoni dhe nga ana tjetër e merrni me vete t’Ju shoqërojë në takimet Tuaja!!!
Nuk ngjall besim dhe konsideratë reciproke prania e tij midis Jush dhe studentëve, midis Jush dhe ne pedagogëve! Aq më shumë që sikurse kam paraqitur më lart, bashkia e Tiranës në vend të kontribuojë për universitetet e ndodhura në territorin e saj, të paktën për sa i përket Universitetit të Tiranës, ka venë dorë padrejtësisht në asete dhe burime financiare të këtij universiteti. Sigurisht që nuk e ka pasur vështirë ta bëjë, sikurse agjenci të tjera private ose publike, përderisa në bord kanë pasur përfaqësues që i janë imponuar buxheteve dhe financave të universiteteve pa legjitimitet, pa asnjë kompetencë profesionale dhe pa asnjë përgjegjësi personale!
Në shkencë z. Edi Rama nuk është, as turp, as krim të rikthehesh në pikën e nisjes kur teston dhe konstaton, se hipoteza apo ideja nga je nisur nuk ka dalë ashtu sikurse e prisje.
Unë e kuptoj që politika nuk funksionon me këtë logjikë të shëndoshë nga ku del edhe kontradikta e papajtueshme e arsyes shkencore dhe e arsyes politike. Mirëpo nuk mund të menaxhohen universitetet, qendra të arsyes, me një logjikë politike, pra jo shkencore.
Sugjerimi im është ta pranoni që Ju kanë servirur një ligj të keq për arsimin e lartë dhe pastaj Ju e imponuat atë me forcën e kartonit, në aleancë të hapur me partinë tjetër parlamentare që Ju mbështeste në atë kohë, si edhe në aleancë të fshehur edhe me disa figura të opozitës, aleancë e provuar atëkohë dhe tani, me dhjetëra fakte.

Rishikimi i thellë të kuadrit ligjor për Arsimin e Lartë
Duke pranuar rishikimin e thellë të kuadrit ligjor me anë të abrogimit të ligjit në fuqi dhe pranuar formulimin e një ligji të ri, Ju vetëm fitoni, dhe nuk humbisni !
E para, sepse kështu studentët dhe pedagogët do të shohin që problemet e tyre do të zgjidhen duke vajtur te rrënjët e së keqes. Dhe dijeni se problemet e vërteta të menaxhimit të universiteteve, hallet e mëdha të studentëve dhe pedagogëve, ende nuk Ju kanë ardhur në vesh.
Unë kam droje se në janar do t’Ju duhet të hapni një dialog me pedagogët!
Nga ana tjetër, nëpërmjet një kuadri ligjor të ri, Ju do të kishit mundësinë, nëse do të dëshironit, të artikulonit një model të ri të universiteteve shqiptare publike dhe private. Zgjidhja e krizës të arsimit të lartë nuk gjendet paradoksalisht te fakti që të rinjtë të mos e ndjekin arsimin universitar!
Një kuadër i ri ligjor do të rikthente energjitë e shëndosha intelektuale dhe rinore drejt një horizonti të ri. E nga kjo Ju vetëm do të fitonit!
Pra, shkoni te rrënja e të këqijave! Unë e di shumë mirë që kjo që po Ju shpreh publikisht nuk është diçka që kapërdihet lehtë! Por, mund të realizohet. Presidenti Macron sapo u tërhoq nga shumë masa ligjore që kishte ndërmarrë pikërisht nga revolta e rrugës. Kijeni edhe Ju këtë guxim! Nuk ka të keqe!
Mos mendoni që ligji për arsimin e lartë është i paprekshëm. Asnjë teoricien i së drejtës nuk do t’Ju thoshte që ligjet e këqija nuk abrogohen, përkundrazi, pikërisht pse ligjet ndryshohen, ka edhe procedura legjislative ndryshimesh ligjore.
Ligji për arsimin e lartë nuk është si ligjet etike të shkruara në pllaka që Moisiu i sillte si mesazhe nga Hyjnia, takuar në malin e Sinait, duke qenë të pandryshueshme. Ligji i arsimit të lartë nuk është Dekalogu!
Nëse nuk e besoni ende se aty e keni burimin e të këqijave, Ju jap një argument të fundit: Nuk ka pasur asnjë pedagog që të mos ketë qenë në konflikt interesi dhe ta ketë quajtur këtë ligj si të drejtë dhe pozitiv. Asnjë!
Duhet vepruar shpejt dhe rrënjësisht, sepse përndryshe, edhe nëse kriza studentore zgjidhet me anë të lodhjes a manipulimit, çështja e arsimimit cilësor të rinisë do të mbetet e pazgjidhur.
Dhe përgjegjësia nuk do të bjerë vetëm mbi Ju, por mbi Ju të parin personalisht!