Frank Shkreli: Me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe

926
Sigal

Para disa ditësh isha duke hapur një kuti me libra të vjetër dhe gjeta një dorëshkrim me një dedikim të posaçëm nga autori – mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbe, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar, shkruar nga i ndjeri Xhevat Kallajxhiu, një ish-koleg me të cilin kam punuar në “Zërin e Amerikës” për disa vjet gjatë viteve’70 dhe ish-Kryeredaktor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”. Dorëshkrimi i titulluar thjeshtë “Skënderbeu”, është një vepër e thjeshtë siç e cilëson edhe vetë autori, “bazuar në fakte historike dhe në legjenda”,e shkruar nga fundi i verës së vitit 1967 dhe botuar në atë kohë, pjesë pjesë, në gazetën “Dielli”. Xhevati e kishte shkruar këtë broshurë prej mbi 50-faqesh, sipas tij, si “Një kontribut të vogël në përpjekjen e madhe që bënë shqiptarët kudo për të përkujtuar 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.” Në parathënien e broshurës autori i referohet vitit 1968, si viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbe dhe përmend një numër të madh veprimtarish nga shqiptarët në mërgim, “Në kujtim të Fatosit të paharruar të Kombit”, shkruan Xhevat Kallajxhiu. Ai shënon, se gjatë vitit 1968 janë botuar një numër studimesh, librash dhe dokumentesh, në shqip dhe gjuhë të huaja, mbi jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbe. Në Amerikë dhe në botën perëndimore kudo që kishte shqiptarë, sipas autorit, u mbajtën mbledhje të posaçme, në të cilat u paraqitën kumtesa shkencore-historike. Revistat dhe gazetat e shqiptarëve të mërguar në botën e lirë, kishin botuar edicione të posaçme mbi Krye-Heroin e tyre, duke e përkujtuar në mënyrë madhështore vdekjen e Skënderbeut, ashtu siç e meriton Heroi i Pavdekshëm i Kombit Shqiptar, ka theksuar ai. Veçanërisht, autori Xhevat Kallajxhi, thekson manifestimet e shumta në Vatikan dhe në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, ku morën pjesë arbëreshë të Italisë dhe shqiptarë të mërguar në botën e lirë, përfshirë një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, të cilët me atë rast, gjatë qëndrimit të tyre në Romë, ishin pritur në audiencë edhe nga Papa Pali VI. Autori sjell përshëndetjen e Papës drejtuar shqiptarëve, me fjalët: “Bij fort të dashtun Shqiptarë! Po ju sjellim juve një mirëseardhje të veçantë, mbasi jemi mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Fatosit të Kombit tuaj e të Krishterimit, pranë kësaj Selie Apostolike, të cilën mund ta quani si shtëpinë tuaj. Na po ju shohim me kënaqësi, sepse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë rast është shpirti i hershëm i fisit tuaj, i cili gjithnjë, për mbi çdo interes, ka vënë vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit dhe të Burrërisë”. Këto tri fjalë, Papa Pali VI i ka thënë në gjuhën shqipe, shënon autori Xhevat Kallajxhiu në dorëshkrimin e tij. Në këtë përkujtim të madh të shqiptarëve 50-vjet më parë, hynë edhe kjo vepër e vogël dhe e thjeshtë, në të cilën, përveç vdekjes së Skënderbeut, përshkruhen shkurtimisht edhe disa ngjarje kryesore që u zhvilluan nga 17 Janari 1468 – dita në të cilën Fatosi i Kombit dha frymën e fundit në Lezhë – e deri më 28 Nëntor 1912 kur populli shqiptar shpalli përsëri Pavarësinë Kombëtare në Vlorë.

Autori e fillon tregimin historik me sëmundjen që shkaktoi vdekjen e Gjergj Kastriotit në Janar të vitit 1468 dhe me pikëllimet që pasuan, si përfundim i zhdukjes së Kryetrimit të shqiptarëve, në radhët e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Skënderbeut dhe në popullsinë e thjeshtë.

Luani i Kombit vuan tmerrësisht, por nuk mposhtet përpara hijes së vdekjes në çastet e fundit të jetës së tij. Megjithëkëtë, shkruan Kallajxhiu në tregimin e tij historik, Gjergj Kastrioti Skënderbe e merr veten dhe me frymën e fundit u drejtohet princërve dhe kapedanëve me këto fjalë:

“Ej trima, mos e humbni burrërinë, se vdekjen borxh e kemi! Mbani lartë zemrat si kurdoherë dhe përballojeni të keqen me guxim dhe gjakftohtësi. Ju lë porosi të jeni të bashkuar – dhe amanet Shqipërinë! Luftoni për të si gjithmonë dhe mbrojeni nga sulmet e armikut deri në pikën e fundit të gjakut tuaj… Mos t’ju dhimbet jeta për Atdhe dhe për liri, se s’ka vdekje më të ëmbël se vdekja për to! Mua nuk më frikëson vdekja, por më vjen keq që e mbaroj jetën në këtë shtrat dhe jo në fushën e betejës me shpatë në dorë. Ju priftë e mbara dhe Zoti qoftë gjithmonë me ju!”, ishte porosia e Gjergjit drejtuar princërve dhe popullit që e kishin rrethuar.

Autori përshkruan atmosferën, pas vdekjes së Skënderbeut, në çdo qytet, fshat shtëpi dhe kasolle të Shqipërisë së asaj kohe, ku nuk dëgjohej gjë tjetër veç vaj, dhe sjellë një vajtim tradicional të grave të Labërisë kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbe:

“Ç’u nxi jeta u bë sterrë

Vaj për Shqipërinë e mjerë.

Jetim na mbeti Atdheu

Tash që na la Skënderbeu,

Mynxirë e madhe na gjeti,

Mjer Arbëria, mjer mileti….”

Këtë hidhërim mbarë kombëtar për vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbe, në veprën e tij, “Skënderbeu”, Xhevat Kallajxhiu e pasqyron edhe me fjalimin që mbajti Lekë Dukagjini, në varrimin e Heroit Kombëtar, në emër të princërve dhe kapedanëve të Arbrit: “Shpirti im është aq i tronditur sa është edhe shpirti juaj dhe i gjithë shqiptarëve. Nuk gjej fjalë të përshtatshme për të shprehur hidhërimin e thellë për këtë tragjedi që ka mbuluar kombin tonë. Sot kemi fatin e zi të varrosim burrin më të madh që lindi raca arbënore, pas shumë shekujsh…Tani kemi një barrë të rëndë dhe nuk di nëse do ia dalim mbanë, por ajo që varet nga dora jonë është që të veprojmë sipas porosive të Prijësit tonë të paharruar: të qëndrojmë të bashkuar dhe të vazhdojmë të mbrojmë Atdheun dhe lirinë. Ky është nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të Skënderbeut, fryma e të cilit duhet të na udhëheqë edhe tani që është i vdekur. Ky është edhe misioni më i lartë që mund të kryejmë përkundrejt Atdheut dhe popullit tonë. Zoti na ndihmoftë!”, ishin fjalët e Lekë Dukagjinit në varrimin e Skënderbeut, sipas autorit. Ai shkruan se pas vdekjes së Skënderbeut, Shqipëria hyri në një periudhë të errët, ndoshta më të errët në historinë e saj. Duke cituar Fan Nolin, i cili ka shkruar: “Në kohën kur Evropa dilte nga Koha e Mesme dhe hynte në Rilindjen e Qytetërisë, Shqipëria shuhej nga lista e shteteve të lira dhe hynte në zgjedhën e urryer të një fuqie barbare, nën të cilën vuajti më tepër se katër shekuj. Vendi i shkretua fare. Tregtia u venit. Qytetëria u shua. Çdo lidhje me Evropën u pre…”. Me gjithë këtë periudhë të errët, siç e cilëson Fan Noli, Xhevat Kallajxhiu shkruan se përpjekjet e Shqiptarëve për liri, si në veri ashtu edhe në jug, filluan më në fund të jepnin fruta për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për një shtet të pavarur. “Pas 500-vjet robërie, Flamuri i Skënderbeut filloi të valojë përsëri i lirë në qiellin e Shqipërisë. Simbol i Gjergj Kastriotit, që kishte mbetur i fshehur për pesë shekuj në zemrat e popullit shqiptar, u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëntor, 1912, që koincidoi me datën fatlume të ngritjes së tij në Krujë nga Skënderbeu më 28 Nëntor, 1443”, shkruan autori në fund të dorëshkrimit të tij. Në përfundimin e dorëshkrimit të tij modest me titull, “Skënderbeu”, shkruar 50-vjet më parë, e kushtuar 500-vjetorit të të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbe, autori Xhevat Kallajxhi është shprehur se, jeta, veprat dhe heroizmat e Skënderbeut janë pavdekësuar, jo vetëm në botimet e shumta të shkrimtarëve të huaj, por edhe në botime të zgjedhura të autorëve shqiptarë. “Shqipëria dhe Skënderbeu janë bërë për popullin shqiptar një binom, dy emra të bashkuar në mënyrë të pashqitur me njëri tjetrin”, prandaj, përmbyllur ai dorëshkrimin e tij, ashtu siç e ka vjershëruar edhe patrioti martir i paharruar, Kol Tromara,

Sa të rrojë gjithësia

Sa të rrojë gjithë dheu

Do të rrojë Shqipëria

Edhe emri Skënderbeu”.