Heshtja që na shoqëron edhe pas 75 vjetësh genocid grek në Çamëri

295

Nga Hyqmet Zane

75 vitet që ikën pas masakrave greke në Çamëri, janë një alarm i madh për këdo që e di historinë e vërtetë të një genocidi që ka ndodhur ndaj shqiptarëve të një treve autoktone që nga lashtësia.

Nuk janë një e dy, por një treçerek shekulli ku emërues i përbashkët ka qenë heshtja për ta denoncuar ndërkombëtarisht dhe për ta dënuar publikisht apo ligjërisht.

Dihet gjithçka kriminale, si krim kundër njerëzimit, që është dëgjuar edhe nga një komision miks ndërkomnbëtar më 1945–1946, çfarë është bërë dhe dihet se asnjë hap përpara nuk është bërë për të krijuar një Nyrenberg për të gjykuar krimet greke në Çamëri.

Ende nuk dihet se ku ndodhet ai procesverbal i shkruar dhe që është i cituar edhe në Momerandumin e Komitetit Antifashist Çam.

Janë 75 vjet që kanë ikur, sa në kohën e diktaturës 45 vite, sa në tranzicionin demokratik janë 30 vjet.

Kronologjikisht duhet thënë se asnjë ndërhyrje e ushtrisë shqiptare në kohën e Luftës II Botërore për të ndihmuar popullatën çame që po vritej e masakrohej barbarisht, por heshtje dhe mbyllje sysh, mbyllje kufiri dhe lënie në mëshirë të fatit të burrave e grave, të fëmijëve dhe pleqve që masakruesit grekë me bekimin e kishës dhe ndihmën e britanikëve, bënë atë që sot cilësohet “genocid” por që nuk është ndëshkuar asnjëherë.

Erdhi kjo popullatë e masakruar në Shqipëri dhe u ndje keq e më keq se humbi gjithçka dhe që duhet ta niste nga e para jetën e saj, në një gjendje pas lufte që ishte edhe vetë Shqipëria dhe popullata vendase. Veç ndihmave që iu dha nga populli, se edhe vendi nuk ishte çliruar, pas luftës u dha një ndihmë eskluzive që dha UNRRA amerikane në 4 milionë dollarë të asaj kohe, por që këtë ndihmë nuk e mori popullata çame dhe, më keq akoma, nuk u mor vesh se ku vajti dhe çfarë u bë me to.

Heshtja ka shoqëruar edhe opinionin publik, edhe ndërkombëtarisht se në vitin 1949 qindra çamë u internuan në kampet e Maliqit dhe në Llozhan pse nuk pranuan të bëheshn mbrojtës të Partisë Komuniste greke, duke qenë edhe shtetas grekë me kombësi shqiptare edhe kjo harrohet e nuk përmendet as nga askush, as edhe nga ata që thonë se kanë merita në përfaqësimin e komunitetit çam.

U hesht edhe për heqjen e shtetësisë greke me kombësi shqiptare që kishin çamët dhe kjo padrejtësi ligjore dhe e të drejtave të njeriut, nuk u zu në gojë, dhe sot nuk po gjendet një motiv se si të veprohet ndërkombëtarisht.

Për më shumë akoma, sot ndalohen ata shtetas grekë me kombësi shqiptare që lindën në Çamëri, vetëm e vetëm pse dihet ligjshmëria e orgjinës së tyre, dhe nga ana e shtetit shqitpar heshtet, sepse hesht edhe përfaqësimi i komunitetit çam.

U hesht atëherë, heshtet edhe sot. Janë thënë e stërthënë fjalë se do kemi studio avokatie nga Anglia apo Amerika, por vetëm përfundime nuk pati asnjëherë, siç duket kanë qenë si fllucka mashtruese që lozin kalamajtë e vegjël. Heshtja më e madhe trishtuese me efekte trishtuese dhe vrastare ishte kur djemtë e Çamërisë që i dhanë kontributet e tyre si në luftën antifashiste dhe në ndërtimin e vendit, u gjet një sebep për hatër të grekut që të eleminoheshin elita çame më 1961.

Askush nuk guxointe të thoshte një fjalë përse ndodhi e gjtihë kjo që më pas doli një lojë për të justifikuar idiotësitë e diktatorit që sakrifikoi një komunitet të tërë për të bërë një shfaqje, për interes kombëtar dhe publicitet ndërkombëtar.

Lind pyetja se cili përfaqësues i komunitetit çam, i atyre që duan merita përfaqësimi, e tha një herë të vetme që ata bij të Çamërisë duhet të bëhen të pafajshëm se u ka mbetur faji në supe atyre që iu mor jeta dhe neve që jemi gjallë sot.

Ende nuk thuhet dhe nuk flitet se ajo lojë e rrezikshme ishte një montim tipik stalinist dhe po të ishte gjallë Hilmi Seiti do të kishte dëshmuar për të vërtetën se atij iu kërkua ajo që më pas ia atashuan Teme Sejkos dhe Tahir Demit.

Për poshtërimin, për dhunimin, për humbjen e identitetit, e të tjera si këto pas 1991-shit, nuk u fol asnjëherë dhe sot e kësaj dite ka një model poshtërimi dhe ulje dinjiteti si dhe mosvlerësimi ndaj intelektualëve që duan të thonë të vërtetat.

E gjitha kjo sepse mendësitë e formimit intelektual dhe paranojat e disa prej atyre që e shohin përfaqësimin si një lopë për ta vjelë, dhe jo si një detyrim për kauzën e Çamërisë janë në favor të së parës.

Interesat e çastit në vend të interesit të madh, janë kthyer në privilegje individësh dhe jo në një angazhim për të gjetur modalitetet juridike dhe të së drejtës ndërkombëtare për drejtësi njerëzore për të cilën flitet shumë dhe veprohet pak.

Në cilin formum ndërkombëtar, veç disa momenteve sporadike më shumë individuale, çështja çame u bë problem ndërkombëtar? Askund, sepse edhe mungesa e faktorizimit kombëtar dhe gjetja e rrugëve si shtigje për të shkuar tek veprimi faktorizues krijon situatat e një injorimi të kësaj kauze të madhe që keqpërdoret nga njerëz të vegjël.

Unë di dhe kam parë se si këtu dhe atje kanë qenë individë me kostume, por jo një angazhim shtetëror bashkëpunues të bëhej një bashkësi vlerash për një përfaqësim sipas kartave të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut që u janë mohuar komunitetit çam gjatë gjithë viteve pas atij genocidi antinjerëzor.

Mungesa e një platforme për të menduar hapat e zgjidhjes së problemit çam janë një mënyrë spostimi në axhendë për të mos orientuar drejt atë që është kauza e së vërtetës, por mbahet enigmë edhe me mungesën e diktuar të medias së shkruar dhe vizive.

Edhe pse e dimë që diktatori Enver Hoxha heshti për të drejtat e çamëve, nga ana tjetër për politikat e tij konjukturale shkroi “Dy popuj miq” që veç miq nuk u bënë, por mbetën armiq të kombit shqiptar. Por as shqitparët e Çamërisë nuk u bënë miqtë e shtetit amë, duke mbetur si jetimë në vendin e tyre sepse falangat greke kanë depërtuar kudo me kryqtarët e së keqes ndaj Shqipërisë, sa edhe sot e kësaj dite kërkojnë vetëvendosje për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”.

Ndoshta edhe pa dashje jemi bërë aleat me grekun që e do këtë heshtje dhe mosfaktorizim të komunitetit çam si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Sa më shumë ditë, muaj e vite ikin në heshtje, aq më shumë bindem në aftësitë e grekëve që e kanë shtrirë dorën e genocidit, po e shtrijnë si dorë miqësie për të gllabëruar tanimë në heshtje jugun e Shqipërisë.

Heshtja ndaj akuzave të hedhura herë pas here për blerje politikanësh që të heshtin për Çamërinë, nuk është se mund të mos besohet, deri atëhere që të ketë një denoncim serioz dhe të besueshëm.

Sepse që politika dhe shteti shqiptar po hesht me arsyetime se kemi emigrant dhe kemi marrëdhënie dhe të heshtet për kauzën e Çamërisë, dhe nga ana tjetër i bëhen lëshime greqizimeve edhe me tabela rrugësh dhe ndërhyrje diplomatike e të tjera si këto janë haptazi qëllime që realizohen në heshtje.

Vetëm një datë e caktuar si 27 qershori si “Dita e genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë” që bëri të mundur Sali Berisha më 1994 kur ishte president, si dhe dekorimi i disa çamëve nga presidentët Mosiu, Topi dhe Nishani, nuk ka asnjë nderim shtetëror për kauzën e Çamërisë dhe askush nuk thotë një fjalë denoncuese dhe heshtet sikur po na bëjnë nder?!

Edhe heshtja dhe lënia mënjanë për nderimin e 100 vjetorit të lindjes të të vetmit “Hero Populli” që kemi, Ali Demi, apo heshtja për 76 vjetorin e vrasjes së tij në asnjë moment, janë në vazhdën e harresës së qëllimshme që bëhet nga ata që gjithnjë pretendojnë se kanë merita për t’u dukur, por jo për të vepruar.

Heshtja duket se është bërë një institucion që flet hapur për shtegun e gabuar ku e kanë futur kauzën e Çamërisë. Heshtet edhe për atë çka u bë në Konferencën e Londrës më 1913, heshtet edhe për Traktatin e Fshehtë të Londrës, heshtet edhe për denoncimin që i bëri Presidenti amerikan Woodrow Wilson kësaj maskarade evropiane coptimi të kombit shqiptar, pjesë e të cilit është edhe Çamëria.

Heshtet për gjithçka, heshtin ata që duhet të bërtasin dhe të mos flenë gjumë pa gjetur mënyrat se si të bëhen faktor për të gjykuar të kaluarën dhë për të menduar për të ardhmen, aq më tepër për një kauzë si ajo për Çamërinë. Si për këshillë do të merrja pohimin e nobelistit indian Rabindranad Tagora që ka pohuar se “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara, duke ndёrtuar tё tashmёn, nuk ka se si tё ketё tё ardhshme, është i destinuar tё zhduket”.

Për fat të keq me jëtë heshtja apo lënia në harresë e kauzave të rëndësishme kombëtare që komuniteti çam e ka jetike, me siguri që do të shfaqet tendenca e një situate informale dhe gjithçka tjetër do të quhet plagjiaturë e padëshirueshme, aq më tepër për komunitetin çam.