Autonomia e Vullnetit në marrëdhëniet Kontraktore dhe kufizimi i tij

1351
Sigal

Nga notere Rezarta B Koçi

Kontratat janë mjeti më i përhapur juridik në qarkullimin cilit të një ekonomie tregu dhe një burim i rëndësishëm i detyrimeve dhe si të tilla, në teorinë juridike ato përkufizohen si pëlqim i vullnetit midis dy ose më shumë palëve për të krijuar, ndryshuar ose shuar një marrëdhënie të caktuar juridike. Nëse do të flisja si Notere, në ofrimin e këtij shërbimi publik, do të thosha se fillimisht, elementi i parë që konstatojmë ndërmjet palëve kur pretendohet se një marrëdhënie e caktuar rregullohet me kontratë, është pikërisht autonomia e vullnetit. Pra, konstatojmë parimin e shprehjes së lirë të vullnetit të palëve kontraktuese që do të lidhin kontratën dhe verifikojmë se palët detyrohen vetëm nga vullneti i tyre.

Është me rëndësi të theksohet se:

  1. Liria kontraktore.
  2. Autonomia e vullnetit të palëve kontraktuese,

janë ndër parimet kryesore dhe më të rëndësishme të së drejtës së detyrimeve.

Liria kontraktore

në përgjithësi, nënkupton autorizimin e subjekteve të së drejtës që në mbështetje të vullnetit të tyre të krijojnë marrëdhënien kontraktore, të caktojnë mënyrën, formën dhe përmbajtjen e tyre.

Liria kontraktore shpesh shqiptohet si “dead on arrival“. Pra, si një parim organizues për shoqëritë komplekse bashkëkohore. Ky parim duhet të jetë i pandjeshëm për dallimet në pasuri, status, pozitë, dhe fuqi, që e bëjnë ushtrimin e zgjedhjes kontraktore një mit për të dobëtit dhe të shpronësuarit. Duke qenë se një kontratë e lidhur ka fuqinë e ligjit për palët, e njohur ndryshe edhe si pacta sunt servanda, kjo do të thotë se nënshkrimi i një kontrate ka si pasojë detyrueshmërinë e një pale ndaj tjetrës.

Autonomia e vullnetit të palëve kontraktuese

Mirëpo, edhe pse palët kontraktuese janë të lira të vendosin, se me cilin person do ta lidhin kontratë dhe cila do të jetë lënda apo përmbajtja e saj, liria e kontraktimit duhet të jetë në suazat e rregullave ligjore, me karakter imperativ, kushtetues dhe të moralit shoqëror apo zakoneve të mira. Pra, palët duhet t’i përmbahen kufijve ligjorë në hartimin e kontratave, sepse kjo liri kontraktimit nuk është absolute dhe e pakufizuar. Përkundrazi, ajo kufizohet nga parimet kushtetuese dhe parimet e vetë ligjit p.sh., kufizimi i lirisë së kontraktimit përmes së drejtës së parablerjes ose mundësisë për zgjedhjen e palës kontraktuese, nëse subjekti me të cilin është do të lidhet një kontratë është monopol në treg, atëherë drejtpërdrejtë këtu kemi të bëjmë me një kufizim. Gjatë ushtrimit të profesionit të Noterit, jam hasur edhe me raste, kur klientët në mungesë të njohjes së ligjit, kërkojnë të ndërhyjnë në përmbajtjen e kontratës edhe në kontrata adezioni, ku përmbajtja e kontratës është përpiluar pavarësisht nga vullneti i palëve. P.sh., shitja ndërkombëtare e naftës ose kontratat për shërbimet postare etj. Pra, në praktikë ka disa lloje kontratash ku kufizohet liria e kontraktimit, ku mund të shtoj këtu edhe rastet e vlefshmërisë e kontratës ku kërkohet dhënia e pëlqimit (p.sh., kujdestari jep pëlqimin që i kujdesuari të hyjë në marrëdhënie kontraktore) një rast tjetër kufizimi. Pra, palëve ligji u ka vendosur kufizime ndaj lirisë së tyre të kontraktimit, në mbrojtje të interesave publike apo të interesave të ligjshme të palëve më “të dobëta”, prej situatave monopol, konkurrencës së pandershme, rritjes pa kriter e në mënyrë abuzive të çmimeve etj. Por, edhe kur palët me njëra tjetrën negociojnë kushtet e kontratës, përsëri ka kufizime të ligjit që nuk mund të shmangen, si dhe parashikime ligjore në lidhje me mirëbesimin dhe mënyrën se si duhet të veprojnë palët në të gjitha fazat e kontratës.

Megjithatë, pavarësisht nga sa më sipër, mund të them, që respektimi i autonomisë së vullnetit në një shtet demokratik përbën themelin e të drejtës kontraktore, i cili duhet të qeverisë dhe interpretojë çdo kontratë, dhe një ndërhyrje në autonominë e këtij vullneti përbën edhe vdekjen e të lirisë kontraktore duke sjellë kështu frikë dhe pasiguri tek palët kontraktuese. Dhe mendoj, që të gjithë Noterët, duhet të jenë të angazhuar çdo ditë në përsosjen e shërbimit ndaj qytetarëve ,duke ju garantuar besueshmërinë dhe besueshmërinë e kontratave vetëm në ligj, duke hequr dorë nga dogmat shqiptare “e njoh unë dhe s’ka nevojë për procedura të tjera”, vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen standardet evropiane të shtetit të së drejtës dhe respektimit rigoroz të ligjit.