Vlerësime dhe kritika për Operën “Dasma e Figaros”

687
Më 15 mars dhe në datat 17,19,21, me një sallë të mbushur plot në të gjitha netët, u shfaq me sukses të bujshëm në TKOB premiera e produksionit të ri “Dasma e Figaros” e ë.A.MOXART me libret të Lorenzo da Ponte. Në historinë 60 vjeçare të TKOB kjo vepër sillet për herë të tretë si një produksion i ri. Të parën herë u vu në skenë në vitin 1965 nën dirigjimin e Rifat Teqesë e regji të Jorgjia Truja, te dytën herë u vu në skenë në vitin 2000 me regji të bullgarit Plament Kartallof. Të dy herët kjo kryevepër moxartiane erdhi si një vënie klasike, ndërsa këtë radhe regjisori Nikolin Gurakuqi(siç shkruan ai vetë në ftesën e kob) e solli si një produksion modern të ambientuar në një ministri të komunitetit evropian në ditët tona. Publiku i panumërt që mbushi sallën e TKOB në të katër netët për të ndjekur këtë premierë u gozhdua për tre orë e gjysmë nga interpretimi i shkëlqyer vokalo-skenik i këngëtarëve të kësaj shfaqje dhe me lojën e tyre fituan admirimin e publikut artdashës së kryeqytetit, i cili në fund të shfaqjes i duartrokiti artistët si rrallë herë rreth 20 minuta, rekorde këto qe ndodhin rrallë. Ky rezultat u pa që në aktin e parë, ku publiku reagoi dukshëm karshi artistëve duke i duartrokitur pothuaj që të gjithë numrat muzikore dhe ariet e personazheve. Baketën e dirigjentit këtë here e kishte italiani Francesco di Mauro, një dirigjent karriere me eksperience ndërkombëtare i cili i dha shfaqjes dinamikën e atmosferën e duhur muzikore duke i frymëzuar këngëtaret ne lojën e tyre skenike, çka beri qe temporitmi i skenave muzikore dhe i recitativeve te ishte i lartë. Në rolet e operës interpretuan shumë soliste shqiptare të huaj. Ne rolin e Suzanës sopranoja shqiptare liriko-kolorature me një karriere ndërkombëtare interesante Oriana Kurteshi që jeton në Francë, interpretoi shume mirë muzikalisht dhe skenikisht në të gjithë dimensionin e këtij roli të vështirë për t’u administruar për shkak të situatave të panumërta e të pakëndshme qe kalon ky personazh qe ne aktin e parë e me radhë. E shkathët, inteligjente e vëmendshme me një teknike shumë efiçente dhe me një italishte perfekte fitoi simpatinë e publikut dhe e meritoi suksesin me këndimin dhe aktrimin e saj. Por duhet te sugjerojmë se kur roli i Suzanës këndohet nga këngëtare liriko-kolorature, orkestra duhet të bëjë kujdes në shoqërimin e saj, sepse ndonjë herë ajo e mbuloi Orianën sidomos në regjistrin e mesëm e te ulët. Perfekte ishte Oriana në arien e aktit të katërt “deh vieni non tardar” si në intonacion edhe në frazat legato. Ajo na dha një Suzanë lozonjare, inteligjente, autoritare, seksuale dhe performoi me kualitet të larte. Publiku e duartrokiti nxehtësisht duke vlerësuar maksimalisht interpretimin e saj.
Në rolin e Figaros
Në rolin e Figaros, Armando Lika interpretoi shume mirë muzikalisht dhe skenikisht personazhin. Të gjitha ariet që interpretoi që nga “se vuol ballare” nga akti i parë e deri tek aria e aktit të katërt “aprite un po quell’ oçhi” u duartrokitën nxehtësisht nga publiku. Ai interpretoi në karakter edhe recitativet e vështira të kësaj opere. I shkathët dhe energjik, i palodhur në skenë në marrëdhënie te harmonishme me te gjithë, i lirshëm e i vëmendshëm, me një plastike të bukur, mishëroi një Figaro modern që lufton për dinjitetin e tij e të partneres së tij, që i kundërvihet me forcë abuzimeve të shefit të tij pervers dhe që i udhëheq të gjitha situatat me inteligjence duke treguar një mjeshtri shumë të mirë vokale dhe aktrimi, duke u bërë kështu shumë i dashur për publikun që e duartrokiti për minuta të tëra nxehtësisht. Në përballje vokale skenike ma baritonin bullgar Valeri Turmanov, ishte dinjitoz. Rolin e realizoi mjaft mire muzikalisht si në shtrirjen vokale, intonacion, dinamikë, frazë, recitativ etj. Në përgatitjen aktoriale tregoi një Figaro të nivelit të lartë. Ndonjë sugjerim të vogël do t’i bënim Armandos, që të ketë kujdes ne ndonjë rast daljen nga ritmi i orkestrës e cila nuk duhet te luaje për hesap te vet por duhet të dëgjojë këngëtaret dhe këtu detyra i takon dirigjentit i cili duhet të lidhë gropën me skenën jo ne mënyrë mekanike, sepse të gjithë janë muzikante si këngëtarët në skenë edhe orkestrantët në gropë, por ndërsa të parët aktrojnë duke kënduar, të dytët janë të ulur në karrige e luajnë me parte përpara, pra diferenca është shumë e madhe.
Në rolin e Kontit
Në rolin e Kontit Almaviva debutoi në Shqipëri baritoni i talentuar bullgar Valeri Turmanov, i cili, ndonëse i ri në moshë, kishte një vokal të bukur e një teknike te admirueshme. I gjatë, me një prezencë skenike për tu pasur zili e zotëroi personazhin në të gjithë gamën e tij që nga akti i parë në skenën me Suzanën, Don Basilion, e Kerubinin, ne aktin e dyte me konteshën, Figaron, Suzanën e deri tek aria e tij e aktit të tretë në zyrën e tij “Hai gia vinto la causa” që regjia e kishte vënë ta këndonte në publik përpara një podiumi që simbolizonte pushtetin. Kjo është një arie shume e vështirë dramatike, deklamative, prepotente, me nota kryesisht në qendër por edhe mbyllet me akute. Turmanov tregoi gjithë potencën e tij vokale, bukurinë e timbrit, diksionin e pastër dhe revoltën e brendshme të tij karshi atyre që tentonin t’i preknin pushtetin personal. E realizoi më së miri dhe i meritoi duartrokitjet frenetike të publikut 
Në rolin e konteshës
Në rolin e konteshës, Marjana Leka tashmë një soliste e shquar e TKOB realizoi një personazh dinjitoz, gruan e fyer e poshtëruar nga tradhtitë e te shoqit. Që në fillim të aktit të dytë ajo e jep mjaft mire tronditjen e saj nëpërmjet vokalit edhe lojës. Ne arien e saj “porgi amor” një arie e vështirë, ajo tregoi edhe një herë teknikën shumë të mirë vokale duke frazuar me linjë e duke na zbuluar botën e saj të brendshme të tronditur. Vokalisht Marjana vazhdon të posedojë një zë me shkëlqim që vitet nuk e kane venitur, përkundrazi, duke qene eficente edhe në këtë moshë.
Në rolin e Kerubinit
Vikena Kamenica në rolin e Kerubinit tregoi aftësinë e saj për të luajtur një rol karakteri duke na dhënë një djalosh pasionant që nuk rresht se krijuari vetëm situata komike dhe erotike. E shkathët, me një plastike të admirueshme, energjike, nuk u lodh së renduri në skenë e duke krijuar situata të këndshme erotike. Ne te dy ariet e saj të aktit të parë dhe të dytë interpretoi shumë mirë teknikisht dhe emocionalisht, me diksion të pastër, me shtirje të mirë vokale dhe me një mjeshtri të pëlqyeshme skenike ndaj dhe publiku e duartrokiti. Interpretoi saktësisht edhe recitativet edhe ritmikisht pasi në disa numra muzikore të shfaqjes u vu re ndonjë luhatje ritmi.
Sidrit Bejleri
Sidrit Bejleri në rolin e Bartolos paraqiti një personazh të goditur, një avokat të ditëve tona te çliruar nga fobitë por mjeshtër të filozofisë se hakmarrjes, sarkastik, të vendosur në qëllimet e tij, por edhe të butë e atëror kur merr vesh se Figaro është i biri. Me një vokal të bukur ai interpretoi mjaft mirë arien “la vendetta” sidomos në qendër dhe në akute duke i dhënë tërësisht karakterin grotesk aries me diksionin e pastër, por duhet të ketë kujdes në notat e ulëta që të jenë më të tingëllueshme. Ndoshta dirigjenti duhet ta kishte ulur më shumë tingëllimin orkestral. 
Në rolin e Marcellinës
Sonila Baboci në rolin e Marcellinës u paraqit mirë sidomos skenikisht duke na dhënë një personazh ndryshe nga tradicionalja qe merret kryesisht me anën e jashtme duke deformuar personazhin, ndërsa ajo e deformoi atë psikologjikisht me ligësinë e pakufishme të saj..Në skenën e saj me Suzanën aktroi pëlqyeshëm me lirshmëri e dinamizëm, por duhej të tingëllonte më mirë e më e plotë sepse herë-herë vokali dukej se vinte nga larg. E meritoi suksesin personal.
Ne rolin e Don Bazilios
Roel Llupo në rolin e Don Bazilios, një personazh karakteri, u paraqit mirë skenikisht e muzikalisht, aktor i vlefshëm, i shkathët e inteligjent, me një timbër të veçante apostafat për role të tilla, i dha sens aksionit dramatik të aktit të parë në skenën me Suzanën dhe kontin. Roeli është zotërues i mirë i aktrimit komik dhe në këtë rast e demonstroi qartësisht. Duhet të ketë kujdes sidomos notat e sipërme duke ushtruar më shumë kontroll. Publiku e duartrokiti ngrohtësisht.
Në rolin e Antonios
Në rolin e Antonios, Genc Vozga na dha një personazh të realizuar vokalisht dhe skenikisht duke u transformuar ne një kopshtar pijanec servil e besnik ndaj shefit të tij. Në finalen e aktit të dytë ishte i saktë ritmikisht e me diksion të mirë, i lëvizshëm e me vokal të fuqishëm arriti të verë skenën në funksion te tij
Në rolin e Barbarinës
Në rolin e Barbarinës, Rezarta Qevani na dha një vajzë çapkëne e të hedhur por edhe sensibil e të dashuruar me Kerubinin. E lirshme në skenë dhe me pamje seksi për shkak të veshjes, ajo dukej e hirshme. Duhet të artikulojë më mirë në gjuhën italiane.
Sigal