Trëndafila Përmeti në kopshtet e Bostonit

1017
Sigal

Një mënyrë për t’u çmallur me vendlindjen, Shqipërinë

 Gjatë një viti e gjysmë që jetoj në Boston, kam njohur mjaft shqiptarë, të vjetër e të rinj nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova. Megjithë ingranimin në jetën e përditshme amerikane, me traditat e zakonet e saj, ata ruajnë si një  gjë të çmuar, traditat e zakonet shqiptare. Ruajnë gjuhën e bukur shqipe dhe ia përcjellin atë brezave më të rinj. Shumica e familjeve kanë blerë kanalet televizive shqiptare dhe i shohin programet e tyre, si të ishin në Shqipëri apo Kosovë. Mbi të gjitha, ata ruajnë si gjënë më të shtrenjtë dashurinë për atdheun, për fshatrat dhe qytetet, ku kanë lindur e janë rritur, për njerëzit e afërt,  për shokët dhe shoqet, për gjithçka. Janë të shumta fijet që i lidhin me atdheun, ndërmjet tyre, vëmendjen time e tërhoqi një fakt tjetër:  disa shqiptarë që jetojnë në Boston e rrethinat e tij kanë sjellë nga Shqipëria farëra të ndryshme bimësh apo fidanë frutorë dhe i kanë mbjellë në kopshtet e tyre  Tek i shikoj këto mjedise, më ngjanë si “copëza”  të natyrës shqiptare,  të sjella në Boston. Le t’u njohim me disa nga këto “copëza” dhe ata (o) që i kanë sjellë , nga mijëra kilometra larg.

***

Vizitën e parë në këto mjedise të gjelbra shqiptare, e bëmë në shtëpinë e Niko dhe Violeta Stefanit, me origjinë nga Dardha e Korçës. Jetojnë prej dhjetë vjetësh në qytetin Medford pranë Bostonit, bashkë me djalin e tyre Kristin, me nusen e tij Knidën, si dhe mbesën e nipin. Më të shumtën e jetës, e kanë kaluar në Tiranë, por asnjëherë nuk janë shkëputur nga Dardha e tyre e dashur. Si në Tiranë e në Dardhë, në oborret e tyre kanë mbjellë bimë e pemë të ndryshme. Nikua ka qenë fotoreporter i njohur në Shqipëri. Mijëra foto kanë autorësinë e tij. Një pjesë të tyre, rreth 2500 copë që kanë lidhje me Dardhën e dardharët, vajza e tyre, Adriana, e pasionuar edhe ajo pas fotografisë e vendlindjes së të parëve, i ka hedhur në një faqe të veçantë interneti të hapur për Dardhën.  Oborri i shtëpisë së tyre, është i qëndisur nga një mozaik bimësh dhe pemësh, një pjesë e mirë e të cilave janë sjellë nga Shqipëria. Kanë sjellë një rrush, i cili është rritur dhe jep prodhim. Kanë sjellë edhe mjaft farëra lëpjetësh, laboti, kungulli, panxhari, mashurke, për lakror, por edhe bimë mjekësore si lule basami. Nuk jemi keq nga ekonomia, por merremi me kopshtin për të kaluar kohën, për t’u kënaqur, për të shijuar diçka që e kemi rritur me duart tona. Ato janë edhe pa kimikate.  Mbi të gjitha, bimët që kemi sjellë nga Shqipëria, na kujtojnë vendin tonë, na kujtojnë Dardhën tonë e sikur çmallemi. Ardhka një moshë që dashuria për vendlindjen, u bëkërka më e madhe, më e fuqishme, thonë ata. Violeta ka sjellë nga Dardha edhe dy vegla të thjeshta: një prashajkë dhe një drapër. Nuk  i ka sjellë vetëm për të bërë ndonjë punë në kopsht. Me ato dy vegla, e lidhin kujtime të veçanta: -Prashajkën e ka përdorur gjyshi im, ndjesë pastë. E kam kujtim nga ai. Edhe me draprin kam një kujtim tjetër të shtrenjtë. Atë e ka përdorur vëllai im i vetëm , Vaskë Zguro. Ai ka vdekur në vitin 1950, në moshën 15 vjeçare. Te drapri kishte gdhendur germat e para të emrit dhe mbiemrit të tij. Sa here i prek ato germa, më duket sikur prek dorën e vëllait. Tek vazhdojmë bisedën te kopshti i tyre, Nikua më thotë se unë kam sjellë nga Shqipëria një zilkë të mushkës që kemi patur në Dardhë, shumë vjet më parë. E marr ndonjëherë dhe e tund për të dëgjuar tingujt e saj. Ata tinguj më shpien në Dardhën tonë të bukur. Si çdo vit, edhe sivjet, ka ditë që kane ikur ne Dardhë. Kur të kthehen, me siguri do sjellin në Boston “copëza” të tjera të natyrës nga vendlindja e tyre e dashur.

***

Stacioni tjetër i ndalesës sime në kopshtet e shqiptarëve që jetojnë në Boston, e rrethinat e tij, ishte në shtëpinë e Arben Bashllarit. Ai jeton në qytetin e Moldenit. Edhe këtu të bie në sy kopshti i qëndisur bukur nga dora e një nikoqiri. Vërtet puna e parë për ndërtimin e kopshtit u bë nga Arbeni, por mbjelljen e bimëve dhe shërbimet e tyre, i ka bërë nëna e tij, Nazike Bashllari (Omeri).  Është 81 vjeç, por nuk i ndahet zemra nga puna në kopsht. Farat e preshit dhe hudhrave, i ka sjellë nga Tirana. Mësojmë se ajo është me origjinë nga Potomi i Skraparit, por familja e saj është shpërngulur në fshatin Bulgarec të Korçës dhe pastaj është martuar në Zvarisht të këtij rrethi. Më vonë familja është shpërngulur në Tiranë. Edhe këtu ka patur një kopsht ku mbillnin shumë perime. Këtë traditë, ajo e ka sjellë edhe në Amerikë. Duke e pyetur për bimët dhe pemët e sjella nga Shqipëria, nënë Nazikja na thotë se në fillim ka sjellë filiz rrushi nga ai që kishte te shtëpia e vet ne Tiranë. E mbështolla filizin e rrushit me disa rroba si të ishte fëmijë dhe e vendosa në valixhe. Në aeroportin e Bostonit më kontrolluan dhe e panë rrushin. Qeshën ata policët kur e panë, por pastaj e hodhën. Më erdhi keq por nuk kisha ç’të bëja, pasi unë e kisha shkelur ligjin. Vitin tjetër solla tri rrënjë  nga Shqipëria: rrush “Tajgë” “Shesh i bardhë ” dhe “Çelek”.  Një vit tjetër solla një fik, tregon ajo, e mbolla, por nuk i rezistoj të ftohtit të Bostonit. Para dy vjetësh solla një hide që e kisha para shtëpisë në Tiranë. Atë e kam mbjellë te shtëpia e djalit tjetër, Faredinit.  Pasionin e saj për t’u marrë me bimët e pemët  ua ka rrënjosur jo vetëm djemve, Ilirit, Faredinit e Arbenit, por edhe nuseve të tyre, Marjetës, Verës e Mirelës. Herë pas herë edhe ata(o) punojnë në kopsht.

***

Duke kërkuar “copëza” të tjera të natyrës shqiptare në Boston e rrethinat e tij, u ndala në Uster, një qytet ku jetojnë rreth 15.000 shqiptarë. Mësova se këtu rritet për bukuri një lajthi e sjellë nga Shqipëria. E ka sjellë atë Skënder Kodra , me origjinë nga Arëza e Devollit të Sipërm. I kish shkrepur Skënderit të ketë një lajthi nga vendlindja, që sa herë ta shihte, të çmallej sado pak me fshatin e tij.  Sivjet ajo ka lidhur edhe kokrra. I zbuloi gruaja për herë të parë, thotë Skënderi. U gëzuam sikur të kishim marrë një lajm të veçantë.  Më duket sikur kam përpara një “copëz ‘ Arëze. Çdo gjë që më lidh me vendlindjen, më duket e shtrenjtë.  Në këto radhë, u ndalëm vetëm në disa “copëza” të natyrës shqiptare që blerojnë në Boston e qytetet rreth tij. Por, siç dëgjojmë edhe shqiptarë të tjerë, kanë bërë të njëjtën gjë. Ja për shembull Sotir Pani, me origjinë nga Dardha, ka sjellë nga vendlindja një kumbull dhe e ka mbjellë te oborri i shtëpisë, Kostandin Moskua me origjinë nga Gjirokastra, ka sjellë një thanë, kurse Iliri nga Përmeti, domosdo ka sjellë trëndafila etj. Me siguri këto “copëza”të natyrës shqiptare, do të shtohen edhe më shumë në të ardhmen. Është dashuria dhe malli për Atdheun, që i sjell ato nga mijëra kilometra larg.