Dy fjalë mbi botimet

330

Dikur ishte heroizëm të shkruaje, tani është heroizëm të lexosh

Nuk ka ditë që në sallat e Hotel Tirana Internacional, të Muzeut Historik, të Qendrës Kulturore të Ushtrisë, si dhe  në mjaft institucione dhe lokale të tjerë, të mos organizohen promovime librash. Sheh në këto tubime njerëz të moshave të ndryshme, familjarë, veteranë, profesorë që kanë ardhur të nderojnë sebepçiun, atë që ka shkruar. Shumica vinë vetëm për hatër, se mos u zemërohet autori, pa librin që kanë dhuratë në dorë as kanë për ta lexuar kurrë. Këto lloj ceremonish janë bërë aq të shpeshta dhe aq të njëllojta me njëra tjetrën që jo vetëm s’ngjallin interes, por janë bërë edhe të bezdisshme. Në to thuhen vetëm fjalë të mira, autorit i thuren lavde sa dhe Nobeli për të është pak. Shprehet keqardhje që ky libër nuk përkthehet edhe në gjuhë të haj, paçka se në me muaj të tëra nuk shitet asnjë kopje e vetme. Megjithëse janë libra me mbresa e kujtime të pa dokumentuara, shiten si memorialë dhe romane historikë, pavarësisht se në qoftë se të duhet, nga ata nuk mund të marrësh asnjë referencë të saktë. Libraritë janë mbushur dingas me libra të tillë, bibliotekat shtëpiake po kështu. Duke parë këtë gjendje, me të drejtë pyet: Pse ndodh kështu? Ndryshe nga ç’ndodh në botë në Shqipëri nuk ka kriter botimesh, ose ka, por nuk zbatohen ligjet dhe rregullat. Në Shqipëri kush ka 500 ose 1 milion lekë të vjetra nxjerr pa vështirësi një libër. E nxjerr pa vështirësi, pasi ky libër nuk kalon në filtrin e shtëpisë botuese, por edhe nëse kalon ai nuk i nënshtrohet kontrollit për vlerat që mbart, por futet direkt në shtyp, “shyqyr që erdhi” të mbyllë vrimat ekonomike të entit botues. Në shumicën e rasteve, siç thamë më lartë, libri nuk kalon nëpërmjet shtëpisë botuese, por shkon direkt në shtypshkronjë. Ai botohet pa siglën e shtëpisë botuese, por edhe pa ISBN, që do të thotë se është një botim kotë, i pa skeduar dhe regjistruar gjëkundi, por, mbi të gjitha është një botim i jashtëligjshëm, pasi për botimet ka ligje dhe rregulla. Nuk mund të botojë kush të dojë dhe sit ë dojë. Në shumë raste të tjera. Libri certifikohet. Me këtë punë nuk merret autori, merret vetë shtypshkronja, e cila çuditërisht gjen ISBN, të cilën nëpërmjet një shtëpie botuese e merr nga Biblioteka Kombëtare. Megjithëse është një shteg ligjor, marrja e ISBN është gjëja me e lehtë që mund të bëhet. Pse është e lehtë/ Sepse shtypshkronja apo shtëpia botuese vrapon t’ia nxjerrë ISBN që klienti të mos iki gjetkë. Askush nga organet e kontrollit të shtetit nuk i futet kësaj pune. Po ku është e keqja e një fenomeni të tillë të pandalshëm dhe të pa frenuar. Ka shumë të keqja, por unë do të rendis vetëm dy. E para një veprim i tillë stimulon mediokritetin, mbush tregun më shumë se me libra me sasi të mëdha letrash. Së dyti, mbyt vlerat e vërteta, pasi me të thatin shkon edhe i njomi. Nuk është rastit, që nëpër libra shkollorë gjen nga këto lloj krijimesh mediokre, gjen emra autorësh që vetëm shkrimtarë dhe gazetarë nuk janë dhe lihen jashtë emra dhe talente me vlera. Këtij fenomeni sa negative aq dhe absurd duhet t’i jepet fund me një herë. Dhe këtë duhet ta bëjë shteti, duhet ta bëjë Ministria e Kulturë dhe institucionet e tjera vartëse të saj; duhet ta bëjë Akademia e Shkencave, organet e kontrollit ligjor dhe financiar. Me këtë nuk them që njerëzit të mos shkruajnë, përkundrazi të shkruajnë, por të shkruajnë me përgjegjësi, që ajo e shkruar të mbetet si një vlerë kombëtare dhe jo personale, që atij libri t’i referohesh për faktet e gjalla dhe dokumentet që sjell, e jo të shkruhen broçkulla. Duhet pasur parasysh se ndër ata që shkruajnë ka njerëz që kanë nxjerrë nga dora e tyre gjëra me vlera, por ka edhe nga ta grafomanë që shkruajnë e shkruajnë pa pushi. Ka që kanë bërë nga 10-20 libra për një kohë të shkurtër, kur ka shkrimtarë seriozë, shqiptarë apo të huaj që janë ende me një ose dy libra. Rëndësi ka cilësia, vlera, jo sasia e cila kur teprohet kthehet në anti-vlerë, siç është kthyer në të vërtetë te ne.

Genci BILLA