Vangjel Agora: Estrada Profesioniste e Sarandës një histori 60 vjeçare

785
Sigal

Këtë 2 prill qyteti bregdetar i Sarandës përkujtoi ditën e krijimit të vitit 1962. Ky krijim erdhi si rezultat i një lëvizjeje teatrale amatore të zgjeruar në qytet, qysh prej vitit 1926 me nismëtarin Neço Muka, artist me dhunti të rralla në disa gjini arti. Ku pas çlirimit të vendit në qytetin tonë u vu re një shtim i grupeve amatore, në spikatjen grupi amator i Shtëpisë së Kulturës nga i cili u vunë në skenë disa pjesë dramatike të kohës si dhe premiera të tipit të varietesë me skeçe e materiale të shkurtra humoristike.

Kjo lëvizje solli në mënyrë të natyrshme lindjen dhe krijimin e trupës së estradës profesioniste më 2 prill 1962, me premierën e saj të parë ”Nëpër Sarandë “me një material letrar e muzikor, që afirmonte realitetin pozitiv të kohës, si dhe kritikonte tipat dhe dukuritë negative që viheshin re. Ndër aktorët dhe muzikantët themelues që u përzgjodhën nga elementët e talentuar të lëvizjes teatrore ishin: Koçi Vasi, Illo Martiko, Kiço Kapedani, Jorgo Nano, Bedrie Tahiraj, Xhemile Sheme, Liri Sejdo, Tuli Bajrami, Thoma Xhupa. Drejtues muzike Theofan Nako, Regjisor Dhimitraq Lepuri. Në vitin 1964 filloi punë si regjisor i ardhur mbas mbarimit të Akademisë së Arteve dega e dramës Thoma Milaj, i cili vuri premierën e parë të tij “E kemi fjalë ne “dhe më pas realizon disa shfaqje të suksesshme, që tërhoqën vëmendjen e spektatorëve për humorin e spikatur dhe profesionalizmin në konceptimin dhe ndërtimin e tyre si “Parada e Xhevaireve” e “Pakot Fluturuese”. Me ardhjen e aktorëve të talentuar si Theofil e Violeta Haxhijani, Polikseni Hajdho, Lek Mosi, Haki Spaho, Teli Duka, Gastere Shkurti dhe muzikantët Thoma Gjoni e Adem Daci, këngëtarët Fani Kumbuli, Lafter Agora, Pëllumb Zotaj, Gani Doko, Gëzim Meçani, përpos një materiali interesant për kohën, me gjetje të mprehta humoristike u vu re përdorimi i gjerë i llojit të parodisë, kupletit e skeçit të muzikuar, një prirje kjo e theksuar e regjisorit Milaj pothuajse në çdo premierë, e cila në vitet që pasuan u bë lajtmotivi i tij krijues që së bashku me komeditë muzikore e orientuan gjithnjë e më shumë trupën e estradës drejt pranisë së madhe të llojeve humoristike që gërshetonin në mënyrë të harmonishme materialin letrar me atë muzikor, çka ndikoi dukshëm në profilin e saj të veçantë dhe origjinal në rang kombëtar. Ndër premierat më të suksesshme të realizuara nga estrada në vitet 65,75, kanë qenë: “Posta Ekspres”, “Urimet” “Urdhëroni në anijen tonë” “Në shkallët e Sarandës” “Buqeta” “U themi Ndalë” etj. Në vitet 80, tipari dallues i estradës ka qenë vënia në skenë e disa komedive muzikore si “Ditë plot diell”, “Me plot dëshirë”,” Alarm në postëkomandë” e “Flokë dëbore në prill “që lanë mbresa te spektatori i kohës duke u bërë shembull edhe për trupat e tjera për freskinë, bukurinë e cilësinë me pjesëmarrjen e shumë personazheve, këngëtarë, korit, orkestrës, shumica amatorë, me muzikë të kompozuar enkas për to në varësinë e vokalit, që dispononte trupa.

Ardhja e aktorëve dhe instrumentistëve, që mbaruan Akademinë e Arteve në vitet 80 dhe në vazhdim si Josif Papagjoni, Vangjel Agora, Karafil Shena, Kalie Gugu, Luiza Xhuvani, Zef Mosi, Kostaq Nika, Teuta Gaçi, instrumentistët Pajtim Hodri, Tomi Stefanidhi, Andrea Rafti, Bexhet Shena, Bektash Mamuçi, Namik Xhaferi, Dhimo Jani, këngëtarët Irini Qirjako e Telemak Papapano si dhe aktorë e këngëtarët amator të apasionuar e të talentuar si Liri Tare, Katerina Zoto, Lida Kalivopulli, Adelina Skëndaj, Dhimitër Dhrami i dhanë freskinë trupës dhe rritën nivelin artistik të saj, duke kontribuar në profilin e plot muzikor në përballimin e një ngarkese voluminoze muzikore në realizimin e premierave të estradës dhe aktiviteteve të shumta të organizuara nga Shtëpia e Kulturës. Një kontribut të rëndësishëm krahas regjisorit Milaj ka dhënë dhe drejtuesi i orkestrës, kompozitori Thoma Gjoni duke krijuar dhe përballuar një volum të madh pune me këngëtarët dhe orkestrën. Po në ato vite spikati dhe humoristi e libretisti Enver Isufi me vargjet humoristike të kupleteve, parodive, skeçeve të muzikuara dhe komedive muzikore. Në repertorin e materialeve letrare kontribut kanë dhëne dhe krijuesit e qytetit tonë si Piro Mosi, Josif Papagjoni, Arben Iljazi, Zaho Vasili, Vangjel Agora, Haki Spaho, A.Nika. Përveç këtyre materiali letrar dhe muzikor sigurohej edhe nga krijues më në zë të vendit si P.Kulla, K. Shehu, F.Laro, K.Devole, A.Prodani, L.Disdari, M.Leka të cilët me shumë kënaqësi ofronin krijimet e tyre për trupën. Dekori i premierave si një komponent i rëndësishëm i shfaqjes është realizuar fillimisht nga piktorët Stiljan Buzi, Vasil Kaçi e Vangjel Gjini dhe në pjesën më të madhe dhe më të suksesshme nga skenografi Lefter Çeko që me gjetjet, detajet dhe trajtimin profesional e vendosi këtë komponent të rëndësishëm të shfaqjes në baza profesionale.

Në vitet 90 trupa jonë e estradës mori pjesë në të gjitha takimet kombëtare e regjistrimet televizive të kohës duke u prezantuar denjësisht. Ajo është fituese e takimit kombëtar të Estradave të zhvilluara në viti 1977 me komedinë muzikore ”Me plot Dëshirë”. Për kontributin dhe vlerat e saj artistike është vlerësuat me titullin “Naim Frashëri” të klasit të 2. Pas viteve 90 si rrjedhim i ndryshimit të sistemit e kufizimeve financiare, reduktimit të personelit dhe vështirësive të njohura të tranzicionit, ashtu si të gjitha trupat e tjera të vendit, trupa jonë e humbi gjallërinë, duke u zvogëluar në mënyrë të ndjeshme. Disa nga aktorët kryesorë, këngëtarë e muzikantë u larguan në emigracion jashtë vendit, Por pavarësisht nga largimet dhe vështirësitë e ndryshme, formacioni artistik i mbetur brenda Qendrës Kulturore nën drejtimin e regjisorit Vangjel Agora arriti të mbijetojë e të justifikojë veten duke sjellë para artdashësve çdo vit deri në vitin 2012 dy premiera estrade dhe aktivitete të ndryshme artistike, kulturore me raste festash dhe ngjarjesh. Gjatë atyre viteve u vunë në skenë një numër i konsiderueshëm premierash ku veçohen: “Dashuria mes humorit dhe pentagramit”, “Kjo punë kështu e ka..o fiton e ha..”, ”Zaret u hodhën”, Vjehrra pakës me barrë”, “Një vërë në ujë”,” Shakaja gjysma e së vërtetës”,” Qylaf labi mban gaztori”, ”Ëndërr apo Zhgjëndërr” premiera televizive “Humor nëpër Sarandë 1,2” etj. Në të gjitha këto premiera kanë spikatur aktorët Haki Spaho, Pranvera Brinja, Flamur Oruçi, Valentina Boçi, Ilir Nikolla, Neim Avdia, Gëzim Muço. Instrumentistët A. Halili, Z. Brinja, M. Papagjoni, B. Mamuçi, E. Çeçi, Pandi dhe Fredi Camandioti, këngëtarët Perlat Merko, Orest Kovi, Bianka Vasku, Lida Jaupi, Dashamir Xhemali, Sara Duro,Kristina Barzuka,Loreta Mato, Vanesa Sono etj, nën drejtimin e drejtuesit të orkestrës Bexhet Shena. Gjatë gjithë atyre viteve në premierat e estradës ka zenë vend problematika e kohës, humori fin, kënga popullore e ajo moderne. Janë aplikuar forma të reja të aktrimit me një humor e qasje satirike dhe prani domethënëse të konvencioneve skenike. Premierat janë karakterizuar nga një koncept me sens realist, përkujdesje për vërtetësinë dhe natyrshmërinë si dhe një ngulmim i vazhdueshëm për rritjen e nivelit artistik të aktorëve dhe të muzikantëve. Në këtë 60 vjetor është momenti të kujtojmë duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për sakrificat e kontributin e tyre artistic. Të gjithë ata artistë që në vite janë ndarë nga jeta si: Thoma Milaj, Taqo Lepuri, Fehmi Qelepiri, Myfit Braja, Jorgo Nano, Koçi Vasi, Kiço Kapedani, Mazar Tahiri, Illo Martiko, Polikseni Hajdhi, Tuli Bajrami, Thoma Xhupa, Illo Papadhima, Lefter Duka, Apostol Lula, Gastere Shkurti, Gëzim Meçani, Gani Doko, Adem Daci, Aristidh Gjiksana, Haki Spaho. Estrada jonë sot nuk ekziston më. E braktisur ashtu si shumë trupa të tjera. Kujton..flet.. dhe një lot të rrjedh nga sytë… Për dhimbjen që të shkakton kjo gjendje. “Na ishte një here, por s’është më estrada e bukur e Sarandës” Po sot? A mund të ri ngrihet? A mund ta shohim sërish trupën e estradës? Sigurisht, do të ishte një dëshirë , por sot për sot, me sa duket, qenka në kufijtë e të pamundurës. Por fundja mbetet një kujtim i bukur dhe së bashku me atë kujtim ngjizet edhe një shpresë. Shpresa se ai teatër, mund të ringrihet një ditë. Doemos me një profil strukturor e filozofi funksionimi të rinovuar. Por përherë me misionin e panegociueshëm të rrezatimit të artit të bukur, që fal pa kushte buzëqeshjen dhe dashurinë njerëzore. Është çështje kohe. Tregu për këtë art do të gjendet. Ai do vijë duke u zgjeruar edhe në një mënyrë edhe më bashkëkohore. Vështirësitë ekonomike një ditë do të marrin fund. Publiku nuk do t’i mungojë kurrë estradës. Njeriu qan shumë, por edhe qesh shumë. Sepse e qeshura është shëndet. Është jeta, Është sfida ndaj të keqes.